Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Spa_Madre Teresa Spa_Madre Teresa 

Festa liturgjike e Shёn Nënë Terezës, ikonё e dashurisё

Të mos e harrojmë shembullin e madh që na la Shёn Nënë Tereza e të mos mjaftohemi ta kujtojmë vetëm me fjalë! Të marrim guximin për ta vënë gjithnjë në vend të parë njeriun me të drejtat e tij themelore. Njё lutje tё veçantë ia drejtojmё pёr popullin shqiptar, kudo. Na ndihmoftë e na shoqëroftë nga qielli!

R.SH. - Vatikan

Më 5 shtator, kalendari liturgjik i Kishës katolike kremton festën e Shën Nënë Terezës, një jetë në shenjë të dashurisë së Krishtit e të dashurisë ndaj më të varfërve ndër të varfër.

Festa kishtare liturgjike përkon me atë mbrëmje të paharrueshme 5 shtatorit 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë Nënë Tereza. Kujtimi i saj është i gjallë në zemrën e secilit nga ne, në mbarë Kishën e në mbarë botën. Kjo grua e vogël, e ardhur nga një familje e thjeshtë shqiptare, me forcën e besimit në Zotin, diti të kryejë një vepër të mrekullueshme dashurie për të afërmin, posaçërisht për më të varfrin.

Në të vërtetë Shën Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfrit më të varfër; e njëkohësisht, pikërisht për shkak të dashurisë së saj të jashtëzakonshme për të mjerët, qe e mbetet dhuratë e jashtëzakonshme për Kishën e për botën. Ajo ia dhuroi plotësisht vetveten Zotit, gjë që e përsëriste çdo ditë në lutje. Ishte pikërisht kjo dhuratë bërë Zotit, ajo që e çoi në dhurimin e plotë të vetvetes në shërbim të të afërmit e në mënyrë të veçantë të më varfërve ndër të varfër. 

Në buzëqeshjen, në gjestet, në fjalët e Shёn Nënë Terezës, Jezusi vijoi të ecte në rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vijon ta bëjë këtë përmes misionareve e misionarëve të bamirësisë, që formojnë familjen e madhe shpirtërore të themeluar prej saj.  Në festën liturgjike, Kisha katolike na fton ta kremtojmë festën e kësaj Shenjte dhe në jetën e përditshme t’i imitojmë në gjestet thellësisht ungjillore që Nënë Tereza pati ndaj çdo njeriu, atij që qe i varfër materialisht e atij që qe i varfër shpirtërisht. 

Pra, sot në kremtimin e Shën Nënë Terezës, misionares së madhe të Indisë e të mbarë botës. Bija e motra më të madhe të popullit shqiptar, na la trashëgim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". 

Jeta e Shёn Nënë Terezës është zhvilluar tërësisht në shenjë të dashurisë së Krishtit, me fjalë tjera të bamirësisë. Ajo dashuri bamirëse, që përfaqëson urdhrin më madh shoqëror. Dashuria bamirëse, drejtësia dhe vërteta janë shtylla themelore nga të cilat, besimtarë e jo besimtarë, duhet të frymëzohen për jetën e veprimtarinë e ndërgjegjshme në shoqërisë bashkëkohore.

Po të mos harrojmë: Shën Nënë Tereza nuk deshi të ofronte modele të jetës shoqërore apo politike: ajo thjesht e përvujtërisht, i përgjigjej etjes së Krishtit në të varfër e nё të mënjanuar tё shoqërisë e, përmes dashurisë, dhuroi jetën për ta lartuar njeriun, posaçërisht më të varfrin ndër të varfër.

Prandaj të mos e harrojmë shembullin e madh që na la Nënë Tereza e të mos mjaftohemi ta kujtojmë vetëm me fjalë! Të marrim guximin për ta vënë gjithnjë në vend të parë njeriun me të drejtat e tij themelore. Udhëheqësve të Kombeve, në këtë situatë aktuale, Shën Nënë Tereza u thotë: mos u mbështetni tek forca e armëve! Ecni, përkundrazi, në rrugën e çarmatimit, për t'i përdorur burimet e nevojshme në shërbim të qëllimeve të mëdha të qytetërimit e për të luftuar të bashkuar kundra urisë e sëmundjeve, në mënyrë që çdo njeri të mund të jetojë e të vdesë si njeri.

Këtë do Zoti, e pikërisht këtë na e kujtoi, përmes dëshmisë së Nënë Terezës, së cilës i drejtohemi të ndërmjetësojë pranë Zotit në Përjetësi për paqe e dashuri ndërmjet popujve e kombeve. Një lutje tё veçantë ia drejtojmë për popullin shqiptar, kudo. Na ndihmoftë e na shoqëroftë nga qielli.

05 shtator 2018, 08:49