Kërko

 Festivali i 10-të Mesdhetar 2018 Festivali i 10-të Mesdhetar 2018 

Vatican News ndërmjet fituesve të çmimit, në Konkursin e Gazetarëve të Mesdheut

Përkim, multimedialitet, dinamizëm, rrjet: reforma e mediave të Selisë së Shenjtë ndërmjet së ardhmes e së kaluarës pasqyrohet në videon Vatican News, vlerësuar me çmim në Konkursin e Otrantos. I njihet edhe shtytja për risi, në kontekstin e informacionit gjithnjë më të vëmendshëm ndaj temave të paqes, dialogut, drejtësisë, dinjitetit njerëzor.

R. SH. - Vatikan

Çmim për “risi  teknologjike”:  ky, çmimi që portali Vatican News, në seksionin “Jashtë konkursit”, do të marrë të diel, më 16 shtator, në Otranto, gjatë mbrëmjes përfundimtare të edicionit të 10-të të Konkursit “Gazetarët e Mesdheut”, në bashkëpunim me Komunen e Otrantos, rajonin e Pulies,  Këshillin për Zhvillimin Turistik, Universitetin Aldo Moro të Barit dhe Korpusin Konsullor të Pulies, Bazilikatës  e Molises.

Histori, përndryshe të panjohura

Në kuadrin e Festivalit me të njëjtin emër, konkursi vlerëson me çmime krijimet gazetareske, që flasin për vendet e lagura nga Mesdheu, në perspektiva të ndryshme: fetare, shoqërore, politike, humanitare. Sivjet fitues i konkursit ishte Alessio Lasta (La7 Piazza Pulita), për një punim titulluar “Dreaming France (Duke ëndërruar Francën). Udha e emigrantëve nëpër dëborë, mbi Alpet”. Sektorët e konkursit janë tre: terrorizmi ndërkombëtar, nga Siria në Evropë; Mesdheu dhe të drejtat e mohuara; paqja dhe emigracioni. Konkursi u drejtohet reporterëve, gazetarëve profesionistë e në profesion të lirë, talenteve të reja të shkollave të gazetarisë si dhe studentëve të kurseve të diplomës në Shkencën e Komunikimit. Shumë talenteve që, me punimet e tyre, bëjnë të njohura histori, të cilat pa ta, do të mbeteshin në errësirë. Njihemi, kështu, përmes tyre, me vende të Mesdheut, ku të ashtuquajturat luftërat fetare, konfliktet dhe mungesa e dialogut u mohojnë qyetetarëve të drejtat civile dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve. Në plan të parë, dramat e përditshme të një deti, i cili prej kohe është bërë qendra e botës.

Vatikan News dhe risia teknologjike

kategorinë “jashtë konkursi” Vatican News mori, siç e thamë më sipër, çmimin “Për risi teknologjike”, për videon me të cilën, dhjetorin e kaluar, niste punën për reformën që po e kryejnë mediat e Vatikanit, të shoqëruara e të nxitura nga disa papë. Videoja është punuar nga një skuadër gazetarësh - Benedetta Capelli, Cecilia Sepe, Emmanuela Campanile - dhe nga operatori i parë i Papës, Cesare Cuppone, udhëhequr nga Massimiliano Menichetti, Koordinator i Qendrës Editoriale Multimediale të Qytetit të Vatikanit, i cili do ta tërheqë Çmimin.

22 gusht 2018, 17:40