Takimi Botëror i Familjeve: Dublin 2018 Takimi Botëror i Familjeve: Dublin 2018 

Familjet ritakohen në Dublin. Kard. Farell: “Skemat baritore të së kaluarës nuk funksionojnë më”

Dublini pret familjet, mysafire nga 116 vende të botës; 6 mijë të rinj, nën moshën 18 vjeç (numri më i madh në historinë e takimeve botërore të familjeve deri më sot), 7 mijë vullnetarë…

R. SH. - Vatikan

Dublini pret familjet, mysafire nga 116 vende të botës; 6 mijë të rinj, nën moshën 18 vjeç (numri më i madh në historinë  e takimeve botërore të familjeve deri më sot) e 7 mijë vullnetarë.  37 mijë vetë do të ndjekin tri ditët e kongresit (22, 23 e 24 gusht), ku do të flasin 200 referues, shumica laikë e bashkëshortë. 200 delegacione, 50 nga të cilat nga periferitë e botës, falë mbështetjes së Dikasterit, në bashkëpunim me dioqezën e Dublinit dhe dioqezat e tjera irlandeze. E akoma, 85 mijë bileta të porositura tashmë për festivalin me Papën, në Croke Park Stadium e 500 mijë, për Meshën përfundimtare në Phoenix Park, kremtuar nga Françesku.

Familjen mund ta tregojë vetëm familja

Familjen mund ta tregojë vetëm familja: kush mund të jetë dëshmitar më i mirë se ata, që e jetojnë çdo ditë bukurinë e saj të madhe? Nuk ka asnjë dyshim kardinali Kevin Farell, prefekt i Dikasterit vatikanas për laikët, familjen e jetën, që e parashijon tashmë Takimin IX botëror të familjeve (www.worldmeeeting.ie) me temë “Ungjilli i familjes, gëzim për botën”, i cili do të mbahet më 21 deri më 26 gusht, në Dublin.

Ç’pritet nga takimi i madh?

Shumë pritet nga ky takim – pohon kardinali Farell - por objektivi kryesor është zhvillimi i baritorisë familjare, në gjurmët e nxitjes apostolike Amoris Laetitia. Jetojmë në një botë, ku sundon individualizmi i tepruar, që rrezikon ta zbehë bukurinë e martesës e të familjes e skemat dhe metodat baritore të së kaluarës duket se nuk funksionojnë më, përballë ndryshimeve të vrullshme shoqërore. Në këtë situatë krejtësisht të re e shpesh destabilizuese, e kemi për detyrë t’i përgatisim e t’i shoqërojmë çiftet drejt martesës në mënyrë më impenjative e të vazhdueshme, duke e parë këtë si katekumenat i vërtetë, sipas shprehjes së vetë Papës Françesku. Nuk bëhet fjalë thjesht për organizimin e kurseve paramartesore.

Çështja është shumë më e thellë e ka të bëjë me shoqërimin, edhe në vitet e para të martesës, të burrave dhe grave, që vendosin të bëjnë pjesë në planin e Zotit.

Në të kaluarën kësaj detyre delikate e të shkëlqyer i kushtoheshin vetë familjet, bërthamat e zgjeruara, që përbënin rrjetin e mbështetjes, sot i zhdukur, për shkak  të vëshirësive të ndryshme, ndërmjet të cilave, largimi i fëmijëve nga familja e edhe nga vendet e origjinës, në kërkim të punës.

Rrethanat irlandeze janë të veçanta. Historia i la këtij vendi trashëgim shumë blana e atmosfera shpesh është e stuhishme. Mjafton të mendojmë për referendumin e kohëve të fundit mbi abortin. Prej këndej lind pyetja: “Ç’vlerë merr Takimi në këtë skenë kaq të veçantë?”.

Është gjithnjë çast domethënës për ta kujtuar e për ta forcuar jetën dhe misionin e familjes. Klima është vërtet e ndërlikuar, por ka në vetvete farën e rilindjes. Në gjirin e familjeve nuk mungon kurrë forca për t’ia kumtuar gëzimin botës. Ato nuk do të lodhen kurrë  së kujtuari se familja ka qenë e është gjithnjë pasuri, mbështetje e pazëvendësueshme - me fjalorin e saj të veçantë bazuar mbi gramatikën e dashurisë - për të mirën e përbashkët dhe jetën e Kishës. Takimi i Dublinit është takimi i madh i familjeve katolike, që bashkojnë zërin, për të dëshmuar fenë e tyre dhe për t’i treguar botës - të gjitha familjeve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë - gëzimin e Ungjillit të jetuar, edhe në thjeshtësinë dhe kushtet e kufizuara të familjes.

Takimi botëror i familjeve nuk ka asnjë qëllim të modifikojë doktrinën katolike mbi martesën…

përkundrazi, synon të tregojë fekonditetin dhe bukurinë, posaçërisht me shenjën e gëzimit. Mund ta kuptosh këtë duke u nisur që nga titulli: “Ungjilli i Familjes, gëzim për botën”.

13 gusht 2018, 16:28