Atë Mello, Dikasteri për Laikët: në Dublin Papa do t’i japë hov baritorisë familjare

Intervistë e Atë Alexandre Awi Mello, sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, kushtuar Takimit Botëror të Familjeve në Dublin.

R. SH. - Vatikan

Gjithçka është gati në Dublin ku nesër, e martë, 21 gusht, do të fillojë festa e Familjeve, ardhur nga të katër anët e botës, për t’u takuar në kryeqytetin irlandez. Ngjarja e madhe, në të cilën do të marrë pjesë edhe Papa, organizohet nga Kisha irlandeze dhe Dikasteri për Laikët, Familjen, Jetën. Pikërisht sekretarin e këtij dikasteri, atë Alexandre Awi Mello, e pyetëm për shpresat, që lindin nga ky takim:

“Takimi i Dublinit është sigurisht një nga ngjarjet më të rëndësishme për Dikasterin tonë. Shpresa të mëdha lindin nga prania e Papës, fjala e të cilit pritet me padurim. Do të jetë, sigurisht, çasti për t’i nxitur familjet ta jetojnë gjithçka u mëson Kisha. Jam i sigurt se pjesëmarrja në këtë takim do të jetë burim i një gëzimi të madh: më se 35 mijë vetë do të marrin pjesë në Kongresin baritor e më se 500 mijë, në Meshën përfundimtare me Papën. Ky do të jetë, pa dyshim, çast i papërsëritshëm, të cilin të gjithë e presin plot me gëzim e besim. Do të jetë ngjarje, e cila do të thadrohet në zemrën e të gjithëve e, njëkohësisht, do të mbetet edhe në historinë e Kishës”.

Shpresa juaj për familjet, që do të jenë në Dublin? Ç’mund të japin, kur të rikthehen në vendet e tyre, nga u nisën drejt Irlandës?

“Dëshirojmë që takimi të jetë shtytje për baritorinë familjare e të mund të ndihmojë për ta kuptuar Amoris laetitia, reflektimin e parë kaq të gjerë, kaq të madh - do të bëjmë më se 60 workshop - për këtë Nxitje Apostolike. Amoris latia është “Carta magna” e familjes.  E Ati i Shenjtë sigurisht do të na japë edhe nxitje të tjera të rëndësishme për baritorinë familjare në vende të ndryshme”.

 

 

20 gusht 2018, 14:35