Parolin: shpërdorimet janë tmerre, në Irlandë Papa do të ngjallë shpresë të re

Intervista me kardinalin Pietro Parolin, kushtuar shtegtimit të afërt apostolik në Irlandë, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve dhe luftës kundër abuzimeve seksuale në Kishë.

R. SH. - Vatikan

Shtegtimi i afërt apostolik në Irlandë, Takimi Botëror i Familjeve, i nisur dje në Dublin, plaga e tmerrshme  e abuzimeve seksuale  në Kishë! Këto, temat e forta të intervistës, dhënë Vatican News nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Hirësia e Tij është i sigurt se prania e Papës në Irlandë do të jetë shenjë shprese për të gjithë dhe do ta inkurajojë Kishën vendase si dhe familjet e mbarë botës.

Kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku do të shkojë në Irlandë për Takimin Botëror të Familjeve. Kjo temë - familja - është gjithnjë më shumë në qendër të Papnisë. Ç’mund  të presim akoma, pas Sinodit dhe Amoris laetitia?

“Unë besoj se vizita e Papës në Irlandë me rastin e Takimit Botëror të Familjeve, do të jetë rast, nga ana e tij, për ta ripohuar mësimin e Kishës mbi temën e familjes, në kuptimin e nënvizimit të rolit themelor, vendit themelor që zë familja në Kishë e në shoqëri e për ta mbështetur misionin e familjes, si realitet dashurie, besnikërie, për ta ndihmuar në misionin e transmetimit dhe të edukimit për jetën. Mendoj se vetë prania e Atit të Shenjtë do të jetë burim inkurajimi, që do t’i ndihmojë familjet në këtë mision e, posaçërisht, në angazhimin e tyre për ta dëshmuar praninë e dashurisë së Zotit dhe aftësinë e vetë familjes në krijimin e asaj lumturie, që bota e kërkon me të gjitha forcat”.

Cili është, sipas Jush, kontributi më i fortë, më origjinal, që mund t’i japin sot familjet e krishtera Kishës e edhe atyre, që janë ende larg nga përvoja e fesë?

“Besoj se familja ka sot një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur: roli është të dëshmojë gëzimin e Ungjillit, të japë dëshmi gazmore të dashurisë së Zotit, që di ta shndërrojë jetën e njerëzve, di ta shndërrojë jetën e bashkësisë. Sot jetojmë në një epokë, në të cilën njerëzit vuajnë shumë nga vetmia, nga izolimi; vetmi e izolim njëri nga tjetri, që në fund të fundit bëhet edhe izolim nga vetë Zoti. E atëhere Papa ngulmon shumë edhe mbi këtë funksion të familjes, që është  të rizgjojë njeriun, të rizgjojë bashkësinë, ndjenjën e përkatësisë, të bashkimit, të respektit. Unë besoj se familja sot duhet të luajë pikërisht këtë rol në gjirin e shoqërisë”.

Në Takimin e Dublinit do të preken edhe tema delikate, si emigracioni, kriza familjare dhe mirëpritja e homoseksualëve. Ç’ka për t’u thënë Kisha sot, atyre që nuk i pranojnë vlerat dhe vizionin e saj për botën?

“Kisha, natyrisht, ka një propozim të sajin për të bërë, propozim, që bazohet mbi Ungjillin; por unë mendoj se është shumë e rëndësishme, përtej fjalëve, posaçërisht, sjellja e Kishës për ta dëshmuar me shembull e me vepra, bukurinë dhe vërtetësinë e Ungjillit në botën e sotme. Edhe këtu ka shumë plagë për t’u shëruar. Ka shumë vetmi e shumë shpërbërje, për t’u ribërë. Mund të rikujtojmë këtu, figurën e përdorur nga Papa që në krye të Papnisë së tij, atë të Kishës parë “si spital fushor”, që mund të jetë vërtet pranë njerëzve e t’i shoqërojë në udhën e rritjes. E, përsa u takon plagëve, edhe për shërimin e tyre. Mendoj se kjo është sjellja e duhur, shoqërimi, që është aftësi dëgjimi, që është aftësi dialogu, aftësi për t’u rritur së bashku”.

Papa  ka kërkuar shumë herë që familjet të mbështeten nga institucionet me politika të përshtatshme. Nga duhet nisur, sipas jush?

“Papa thotë se duhet të nisemi nga vetvetja, në kuptimin se janë vetë familjet, Kisha vetë, që duhet të angazhohet në këtë drejtim. E pohon shumë edhe në Amoris laetitia, ku thotë se është bërë shumë në përpjekjen që të përgatiten, të ndihmohen të rinjtë për Sakramentin e Martesës dhe për formimin e familjes, por  edhe se mbetet ende shumë për t’u bërë. Pastaj, natyrisht, nga ana e bashkësisë së krishterë, besoj se përveç këtij aspekti të dëshmisë e të veprimtarisë, duhet  nxitur edhe bashkësia politike, që të jetë e vëmendshme ndaj realitetit të familjes, e vëmendshme ndaj nevojave të saj e t’i mbështesë familjet edhe me masa të përshtatshme ligjore.

Një Papë kthehet në Irlandë pas më se 40 vjetësh. Në Irlandën, që jetoi dhimbjen e tmerrshme të plagës së abuzimeve e edhe atë të Raportit të kohëve të fundit mbi abuzimet në Pennsylvani, i cili bëri shumë përshtypje. Ç’thotë populli i Zotit në Irlandë?

“Besoj se  ishim e vazhdojmë të jemi thellësisht të goditur nga ky fenomen, që pati ndikim shkatrrimtar edhe mbi dëshminë e Kishës. Papa ngulmoi e vijon të ngulmojë se detyra jonë e parë, angazhimi ynë i parë, është të jemi pranë viktimave, t’i ndihmojmë në mënyrë që të mund ta rindërtojnë jetën e tyre. Besoj se Kisha në Irlandë i ka pranuar mungesat e saj, gabimet e saj, mëkatet, e njëkohësisht ka marrë edhe një sërë masash, që ta parandalojë rrezikun e përsëritjes së këtyre mizorive, këtyre tmerreve. Besoj edhe se shtegtimi i Papës në Irlandë do të jetë nën shenjën e shpresës e të lëshimit të plotë në dorë të fuqisë çliruese, shndërruese, shëlbuese të dashurisë së Zotit, që provohet në familje. Prej këndej,  është edhe mesazh, që hap udhë të reja drejt së ardhmes për këtë fe, që ka qenë gjithnjë karakteristikë e Irlandës e se zemrat e popullsisë irlandeze do të dinë të rilindin  e të sjellin frytet e paqes e të lumturisë”.

22 gusht 2018, 15:26