Cerca

Vatican News
Drejt lartësive Drejt lartësive 

Pali VI dhe forca tërheqëse për malin e Shndërrimit

Krishti është në fillim e në fund e magjisteri i Papës Montini, vdekur 40-vjet më parë, i njëjtë me këtë të Papës së sotëm, i cili më 14 tetorin e ardhshëm do ta shkruajë emrin e Palit VI në librin e shenjtorëve, në Parajsë!

R. SH. - Vatikan

Në liturgjinë e sotme dëgjojmë rrëfimin e Pjetrit: “Ishim përmbi malin shenjt”. Besëlidhja e Re nuk na e thotë emrin. Kujton vetëm se mali ishte “i lartë”, ishte aq i lartë, sa dishpujt nuk do të ishin ngjitur në të, pa inkurajimin e Jezusit, që “i çoi atje”. Domethënë, i çoi drejt lartësive. Të duket gati-gati se për t’i bërë të ngjiteshin, ai i çoi, ashtu si bën një atë, që e ngarkon të birin mbi supe, për t’ia lehtësuar ngurrimin e kapitjen.

Gjëja tjetër, që dimë nga Besëlidhja e Re, lidhur me këtë mal, është se ishte “shenjt”. Pjetri shkruan “ishim me të”; e Marku tregon: “Na mori me vete”. Prandaj është “shenjt” ky mal! Sepse nuk është vetëm vend, por edhe, e sidomos, dëshmitar i intimitetit të madh të dishepujve me Mjeshtrin e tyre: “Mënjanë, vetëm ata” - vëren ungjilltari: vetëm, si mund të rrish me njerëz, që e duan fort  njëri-tjetrin. Në fund të fundit, siç shkruan Papa në nxitjen Gaudete et exultate, shenjtëri do të thotë t’i jetosh në bashkim me Jezusin misteret e jetës së Tij (krh n 20).

Nuk ka shenjtëri, pa Jezusin; shenjtëri nuk ka, pa Krishtin. “Nuk mund të jetohet shpirtërisht, pa Zotin”“- pati thënë një herë Pali VI (Homelia në Orvieto, 11 gusht 1964).

Palin VI e tërhiqte fort mali i Shndërrimit. E dimë se shtegtoi atje më 15 janar 1964. Dimë, gjithashtu se, për stemën e tij ipeshkvnore, pati zgjedhur moton “Cum ipso in monte” – “Me Të, mbi mal”. Pastaj e hoqi, sepse të krijonte idenë e programit të një njeriu kundrues e jo të një bariu, ashtu si po bëhej asokohe për Kishën ambroziane. Por, nëse hoqi dorë nga kjo zgjedhje, Montini mbeti gjithë jetën besnik i saj. Qe gjithnjë, sipas shprehjes së Shën Gregorit të Madh, contemplatione suspensus: “Pezull në kundrim”, siç i pëlqente ta përkthente. Për Palin VI qëndrimi pezull në kundrim ishte një lloj akrobacie shpirtërore, e nxitur nga dashuria e urtë dhe e fuqishme për sendet quae sursum sunt, që janë atje lart. Montini pati mësuar, që në vitet e para të jetës, t’i donte majat, ta dëshironte çdo formë lartësie.

Kur  u thirr në Katedrën e Pjetrit, një burrë plak nga Pezzoro, fshat breshian, u  kujtoi miqve si e pati marrë kur ishte fëmijë, mbi shpatulla, për ta çuar në majën e malit Guglielmo.  Në lartësi. Në atë pikë ku - pati kujtuar më pas Pali VI - shikimi i ngjet atij të tre dishepujve, vetëm me Krishtin, mbi mal. E njeriu ndjehet i sigurt për takimin e ardhshëm me Krishtin!

Krishti është në fillim e në fund e magjisteri i Papës Montini, vdekur 40-vjet më parë, i njëjtë me këtë të Papës së sotëm, i cili më 14 tetorin e ardhshëm do ta shkruajë emrin e Palit VI në librin e shenjtorëve, në Parajsë!

06 gusht 2018, 15:54