Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Annunciazione Annunciazione 

Lutja e Engjëllit të Tënzot, lavdi më i përhapur në botë

Engjëlli i Tënzot është lutje katolike. Na kujton misterin e mishërimit, pa të cilin nuk do të kishte krishterim e, sidomos, shëlbim.

R.SH. - Vatikan

Gjatë kohës së zakonshme të vitit liturgjik të Kishës, çdo të diel në mesditë, Papa kremton në Vatikan, bashkë me besimtarë e shtegtarë lutjen e Engjëllit të Tënzot. Papa e kremtoi edhe dje, si zakonisht, në mesditë, duke nisur me fjalët njohura nga gjithë të krishterët:

“Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mëri”,

 “e u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt”... 

Kjo lutja e Engjëllit të Tënzot, që mbarë bota katolike e thotë tri herë në ditë, duke ndërprerë për një çast punën a prehjen, në zyrë, në arë a para mjeteve më moderne, që vënë sot në lëvizje mbarë botën: nga kasollet tek qeveritë a qendrat financiare. Natyrisht ku ka katolikë të vërtetë.

Siç e kujtuam, lutjen e Engjëllit të Tënzot e kremton çdo të diel Papa nga dritarja e studios së tij private, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, rrethuar nga mijëra besimtarë e shtegtarë, që luten e këndojnë në gjuhët e tyre:

 

Të falemi Mari...

Ky Shesh u përket gjithë popujve, tërë kombeve, të cilët mblidhen rreth Papës, për ta thënë këtë lutje, që ritmon jetën e tyre të punës a të pushimit. 

 

Engjëlli i Tënzot është lutje katolike

Na kujton misterin e mishërimit, pa të cilin nuk do të kishte krishterim e, sidomos, shëlbim.

Emri i lutjes vjen nga fjala fillestare e tekstit latin: “Angelus Domini nuntiavit Mariae”. Përbëhet nga tre tekste të shkurtra, që e tregojnë këtë ngjarje e thuhen si versete, shoqëruar me refrenin e pasuar nga tre vargje të tjera e nga po aq “Të falemi Mari”.

 

Kur kremtohet lutja

Kjo lutje devocionale kremtohet tri herë në ditë, në ag të ditës së re, në mesditë e në muzg. Oraret i kumton këmbana, nganjëherë e quajtur edhe Këmbana e Engjëllit, ose e “FalemiMrisë”. Edhe në Shqipëri, sipas traditës, këmbanat binin, e bien, tri herë, që në kohë të lashta. Vijuan të bien edhe në kohën e pushtimit turk, prej të cilit u mbet gjatë edhe emri: kumbona e sabahut, e mesditës dhe e akshamit. Në kumbonë të sabahut, e gjithë familja ishte në  këmbë. Niste dita e re. Në atë të mesditës, shtrohej në sofër. Në të akshamit, mbylleshin portat me shulat e rëndë. Dita kishte perënduar. Kjo traditë u ndërpre vetëm në kohën e diktaturës, për të rifilluar sapo u rindërtuan këmbanoret e shembura e jeta e besimtarëve nisi të ritmohej rishtas nga tingujt e tyre që, siç shkuan Shileri, tek poezia e tij e famshme kushtuar Këmbanave, përkthyer shqip nga dom Lazër Shantoja: “Thërrasin të gjallët, vajtojnë të dekunt, thejnë rrfetë!” (Vivos voco, mortuos plango, fulgura frango). 

 

E Fjala u bë Njeri....

Engjëlli i Tënzot na kujton ngjarjen shëlbuese, përmes së cilës, sipas planit të Atit, Fjala, për virtyt të Shpirtit Shenjt, u bë njeri në kraharorin e Virgjërës Mari:

 “Qe shërbëtorja e Tënzot”, vijon lutja.

 “U bëftë mbi mua si është fjala e Jote”. Të falemi Mëri...”. 

 

Zanafilla 
Kjo lutje, me sa dihet, e ka zanafillën në manastiret mesjetare. Ndërsa murgjërit koristë këndonin orët liturgjike, kompozuar kryesisht nga Psalmet, të cilët të gjithë i dinin përmendësh, dhe nga antifonat, vendosur mbi pupitra, shpesh popullsia analfabete linte përgjysëm punët dhe bashkohej në lutje me korin e murgjërve.   

 

Kush e themeloi?

Sipas Papës Gjoni XXII, zyrtarisht lutjen e Engjëllit të Tënzot e themeloi Papa Urbani II (1040-1099).  Lutja nisi të transmetohej për herë të parë nga Radio Vatikani, në lidhje me televizionin italian, më 15 gusht 1954, nga Papa Piu XII, prej Kastelgandolfos. Ishte e diela e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

 

Angelus në ditët tona

Duke nisur nga papnia e Palit VI, disa emitente radiofonike e televizive, e edhe Eurovizioni, nisën ta transmetojnë lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Çdo të diel në mesditë, Papa mban një fjalim të shkurtër. Në përfundim të tij kremton lutjen e Engjëllit të Tënzot e cila, nga Pashkët e deri për Rrëshajë, zëvendësohet nga lutja e Mbretëreshës Qiellore. 

 

Papa Françesku dhe lutja e Engjëllit në Të Ngjiturit e Zojës në qiell

Që në zanafillë, lutja e Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell u kremtua gjithnjë nga Kastelgandolfo, sepse pikërisht  këtë stinë të përvëluar të vitit Papët e kishin zakon ta kalonin në selinë verore të papëve. Madje disa prej tyre edhe u nisën për në shtëpinë e Atit nga kjo Seli. Po ardhja e Papës Françeskut, ndërmjet shumë gjërave, ndryshoi edhe vendin e kremtimit të lutjes në solemnitetin e madh të Zojës. Më 15 gusht 2015 për herë të parë, pas 60 vjetësh, lutja u kremtua nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan.

Por, në Kastelgandolfo a në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, lutja mbetet e njëjtë e thuhet me të njëjtin devocion nga besimtarët e mbledhur rreth Papës:

“E Fjala e Tënzot u bë njeri. E erdh e ndej ndër ne”. Të falemi Mëri... Lutu për ne, o e Shenjtnueshmja Nëna e Tënzot; që të bëhemi të denjë për premtime të Jezu Krishtit”.

13 gusht 2018, 11:14