Papa Françesku me kardinalin O'Malley Papa Françesku me kardinalin O'Malley 

Komisioni Papnor për mbrojtjen e të miturve: tolerancë zero ndaj shpërdorimeve

Komunikatë e Komisionit Papnor për mbrojtjen e të miturve, pas botimit të Letrës së Papës drejtuar Popullit të Zotit për çështjen e abuzimeve në Kishë.

R. SH. - Vatikan

Komisioni Papnor për mbrojtjen e të miturve “u inkurajua” nga Letra e Papës Françesku drejtuar Popullit të Zotit për plagën e shpërdorimeve. Komisioni e falënderon Atin e Shenjtë “për fjalët e forta, në të cilat ndjehet  dhimbja dhe vuajtja e njerëzve, që pësuan abuzime seksuale, abuzime  pushteti dhe ndërgjegjeje, kryer nga disa prej anëtarëve të Kishës”. “Do t’i detyrohemi përgjithnjë - vijon komunikata - guximit profetik dhe rezistencës  së shumë burrave e grave, britma e të cilëve qe më e fuqishme se të gjitha mjetet, që u përpoqën t’i bëjnë të heshtin”.

Tolerancë zero ndaj kujt i kryen ose i mbulon shpërdorimet

Anëtarët e Komisionit Papnor - vijon nota - mbështeten mbi thirrjen e Papës drejtuar anëtarëve të Kishës, që në luftën kundër abuzimeve seksuale ta ndihmojnë “tolerancën zero” dhe të gjejnë mënyra “për t’u kujtuar përgjegjësinë të gjithë atyre, që i kryejnë ose i mbulojnë këto krime”. Letra e Papës Françesku - vijon komunikata - e përforcon mesazhin e Komisionit Papnor për të cilin “toleranca zero dhe përgjegjësia janë parakusht për t’i mbrojtur njerëzit e ligshtë nga shpërdorimet, tani e në të ardhmen”.

Shpërdorimet seksuale, të pushtetit e të ndërgjegjes lidhen ngushtë me njëri-tjetrin  

Nota pajiset me një deklaratë të profesoreshës Myriam Wijlens, anëtare e organizmit, kryesuar nga kardinali Sean O’Malley. Për pedagogen e së drejtës kanonike, në Letrën e Papës spikasin tre aspekte. Në radhë të parë, pohon, “Françesku shpreh qartë lidhjen ndërmjet shpërdorimit seksual  dhe shpërdorimit të pushtetit e të ndërgjegjes” dhe nënvizon, kështu, atë që shumëkush nuk dëshiron ta pranojë. Së dyti - pohon profesoresha Wijlens - Papa vë në dukje dy lloje shpërdorimesh të pushtetit: “ka nga ata, që  shfrytëzojnë pozitën, për t’i shpërdoruar seksualisht të miturit dhe të rriturit e ligshtë,  e ka edhe nga ata, që e shfrytëzojnë pozitën  drejtuese   dhe abuzojnë me të, për t’i mbuluar këto shpërdorime”.

Në radhë të parë, mbrojtja e fëmijëve

Së treti – vijon kanonistja holandeze - Papa pranon se “të kërkosh falje e të përpiqesh për t’u ndrequr, nuk mjafton kurrë. Një përgjigje largpamëse - vëren -  kërkon ndryshimin rrënjësor të kulturës, krijimin e një kulture të re, në të cilën siguria e fëmijëve të ketë përparësinë më të madhe”. “Të mbrosh emrin e mirë të Kishës - shton - do të thotë të vësh në vend të parë sigurinë e fëmijëve. Kleri, i vetëm, nuk është në gjendje ta realizojë një kthesë kaq rrënjësore. Prej këndej, ashtu siç shkruan Papa Françesku “duhet të kërkojë përvujtërisht e edhe të marrë ndihmë nga e gjithë bashkësia”.

21 gusht 2018, 12:43