Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku me anëtarët e "Scholas Occurrentes" Papa Françesku me anëtarët e "Scholas Occurrentes"  (ANSA)

Fondacioni “Scholas Occurrentes” promovon shkolla futbolli e surf-i në Mozambik

Papa Françesku bekon topin edukativ, realizuar nga fëmijët e Mozambikut.

R.SH. - Vatikan

Njihet mirë tashmë shqetësimi i Papës Françesku për arsimimin e fëmijëve. E pikërisht Fondacioni “Scholas Occurentes”, të cilin Ati i Shenjtë e ktheu në “papnor”, është projekti i tij për të promovuar kulturën në gjithë botën. Që nga shkurti 2015, vullnetarët e Fondacionit shërbejnë edhe në Mangundze të Mozambikut, me anë të një programi integrimi përmes teknologjisë, veprimtarive shoqërore dhe edukative.

Gjatë muajve të fundit, ka nisur edhe zbatimi i projektit “Scholas. Qytetaria”, në të cilin janë përfshirë 200 nxënës të gjashtë shkollave të zonës. Nxënësit reflektuan mbi tema si mungesa e arsimimit, konsumi i drogës dhe abuzimet seksuale. Gjatë marsit të kaluar, në dy misione të ndryshme të Mozambikut, është programuar një edicion i “FutVal”.

Programi “FutVal”

 Fjala është për integrimin në programin edukativ shkollor të mësimit të futbollit për fëmijët e të rinjtë nga mosha 6 deri në 16 vjeç. “FutVal” përpiqet “të harmonizojë zhvillimin e të rinjve, që jetojnë në gjendje të vështirë e, t’i inkurajojë të integrohen me realitetin e bashkësive”, ku jetojnë, shpjegon Fondacioni. Në maj të këtij viti, u përurua në Mozambik edhe Shkolla e surf-it “José Sulaiman”, në videokonferencë me Papën Françesku.

Ky projekt i ri po zbatohet në Todo, bashkësi në bregdetin juglindor, parajsë e dashuruesve të surf-it dhe të zhytjeve në det. Javën e ardhshme, drejtori i përgjithshëm i “Schola Occurrentes”, do të shkojë në Mozambik.

19 gusht 2018, 08:39