Kërko

  Argjentinë: manifestim kundër abortit Argjentinë: manifestim kundër abortit 

Argjentinë, aborti mbetet i paligjshëm.

Falë hedhjes poshtë nga Senati, në Argjentinë aborti mbetet i paligjshëm. Imzot Paglia e shikon këtë si fakt pozitiv, që tregon se shumica e popullsisë është kundra ligjësimit. Duhet të punojmë të gjithë në mbrojtje të jetës, t’i ndihmojmë e t’i shoqërojmë ato, që jetojnë në situata dramatike - pohon.

R. SH. - Vatikan

Sipas imzot Vincenzo Paglias, kryetar i Akademisë papnore për jetën, “për ta shëruar plagën e klandestinitetit të ndërprerjes së shtatzanisë, është themelor angazhimi krijues e plot me dashuri”:

“Besoj  se  është një e dhënë pozitive,  fakti që një numër i madh, jo vetëm nga radhët e besimtarëve - por, në këtë rast, edhe qytetarëve - iu kundërvu ligjësimit të abortit. Besoj, pa dashur të hyj në analiza të hollësishme,  se, pavarësisht nga ky rezultat përballë një teme si kjo e abortit, duhet të jemi gjithnjë më pranë grave, posaçërisht më të varfrave, sidomos vajzave, që marrin vendime dramatike”.

Duhen shumë mjete të suksesshme, për t’iu kundërvënë klandestinitetit të ndërprerjes së shtazanisë…

“Prandaj besoj se është e domosdoshme fryma krijuese në mbështetjen e atyre, që duan të abortojnë, në ndihmën, që u japim. Kujtoj vitet ’70, kur edhe në Itali zhvillohej ky debat, kjo betejë. E kujtoj edhe sesi Nënë Tereza shkonte pranë këtyre vajzave e u thoshte: “Mos u shqetësoni! Ma jepni mua foshnjën tuaj! Kujdesem unë për të. Do të jem unë, familja e ferishtes suaj. Ju mund të vini e mund të rrini me të sa e kur të doni”. Ishte përgjigje konkrete, për ta ndaluar abortin. Mund të ketë edhe forma të tjera, nisma të tjera për t’i ndihmuar, në këtë rast, gratë e huaja, që duan të abortojnë. Gra që, po gjetën mbështetje e ndihmë, nuk e vrasin foshnjën. Nuk mjafton ligji: duhet më shumë ndërgjegje, më shumë ndihmë, më shumë solidaritet!”.

11 gusht 2018, 11:11