Kërko

2018.07.06 Card. Tauran Jean-Louis 2018.07.06 Card. Tauran Jean-Louis 

Pikëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Tauran

Ndërroi jetë kardinali Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. Ishte 75 vjeç. Papa Françesku, zgjedhjen e të cilit Kardinali i ndjerë ia pati kumtuar botës më 2013, i dërgon një telegram ngushëllimi së motrës, duke kujtuar besnikërinë dhe dashurinë e Prelatit të lartë, që shkriu gjithë jetën në shërbim të Kishës.

R. SH. - Vatikan

“Burrë me fe të thellë, i vlerësuar sidomos për lidhjet e besimit e të nderimit, që diti të vendosë me botën myslimane”. Janë fjalë mirënjohjeje dhe emocioni, këto të Papës Françesku, për kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe kamerleng i Kishës Shenjte Romake, që vdiq dje pasdite, në SHBA. I lexojmë në telegramin e ngushëllimit, drejtuar së motrës, zonjës Geneviève Dubert,  në të cilin Papa  kujton se ai la një gjurmë të thellë në jetën e Kishës universale, duke u vënë me guxim në shërbim të Krishtit deri në fund të fundit, pa marrë parasysh barrën e rëndë të sëmundjes”.

Kardinali i njdrë ishte 75 vjeç. Kishte shkuar në Connecticut për të mjekuar sëmundjen e parkinsonit, nga e cila vuante prej kohe. Strehohej pranë bashkësisë së Motrave françeskane të Eukaristisë, në kryedioqezën e Hartford.

Më 13 mars 2013 ishte ai që, nga Lozha qendrore e bazilikës së Shën Pjetrit, dha njoftimin për zgjedhjen e Papës Françesku.

U shugurua meshtar më 20 shtator 1969. I thirrur në Romë më 1973, ndoqi studimet pranë Akademisë Papnore Kishtare, ku formohet personeli diplomatik i Selisë së Shenjtë e, më pas, pranë Universitetit Papnor Gregorian, për t’u diplomuar në Drejtësi Kanonike.

Nga marsi i viti 1975 hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. I caktuar në Nunciaturën Apostolike të Republikës Domenikane, deri më 1979, u transferua, më pas, në Nunciaturën Apostolike në Liban. Këtu vijoi misionin deri më 1983, kur u thirr për të punuar pranë Këshillit të Punëve Publike të Kishës.

I zgjedhur kryeipeshkëv-titullar i Teleptes, u emërua Sekretar i Këshillit që, ndonjë muaj më pas, mori emrin Seksioni për Marrëdhëniet me Shtetet i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ku punoi për 13 vjet me radhë.

Gjon Pali II e krijoi kardinal në Koncistorin e 21 tetorit 2003. Më 25 qershor 2007 Benedikti XVI e emëroi kryetar të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, ndërsa më 26 qershor  2013, Papa Françesku e emëroi anëtar të Komisionit Papnor  mbikqyrës  të Institutit për Veprat e Fesë (IOR).

La pas shumë fjalë të urta, ndërmjet të cilave: “Diplomat i vërtetë është ai, që di të rrijë në heshtje në shumë gjuhë”.

 

06 korrik 2018, 12:55