Kërko

 Kina: Pekini Kina: Pekini 

Vatikani e Kina: dialog e bisedime

Bashkësia katolike kineze, njëheresh me ipeshkvijtë e saj - të njohur e të panjohur nga qeveria - është në favor të dialogut me autoritetet. Por dialogu mbetet vetëm teorik, nëse nuk e pranon rrezikun e bisedës së vërtetë për të mirën e të gjithëve, siç nënvizon Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

Dialogu, i hapur e plot respekt, është sjellje, që të krijon mundësinë ta njohësh tjetrin, me ndryshimet e tij, ta pranosh identitetin dhe misionin e tij; duke ecur së bashku, pasurohesh e njëri mbështet tjetrin. Për të dialoguar, duhet të mbrosh vendosmërisht identitetin tënd, por njëkohësisht ta njohësh edhe atë të tjetrit. Dialogu i vërtetë  është në dinamikën e mishërimit: Zoti dialogon me njeriun dhe e kërkon, për të krijuar me të lidhjet e shëlbimit.

Biseda, ndërkaq, sipas Papës Françesku, është udhë praktike, në të cilën njëri kërkon të marrë diçka nga tjetri: bisedimi është përherë një lloj “ndarjeje e tortës”, siç thuhet. Por duhet bërë në një mënyrë, që të gjithë të dalin “fitimtarë”. Prandaj, çdo bisedim e çdo marrëveshje, që pason, janë gjithnjë të papërkryera, të përkohshme, hallka të një procesi të gjatë, që shkon duke u ndërtuar në rrjedhë kohe.

Protagonistë të dialogut: Selia e Shenjtë dhe autoritetet kineze

Në përkim me stilin të tij të komunikimit të hapur e respektues, të pranimit të tjetrit me të gjitha ndryshimet, të njohjes së identitetit e të misionit të secilit, Papa Françesku e ka vijuar angazhimin për promovimin dhe mbështetjen e dialogut zyrtar me Qeverinë kineze. Kështu nisi edhe bisedimi i mirëfilltë, dialogu, që në të vërtetë,  nuk ka qenë kurrë i lehtë. Përkundrazi, ka pasur edhe ndërprerje, madje të ashpra. Ka ndodhur që të dyja palët, nga njëra anë, të përsërisnin qëllimet e mira për të dialoguar e për t’u mirëkuptuar, por më pas, nga ana tjetër, pikërisht në çastin kur duhej arritur mirëkuptimi, gjithçka të ngelej në vend, për shkak të ndonjë pengese të papritur e të paparashikuar.

Ia vlen, në këtë pikë, të pranojmë se një pjesë e mirë e Kinës, e jo vetëm bashkësia “zyrtare”, por edhe ajo “jo zyrtare”, është në favor të dialogut të filluar. Edhe pse të flitet me përqindje, do të ishte e rrezikshme, sepse mund të nxirte në pah mendimin e Ipeshkvijve kinezë, të njohur e të panjohur nga qeveria, që u shprehën në favor të marrëveshjes.

Dialogu, i nevojshëm për misionin e Kishës në Kinë

Një ipeshkëv, i njohur nga qeveria, që e priti shumë pozitivisht dialogun, pohoi se shumica e katolikëve e mbështet Papën dhe dialogun Kinë - Seli e Shenjtë dhe lutet vazhdimisht që  të merren vesh.

Nga ana tjetër, edhe një ipeshkëv, që nuk njihet nga qeveria e quan dialogun gjë e mirë; pastaj, natyrisht, duhen parë faktet, përveç fjalëve; por të shikohesh e të flasësh është shumë më mirë, sesa të mos shikohesh, sepse vetëm duke u parë e duke folur mund të përballohen problemet.

E është pikërisht kjo, dinamika  e artit të vështirë të të dialoguarit: dialogu krijon kushtet për t’u afruar, për ta njohur identitetin e tjetrit. E kështu, duke dialoguar, shkëmbehen mendimet reciproke, të çliruara nga fjalët konvencionale. Dhe është krejt normale që, në dinamikën e dialogut, palët  edhe të largohen, nga që u duket se i dhanë tepër tjetrit, se hoqën dorë nga kërkesat e tyre të ligjshme, se kanë dëshirë t’i motivojnë më mirë dëshirat, që duan të shprehin e të paraqesin.

Dialog me Kinën: “Falë hapave të vegjël e të mëdhenj”

Për të arritur tek zgjidhja e pranueshme për të dyja palët,  ato duhet, në fund të fundit, ta modifikojnë çka është e tepërt në pritjet e tyre. Përsa i takon Kishës, kjo do të thotë se ajo mund të dallojë çka është themelore për fenë e krishterë e çka nuk është. Një dialog serioz dhe i vërtetë mund të funksionojë, kur secila nga palët e pranon palën tjetër, e respekton dinamikën e diskutimit dhe të ballafaqimit ndërmjet mendimeve të ndryshme dhe kërkon të kuptojë arsyet e mira, që janë në bazë  të propozimeve të ndryshme për zgjidhjen e problemeve.

E gjithë kjo mund të jetë edhe tejet e lodhshme. Vetëm me një frymë besimi reciprok e bujarie mund të mbahet ritmi i dialogut gjatë sesioneve të shumta e shpesh edhe kapitëse, që bëjnë pjesë në bisedime. Të dyja palët duhet të ruajnë qetësinë, kur mirëkuptimi duket i largët e, ndoshta, edhe i paarritshëm,  të fuqizojnë hapat e vegjël të afrimit, të mbajnë gjithnjë sjellje pozitive, që ushqen besimin në rritje, në sinqeritetin e palës tjetër.

Siç thotë Papa Françesku: “Realiteti është gjithnjë më i lartë se ideja”.

04 korrik 2018, 11:29