Card. Jean Louis Tauran Card. Jean Louis Tauran 

Të enjten më 12 korrik varrimi i kardinalit të dialogut ndërfetar Jean-Louis Tauran

Më 12 korrik, në Bazilikën e Vatikanit, do të mbahet funerali i Kard. Jean-Louis Tauran, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe kamerleng i Kishës Shenjte Romake. Papa Françesku do të kryesojë ritin e Porosisë së fundit dhe të Përshëndetjes.

R. SH. - Vatikan

Të enjten, më 12 korrik, në orën 10.45, në altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, do të mbahet funerali i Kard. Jean-Louis Tauran, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe kamerleng i Kishës Shenjte Romake, i cili ndërroi jetë më 5 korrikun e kaluar, në Connecticut të SHBA-së, ku kishte shkurar për të mjekuar sëmundjen e parkinsonit, nga e cila vuante prej kohe. Strehohej pranë bashkësisë së Motrave françeskane të Eukaristisë, në kryedioqezën e Hartford. Kardinali i ndjerë ishte 75 vjeç.

Liturgjinë e salikimit do ta kremtojë kardinali Angelo Sodano, Dekan i Kolegjit të Kardinajve, së bashku me kardinajtë, kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë. Kështu njofton sot Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Në përfundim të kremtimit Eukaristik, pra, të Meshës së dritës, Papa Françesku do të kryesojë ritin e Porosisë së fundit dhe të Përshëndetjes.

Burrë me fe të thellë, i vlerësuar sidomos për lidhjet e besimit e të nderimit, që diti të vendosë me botën myslimane”.  Me këto fjalë mirënjohjeje dhe emocioni, Papa Françesku e kujtoi kardinalin e ndjerë Jean-Louis Tauran, në një telegrami ngushëllimi, drejtuar së motrës, zonjës Geneviève Dubert.  Papa Bergoglio   kujton se kardinali Tauran “la një gjurmë të thellë në jetën e Kishës universale, duke u vënë me guxim në shërbim të Krishtit deri në fund të fundit, pa marrë parasysh barrën e rëndë të sëmundjes”.

 

Më 13 mars 2013 ishte pikërisht ai që, nga Lozha qendrore e bazilikës së Shën Pjetrit, dha njoftimin për zgjedhjen e Papës Françesku. U shugurua meshtar më 20 shtator 1969. I thirrur në Romë më 1973, ndoqi studimet pranë Akademisë Papnore Kishtare, ku formohet personeli diplomatik i Selisë së Shenjtë e, më pas, pranë Universitetit Papnor Gregorian, për t’u diplomuar në Drejtësi Kanonike.

Nga marsi i viti 1975 hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. I caktuar në Nunciaturën Apostolike të Republikës Domenikane, deri më 1979, u transferua, më pas, në Nunciaturën Apostolike në Liban. Këtu vijoi misionin deri më 1983, kur u thirr për të punuar pranë Këshillit të Punëve Publike të Kishës.

I zgjedhur kryeipeshkëv-titullar i Teleptes, u emërua Sekretar i Këshillit që, ndonjë muaj më pas, mori emrin Seksioni për Marrëdhëniet me Shtetet i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ku punoi për 13 vjet me radhë.

Gjon Pali II e krijoi kardinal në Koncistorin e 21 tetorit 2003. Më 25 qershor 2007 Benedikti XVI e emëroi kryetar të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, ndërsa më 26 qershor  2013, Papa Françesku e emëroi anëtar të Komisionit Papnor  mbikqyrës  të Institutit për Veprat e Fesë (IOR).

La pas shumë fjalë të urta, ndërmjet të cilave: “Diplomat i vërtetë është ai, që di të rrijë në heshtje në shumë gjuhë”-

10 korrik 2018, 14:03