Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Logo  e vizitës së Papës në Bari Logo e vizitës së Papës në Bari 

Takimi i Barit: kardinali Koch, “nuk mund të përfytyrohet Lindja e Mesme pa të krishterë”.

Sot, në Vatikan, u mbajt Konferenca e shtypit për paraqitjen e Ditës së lutjes për paqen në Lindjen e Mesme, thirrur nga Papa, në Bari, më 7 korrik, me pjesëmarrjen e Krerëve të Kishave ortodokse e lindore.

R. SH. - Vatikan

“Të krishterët do të mbeten në rajon, vetëm nëse do të rivendoset paqja”; “nuk mund të përfytyrohet Lindja e Mesme pa të krishterë”, “duhen mbrojtur të drejtat e çdo njeriu e të çdo pakice” dhe “të vijojë dialogu ndërfetar”. Mbi këto katër bindje krerët e kishave dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme do të reflektojnë në Bari, ku i thirri Papa Françesku më 7 korrikun e ardhshëm. Do të jetë një Ditë lutjeje për paqen.

Lindja e Mesme, tokë e zanafillës së krishterimit - tha kardinali Koch, duke paraqitur nismën në Sallën e Shtypit të Vatikanit - është  një nga zonat e botës, në të cilën situata e të krishterëve vijon të vështirësohet. Për shkak të luftërave e të persekutimeve, shumë familje e braktisin atdheun historik, në kërkim të sigurisë e të ardhmërisë më të mirë. Përqindja e të krishterëve në Lindjen e Mesme  është pakësuar tepër gjatë shekullit të fundit: ndërsa para Luftës I Botërore  përfaqësonin 20% të popullsisë të Lindjes së Mesme, sot mezi arrijnë në 4%.

“Që nga fillimi i krizës - vijoi kardinali Koch - Kisha katolike ka kërkuar vazhdimisht rikthimin e paqes, posaçërisht përmes kërkimit të rrugëzgjidhjes politike . Kjo thirrje ka marrë edhe formën e lutjes e të agjërimit”.

“Rajon i martirizuar, Lindja e Mesme, është edhe vend ku marrëdhëniet ekumenike janë më të forta e më premtuese, posaçërisht ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve e, prania në Bari e Krerëve të Kishave ortodokse e lindore, me ftesën e Papës Françesku për një Ditë lutjeje e reflektimi për paqen, e tregon këtë më së miri.

Lidhur me parimin e dytë, domethënë me një Lindje të Mesme pa të krishterë, kardinali Koch, gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e ngjarjes, shpjegoi: “E jo vetëm për arsye fetare, por edhe politike e shoqërore, sepse të krishterët janë element themelor ekuilibri për rajonin”.

Por kjo kërkon - e është edhe pika e tretë, që preku kardinali Koch - respekt për lirinë fetare dhe për barazinë përballë ligjit, bazuar mbi parimin e qytetarisë,  pavarësisht nga origjina etnike ose fetare. “E ky është përsëritur vazhdimisht nga Kisha katolike, si parim themelor për realizimin dhe mbrojtjen e bashkëjetesës paqësore e të frytshme ndërmjet bashkësive të ndryshme në Lindjen e Mesme”.

Së fundi, u theksua nevoja e ngutshme për vijimin e dialogut ndërfetar, për të cilin Papa Françesku ngulmon posaçërisht në Letrën drejtuar të krishterëve të Lindjes së Mesme: “Sa më e vështirë të jetë situata - shkruan Papa - aq më i nevojshëm është dialogu ndërfetar. Udhë tjetër nuk ka!”.

Besimtarët krishterë të Lindjes së Mesme, janë bij të këtyre tokave të shenjta që, pavarësisht nga vështirësitë, vijojnë të jenë mbartës guximtarë e gazmorë të mesazhit të shëlbimit, të së vërtetës e të bekimit të Zotit. 

03 korrik 2018, 14:52