Kërko

Paolo Ruffini, Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin Paolo Ruffini, Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin 

Ruffini: bashkëpunim i Amecea-s me Dikasterin për Komunikimin

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin u dërgon një mesazh anëtarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (Amecea), mbledhur në Addis Abeba të Etiopisë për asamblenë e 19-të të përgjithshme.

R.SH. - Vatikan

Kisha në Afrikë mund të mbështetet në “bashkëpunimin e vazhdueshëm me Dikasterin për Komunikimin”, për të përhapur jo vetëm “mesazhin e Ungjillit e zërin e Atit të Shenjtë”, por edhe lajmet mbi Kishën “e gjallë” në kontinent, sukseset e saj, si edhe sfidat e dhimbjet. Janë fjalë pozitive e premtuese ato, që Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, u drejton anëtarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore, me rastin e asamblesë së tyre të 19-të të përgjithshme.

Reformë, në shërbim të Ungjillit

Takimi 10-ditor, filluar më 13 korrik në Addis Abeba të Etiopisë, i dha rastin kreut të ri të Dikasterit që, në mesazhin e tij, të kujtojë Asamblenë e veçantë për Afrikën të Sinodit të ipeshkvijve, mbajtur në vitin 1994, ngjarje, që hapi udhën për investime në favor të radiove dioqezane. Vendim “profetik, i guximshëm e largpamës”, që favorizoi bashkëpunimin me Radio Vatikanin. Me ndryshimet e duhura, kjo sinergji vazhdon edhe me mediat e reformuara të Vatikanit.

Vëmendje për vendet me përdorim të paktë të tekonologjisë dixhitale

Konvergjenca e mediave dixhitale, vijon më tej në mesazh Paolo Ruffini, duke vënë në pah një temë të dashur për Papën Françesku, nuk duhet të çojë në braktisjen e atyre vendeve, ku akoma nuk ka hyrë plotësisht teknologjia dixhitale. “Reforma e mediave të Vatikanit – saktëson prefekti në mesazh – nuk synon t’i lërë mënjanë apo t’i braktisë këto vende, një numër i madh i të cilave ndodhet në Afrikë. Radio Vatikani vijon të transmetojë në platformat e reja dixhitale, por ruan edhe transmetimet tradicionale si: frekuencat e valëve të shkurtra drejt vendeve, që kanë akoma nevojë për këtë shërbim”.

Dritë shprese e paqeje për Afrikën

Prefekti i Dikasterit për Komunikimin nënvizon, së fundi, edhe përkimin e bukur ndërmjet takimit të Amecea-s në Addis Abeba dhe shprehjes së dëshirës për paqe ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë. Në mesin e sa e sa konflikteve, siç kujtoi Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të 1 korrikut, dëshira për dialog ndërmjet dy vendeve të Bririt të Afrikës përfaqëson një “dritë shprese për gjithë kontinentin afrikan”.

16 korrik 2018, 17:14