Kërko

2017.12.22 cardinale pietro parolin 2017.12.22 cardinale pietro parolin 

Kard. Parolin: të bashkojmë forcat për të shpëtuar tokën, para se të jetë tepër vonë!

Filloi, në Vatikan, me fjalimet e kardinajve Parolin e Turkson, Konferenca ndërkombëtare për mbrojtjen e Tokës, Shtëpisë sonë të përbashkët, në trevjetorin e Enciklikës së Papës Françesku, “Lëvduar qofsh!”.

R. SH. - Vatikan

Ishin fëmijët e shkollave fillore e të mesme të Nomadelfias, ata që e hapën Konferencën ndërkombëtare “Saving our common home and the future of life on Erth”, që filloi sot në Vatikan, në Sallën e Re të Sinodit, me rastin e trevjetorit  të Enciklikës së Papës Françesku “Laudato si’”.

T’i përgjigjemi konkretisht thirrjes së Papës Françesku

“Ka ardhur koha t’i përgjigjemi konkretisht thirrjes së Papës Françesku për ta mbrojtur shtëpinë e përbashkët, para se të jetë tepër vonë!” Këtë nënvizoi kardinali  Pietro Parolin në konferencën e hapur sot, në Vatikan, organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Lidhur me kujdesi për ruajtjen e mjedisit, këndej të krijimit, sipas kardinalit Parolin, enciklika e Papës ‘Laudato si’’ është "një kontribut i fuqishëm për t’u ballafaquar me sfidat vendimtare në fushën e ekologjisë".

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin kujtoi se, që nga  botimi i saj, Enciklika u mbështet fuqimisht nga besimtarët, e jo vetëm nga të krishterët, si dhe nga bashkësia shkencore. E, në vijim, vuri theksin mbi temën e ekologjisë së gjithanshme dhe të ndërvartësisë, në qendër të dokumentit papnor. Kardinali Parolin theksoi me forcë se kujdesi për ambientin dhe drejtësia për të varfërit shkojnë krah për krah. E, në vijim shpjegoi se katastrofat mund të shmangen vetëm përmes progresit ekonomik. Papa Françesku - shtoi kardinali Parolin - na kujton se britma e Tokës lidhet ngushtë me britmën e të varfërve e se Enciklika papnore është busulla që tregon rrugën në mbrojtje të Tokës.

Përgjegjësia e breznisë së sotme, në fjalën e kardinalit Turkson

“Breznia jonë ka përgjegjësi të madhe për ardhmërinë e njerëzimit” - i bëri jehonë, në vijim, kardinali Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, që theksoi dramaticitetin e situatës, duke  vënë në dukje se po të vijohet ecja në këtë rrugë, do të dënohen breznitë e ardhshme, e, në fund të fundit, vetë Toka.

“Nëse kjo brezni nuk vepron - kujtoi  pas tij teologu irlandez Sean McDonagh - asnjë bezni e ardhshme nuk do të mund t’i ndreqë dëmet, që i shkaktoi kjo brezni Planetit”.

 

05 korrik 2018, 14:13