14-12-2107 papa Francesco e il Cardinale Kurt Koch 14-12-2107 papa Francesco e il Cardinale Kurt Koch 

Bari: një ditë lutjeje për paqen në Lindje të Mesme

Kard. Koch ta shprehim afërsinë dhe solidaritetin me të krishterët dhe me popujt e Lindjes së Mesme. Papa Bergoglio e ka shumë përzemër këtë Ditë Lutjeje e Reflektimi për Paqen.

R. SH. - Vatikan

Të shtunën më 7 korrik, në Bari të Italisë, do të mbahet një Takim lutjeje për paqe në Lindje të Mesme, sipas dëshirës së Papës Françesku, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë edhe Partiarkët e Kishave të krsihtera të Lindjes.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Sir kardinali Kurt Koch, President i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, flet mbi Ditën e Lutjes dhe të Reflektimit për Paqen në Lindjen e Mesme, e cila "është një ide  shumë e qëlluar që , në të vërtetë, është pjekur prej shumë kohësh, sepse Papa Bergoglio e ka përzemër situatën në Lindje të Mesme. 

Prej kohësh Papa Françesku ka kërkuar të bëhet diçka konkrete për paqen e pajtimin e popujve në Lindje të Mesme e tha se: “koha është pjekur dhe se është e rëndësishme të japim një shenjë konkrete lutjeje për paqen për këtë rajon të botës dhe t’i ftojmë të marrin pjesë edhe të gjitha Kishat tjera - veçanërisht Patriarkët e Kishave ortodokse, lindore e katolike –  më 7 korrik në Bari të Italisë, për t'iu lutur Zotit së bashku për paqe. Prandaj duhet ta bëjmë këtë takim publik një shprehje të afërsisë dhe të solidaritetit për të gjithë të krishterët e për të gjithë burrat e gratë që jetojnë në Lindje të Mesme".

"Lutja jonë drejtuar Zotit është shumë e rëndësishme për të krishterët e Lindjes së Mesme", pohon kardinali Kurt Koch e shton:" kam vizituar dy kampe refugjatësh: në Jordani dhe në Greqi. Dhe këtu njerëzit që takova gjithmonë më kanë thanë: mos na harro, lutu për ne. Pra, Lutja drejtuar Zotit është shenjë e afrimit e solidaritetit tonë ndaj viktimave të luftës, si dhe ndaj të gjithë atyre që vuajnë".

Pak ditë nga mbajtja e Ditës së reflektimit dhe e lutjes për paqen në Lindjen e Mesme, vendosur nga Papa Françesku, më 7 korrik në Bari të Italisë, kardinali Kurt Koch, Kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve, po përgatitet për t’i pritur në qytetin e Shën Nikollës Patriarkët e Kishave Ortodokse Lindore. Letrat e ftesës shkruar personalisht nga Papa  Françesku për të gjithë Patriarkët, janë dërguar pikërisht nga Këshilli Papnor për Bashkimin  e të Krishterëve.

                                                  ******

Nuk është hera parë që organizohen lutje të përbashkëta drejtuar Zotit që të arrihet paqja në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Lutje Hyjit të paqes, që të sjellë mbi Tokë paqen, udhën e së cilës njerëzit duket se e kanë humbur prej vitesh. Lutje për atë paqe, e cila edhe pas sa e sa bisedimesh, tryezash të rrumbullakëta e ecejakesh të pushtetarëve të kësaj bote, duket se nuk arrin kurrë.

Po kujtojmë se një lutje qe mbajtur në qershor të vitit 2014 në Kopshtet e Vatikanit, nga Papa Françesku, me presidentin izraelit Shimon Peresh dhe atë palestinez, Mahmud Abas. Merrte pjesë edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I. 
Asokohe u luten fillimisht hebrenjtë, pastaj të krishterët e më pas myslimanët. Të gjithë, në tri pjesët, që përbënin lutjen, fillimisht i thurnin lavde Zotit për dhuratën e Krijimit e për faktin se i ka krijuar njerëzit, anëtarë të një familjeje të vetme. Më pas, në pjesën e dytë, i kërkohej falje Zotit për të gjitha rastet kur të krishterët, myslimanët e hebrenjtë nuk janë sjellur si vëllezër e motra me njëri-tjetrin, si edhe i kërkohet falje Hyjit për mëkatet kundër Tij e kundër të afërmve. Në pjesën e tretë, lutja që Zoti t’iu dhurojë paqen Tokës Shenjte e t’i shndërrojë të gjithë njerëzit në ndërtues të paqes.

Ja lutja e hebrenjve:
“O Zot, na jep paqen, mirësinë, bekimin, hirin, dashurinë, respektin dhe mëshirën ne, gjithë popullit të Izraelit dhe gjithë botës. Na beko të gjithëve me dritën e Fytyrës tënde, o Ati ynë. Sepse me dritën e Fytyrës Tënde, Ti na ke dhënë o Zot, Hyji ynë, Torah-un e Jetës, dashuri e respekt, ndershmëri e bekime dhe jetë e paqe. Qoftë vullneti yt që të na bekosh të gjithëve me Paqen Tënde”.

Të krishterët zgjodhën një lutje të Shën Françeskut të Asizit:
“O Zot, më bëj mjet të Paqes tënde:
Ku ka urrejtje, bëj që unë të çoj Dashurinë.
Ku ka fyerje, të çoj Faljen.
Ku ka mosmarrëveshje, të çoj Bashkimin.
Ku ka dyshime, të çoj Fenë.
Ku ka gabime, të çoj të Vërtetën.
Ku ka dëshpërim, të çoj Shpresën.
Ku ka trishtim, të çoj Gëzimin.
Ku ka errësirë, të çoj Dritën.
O Mësues, bëj që unë të mos kërkoj aq:
Të ngushëllohem, se sa të ngushëlloj.
Të kuptohem, se sa të kuptoj.
Të duhem, se sa të dua.
Sepse
Duke dhënë, merr;
Duke falur, falesh;
Duke vdekur, ringjallesh për Jetën e Amshuar”.

E ja tani, lutja e myslimanëve për paqen:
“Lavdi Zotit të mëshirshëm, të dhembshur, mbret, shenjt, paqësor, besnik, sovran, i çmuar, i fuqishëm, madhështor, krijues, ideator, formues.
O Zot, Ti je paqe, e paqja vjen prej Teje dhe tek Ti paqja kthehet. Ti je i bekuar e Ti je i lavdishëm, O Zot i shkëlqimit dhe i nderit, na frymëzo, o Zot, me paqe e na zbulo paqen e na bëj banorë të mbretërisë së paqes, ndër ata, që nuk jetojnë me frikë e dhimbje.
O Zot, kërkojmë strehim tek Ti nga padrejtësia e shtypja, nga sulmi i paligjshëm, e ne të kërkojmë, o Zoti ynë, të na udhëheqësh në udhën e drejtë, që të mos humbim e të mos biem, duke besuar në Ty e duke e lëshuar veten në duart e Tua. Na udhëhiq o Zot drejt fjalëve më të përshtatshme, na udhëhiq o Zot drejt veprave më të përsosura, na udhëhiq o Zot drejt një morali më të mirë, sepse askush përveç teje nuk mund të na udhëheqë e Ti je i aftë për gjithë këto gjëra.
O Hyj, na bëj o Zot të prirur për gjithçka është e mirë, kundër gjithçkaje të keqe, të lutemi të na tregosh gjithçka është e mirë dhe e drejtë. Na dhuro o Zot siguri, paqe, qetësi dhe fe, për ne e për njerëzit tanë, për familjet tona, për baballarët e nënat tona, për bijtë e bijat tona, e për të gjithë njerëzimin e të gjitha kombet, për të gjitha krijesat e krijuara madhërisht prej Teje. Na dhuro o Zot të mirën, në këtë botë e në tjetrën e na mbro nga mundimet e flakëve [të Ferrit].
O Zot, na sill paqen në tokën e paqes, o Zoti i shkëlqimit dhe i nderit, zhduke padrejtësinë nga të shtypurit e kësaj toke, ushqeje popullin tënd, që ka uri, e mbroje nga frika, mbaje larg nga e keqja e nga ata që bëjnë të këqija, nga agresorët e padrejtë, o Zot i Botëve”. 

Pas këtyre tri etapave të lutjes në Kopshtet e Vatikanit, vijoi lutja e Papës Françesku dhe e dy presidentëve, atij izraelit, pra hebre e, atij palestinez, pra, mysliman, ndërsa dielli perëndon e Zotit të gjithëpushtetshëm i lartohen nderime e lavdi, me shpresën që Hyji i paqes të dëgjojë lutjen e përgjëruar për paqe në tokën ku lindi, jetoi, vdiq e u ringjall Biri i Tij, Jezu Krishti për shëlbim të gjithë njerëzimit.

02 korrik 2018, 16:42