Kërko

 Bazilika e Shën Nikollës në Bari Bazilika e Shën Nikollës në Bari 

Takimi i Barit: kard Sandri: “Lutja e profecia janë armët e Kishës. Kujtimi i martirëve e i të rrëmbyerve

Të shtunën e ardhshme Papa Françesku do të jetë në Bari, për të rifilluar, me gjithë krerët e Kishave të krishtera, veprimtarinë në favor të paqes, duke nënvizuar kontributin e të krishterëve për zgjidhjen e krizave të mëdha, që mundojnë Lindjen e Mesme dhe popullsitë e tyre.

R. SH. - Vatikan

“Të shtunën e ardhshme do të shkoj në Bari, së bashku me shumë krerë të kishave dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme. Do të jetojmë një ditë lutjeje e reflektimi kushtuar situatës gjithnjë dramatike të kësaj zone, ku shumë nga vëllezërit e motrat tona vijojnë të vuajnë e do të lutemi të gjithë një zëri ‘Paqja qoftë mbi ty!’ (Ps, 122,8). U kërkoj të gjithëve ta shoqërojnë me lutje këtë shtegtim paqeje e uniteti”. Kështu u shpreh Papa të dielën e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, tejet të pasur me thirrje për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, nga Nikaragua në Siri, duke kaluar nëpër Etiopi e Eritre.

Jezusi, me mishërimin e Tij, ndriçoi përvojën e vëllazërisë njerëzore, duke i hapur horizontet për ta mirëpritur çdo njeri, posaçërisht më të varfrit e më nevojtarët. Ai krijoi frymën e vëllazërisë, që kapërcen çdo pengesë ngjyre, gjuhe e kulture, për t’i përqafuar të gjithë njerëzit, kur na mësoi t’i drejtohemi Hyjit, duke e quajtur ‘Ati ynë’!

E, ashtu siç është njoftuar, të shtunën e ardhshme do të jetë në kryeqendrën pulieze, për të rifilluar, me gjithë krerët e Kishave të krishtera, veprimtarinë në favor të paqes, duke nënvizuar kontributin e të krishterëve për zgjidhjen e krizave të mëdha, që  mundojnë Lindjen e Mesme dhe popullsitë e saj. Papa, që nuk di ç’është lodhja, është gjithnjë i gatshëm të lutet për paqen e dialogun në botë. Do të  jetë kështu edhe në Bari, të shtunën, më 7 korrik, për një takim ekumenik me domethënie të madhe, siç e shpjegon për agjencinë Sir, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në mikrofonin e Vatican News:

Kjo ngjarje , që zhvillohet në një qytet-simbol, të hapur për Lindjen, është gjest profetik i dëshiruar nga Papa Françesku i cili, bën pambarimisht thirrje për t’i shpëtuar të krishterët e Lindjes së Mesme si dhe gjithë të krishterët e persektuar. Gjest profetik, i mirëpritur nga krerët e Kishave Lindjes së Mesme, katolikë e ortodoksë. Bari ruan reliket e Shën Nikollës, Shenjt shumë i nderuar nga ortodoksët. Prandaj lutja mbi varrin e tij ka peshë të madhe ekumenike.

Hirësi, me vizitën në Bari Françesku thekson me forcë, atë që ne mund ta quajmë diplomacia e lutjes…

 Lutja e profecia janë armët e Kishës. E do të jetë edhe tema kryesore e takimit, sepse fati i popujve, paqja në botë dhe ardhmëria e Kishës në Lindjen e Mesme është në dorë të Zotit. Takimi i Barit do të nxisë lutjen  për të krishterët e Lindjes së Mesme e të Jeruzalemit - “Paqja qoftë mbi ty!”- këndon Psalmi i cituar nga Papa. E Papa dëshiron që kjo t’i kujtojë mbarë botës kushtet, në të cilat rrojnë këta vëllezër. Lutja ekumenike ka domethënie dhe vlerë të madhe për të krishterët tanë, që kanë vuajtur e vijojnë të vuajnë nga luftërat dhe persekutimet. Në Bari do të jenë të pranishëm patriarkët katolikë të Lindjes së Mesme dhe përfaqësues të ardhur nga qytete si Halebi, simbol i martirizimit, i persekutimit e i dëshmisë së krishterë, në një kohë të tmerrshme lufte, që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë.

Shumë nga këta të krishterë e paguan me jetë fenë e tyre….

Në Bari do të kujtohen gjithë ata, që u vranë, u rrëmbyen, u zhdukën pa gjurmë…

Krerët e Kishave të pranishme në takim do të kenë simbolikisht me  vete të gjitha bashkësitë e besimtarëve, priftërinjve, ipeshkvijve, që vdiqën këto vite lufte. Mendoj për imzot Faraj Rahho, kryeipeshkëv kaldeas i Mosulit, i rrëmbyer dhe i gjetur i vdekur në vitin 2008. Dëshiroj të kujtoj, posaçërisht, njerëzit e zhdukur, për të cilët nuk dihet më asgjë, dy ipeshkvijtë e Halebit, siro-ortodoksin Mar Gregorios Yohana Ibrahim dhe greko-ortodoksin Paul Yazigi, rrëmbyer më 22 prill 2013, atin jezuit Paolo Dall’Oglio e shumë meshtarë të tjerë, që dhuruan jetën e tyre. Të gjithë do të jenë të pranishëm në Bari. Do të kujtohen të gjithë!

 

04 korrik 2018, 12:37