Cerca

Vatican News
Funerali i viktimave në Nikaragua Funerali i viktimave në Nikaragua  (AFP or licensors)

Nikaragua, thirrje e nuncit në emër të Papës: armëpushim e dialog

Nuk ndalet dhuna qeveritare në Nikaragua. Roje në qendrën e Masaya-s, qytet simbol i rezistencës kundër presidentit Ortega. Nunci kërkon të rikthehet dialogu, ndërsa shtohen sulmet kundër Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

Nunci apostolik në Nikaragua, imzot Waldemar Stanislaw Sommertag, në emër të Papës Françesku, bën thirrje t’i jepet fund dhunës, që ka përfshirë vendin nga 18 prilli i kaluar - saktësisht tre muaj më parë - duke shkaktuar deri tani, 360 të vdekur. Opozita kërkon rikthimin e demokracisë dhe dorëheqjen e presidentit Ortega, në pushtet që nga viti 2007 për tri herë radhazi, së bashku me të shoqen Rosario Murillo, e cila është zv.presidente e Nikaraguas.

Shqetësim i thellë i Papës për krizën

         “Në këtë çast tragjik – shkruan prelati në një deklaratë të botuar nga mediat katolike – dëshiroj të shpreh, edhe në emër të Atit të Shenjtë e të Vatikanit, shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë, që po përjeton vendi. Logjikisht, nuk është e pranueshme të mendohet se të vdekurit dhe viktimat e dhunës mund ta zgjidhin krizën politike e të garantojnë të ardhmen e Nikaraguas, në paqe e begati”.

T’i rikthehemi shpejt dialogut

         “Duke derdhur lot për gjithë të vdekurit e duke u lutur për familjet e tyre – vijon nunci – me të gjitha forcat e mia njerëzore e shpirtërore, u bëj thirrje ndërgjegjeve të të gjithëve për të arritur armëpushimin e për të mundësuar kthimin e shpejtë në tryezën e dialogut kombëtar, në mënyrë që të kërkojmë së bashku zgjidhjen e përshtatshme për krizën. Përvujtërisht, të lutemi për mbrojtjen e së Lumes Mari Virgjër, duke i kërkuar ndihmë që ta udhëheqë gjithnjë Nikaraguan tonë të dashur”.

Rënia e Masaya, qytet simbol i rezistencës

         Dje, forcat e policisë dhe paraushtarakët morën në dorë qendrën e Masaya-s, qytet 30 km larg Managuas, simbol i rezistencës kundër presidentit Ortega. Operacioni ushtarak, shkruan gazeta El Nuevo Diario, zgjati shtatë orë, në veçanti në zonën e bashkësisë indigjene të Monimbos, e cila pati 3 viktima e shumë të plagosur, megjithëse bilanci mund të jetë shumë më i lartë.

Sulme në rritje kundër Kishës Katolike

         Në këtë situatë, Kisha Katolike është gjithnjë e më tepër në shënjestër të kërcënimeve e të sulmeve. Kryeipeshkvi i Managuas, kardinali Leopoldo Brenes, u sulmua më 9 korrik, së bashku me nuncin dhe me ipeshkvin ndihmës të Managuas. Një ipeshkëv tjetër, imzot Abelardo Mata, në krye të dioqezës së Estelì-së, shpëtoi për mrekulli nga një atentat, pak ditë më parë. Pavarësisht nga sulmet, prelatët e Nikaraguas, të inkurajuar nga Papa Françesku, vendosën njëzëri të vijojnë dialogun kombëtar. Njëkohësisht, denoncuan “mungesën e vullnetit politik nga ana e qeverisë, për të dialoguar sinqerisht e për të kërkuar proceset e vërteta, që çojnë drejt demokracisë”.

Akuzat e OKB-së kundër presidentit Ortega

         Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antònio Guterres, kritikoi ashpër “forcën e tepërt, ushtruar nga subjekte të lidhura me qeverinë e presidentit Daniel Ortega”, duke nënvizuar se përdorimi i forcës kundër studentëve dhe civilëve bëhet “pengesë për zgjidhjen politike të gjendjes aktuale”. Zyra e Komisarit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut denoncoi edhe mundësinë për ta përdorur ligjin kundër terrorizmit, miratuar kohët e fundit nga parlamenti i Nikaraguas, në dëm të protestave paqësore në vend. Sot, Organizata e Shteteve Amerikane do të votojë një rezolutë për dënimin e dhunës dhe për shpërbërjen e grupeve paraushtarake, që bëjnë ligjin në Nikaragua.

18 korrik 2018, 11:40