Kërko

 Papa pret në audiencë ministrantët gjermanë (2015) Papa pret në audiencë ministrantët gjermanë (2015) 

Në Romë, 60 mijë ministrantë nga mbarë bota, për Shtegtimin e tyre ndërkombëtar

Do të mbahet më 30 korrik deri më 3 gusht, Shtegtimi i 12-të ndërkombëtar i ministrantëve, në Romë. Më se 60 mijë fëmijë, të rinj e të reja, do të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe.

R. SH. - Vatikan

Do të mbahet më 30 korrik deri më 3 gusht, Shtegtimi i 12-të ndërkombëtar i ministrantëve, në Romë. Më se 60 mijë fëmijë, të rinj  e të reja, do të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe, organizuar nga Lëvizja Coetus Internationalis Ministrantium (Cim). 50 mijë prej tyre do të vijnë vetëm nga Gjermania. Të tjerët, nga vende të ndryshme evropiane (Italia, Belgjika, Franca, Kroacia, Luksemburgu, Austria, Portugalia, Rumania, Svicera, Serbia, Sllovakia, Republika Çeke, Ukraina, Hungaria) SHBA-të dhe trojet karaibike si Antigua e Barbuda. Gjithsejt janë 18, vendet pjesëmarrëse.

“Kërkoje paqen e ndiqe pas” (Ps. 34,15b) është motoja e zgjedhur për këtë ngjarje të madhe, që do të arrijë kulmin me audiencën tek Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit, të martën, më 31 korrik. Shtegtarët do t’i shoqërojë imzot Ladislav Nemet, president i Cim dhe i konferencës ndërkombëtare të shenjtorëve Çirili e Metodi. Siç e kujtuam më sipër, rreth 50 mijë pjesëmarrës do të vijnë vetëm nga Gjermania, kryesuar nga ipeshkvi i Passau, Stefan Oster, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për ministrantët e rinj.

Lidhur me këtë shtegtim, u krijua edhe një kanal i posaçëm  YouTube,yt.gorome.de, përmes të cilit, muajt e fundit, shumë të rinj paraqitën clip-et e tyre me deklarata personale mbi temat e paqes, të fesë, të shërbimit në altar, të shtegtimeve. U realizua, gjithashtu, edhe një App,goRome! që kombinon komunikimin dixhital, me elemente të baritorisë rinore, si për shembull, lojën aventurë, kushtuar shenjtit pajtor të ministrantëve, Shën Tarçizit, ose tekste me përmbajtje edukative e shpirtërore, përveç sektorit me informacione, që kanë të bëjnë me shtegtimin në Romë.

29 korrik 2018, 11:43