Kërko

 Të Nderuarit e rinj: Pietro Di Vitale, Giorgio La Pira, Alessia González-Barros y González, Carlo Acutis Të Nderuarit e rinj: Pietro Di Vitale, Giorgio La Pira, Alessia González-Barros y González, Carlo Acutis 

Katër Shërbëtorë të Zotit shpallen të Nderuar: La Pira dhe tre të rinj

Shpallen dekretet për katër Shërbëtorë të rinj të Zotit, që do të bëhen të Nderuar: Giorgio La Pira dhe tre të rinj, Carlo Acutis, Alessia González-Barros y González dhe Pietro Di Vitale

R. SH. - Vatikan

Kisha shpall të Nderuar katër Shërbëtorë të Zotit. Më 5 korrik Papa Françesku priti në audiencë Prefektin e Kongregatës s Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, duke autorizuar Kongregatën për të shpallur Dekretin lidhur me njohjen e virtyteve heroike të Shërbëtorëve të Zotit Pietro Di Vitale, Giorgio La Pira, Alessia González-Barros y González e Carlo Acutis, të cilët bëhen kështu të Nderuar. Të gjithë janë besimtarë laikë. 

Kujtojmë se Shërbëtor i Zotit është titulli që i jep Kisha, pas vdekjes, besimtarëve të shquar për shenjtëri jete ose virtyte heroike, për të cilët ka nisur edhe çështja e lumnimit. Kur hapet procesi dioqezan, njeriu përudhë shenjtërimi, deklarohet Shërbëtor i Zotit. Ipeshkvi cakton postulatorin, që nis të mbledhë dokumente e dëshmi për rindërtimin e jetës  dhe të shenjtërisë të të vdekurit. Objektivi është të verifikohen “virtytet e tij heroike”.

Si përfundon faza e parë e procesit, pritet dekreti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, lidhur me praktikimin e virtyteve të krishtera në mënyrë heroike, ose me martirizimin: në këtë pikë, mund të përdoret  titulli “I Nderuar” .

E sot Kishës iu shtuan pikërisht katër të nderuar të rinj

Giorgio La Pira, i njohur si “kryebashiaku shenjt”, lindi në Sicili, më 9 janar 1904, për ta zhvilluar një pjesë të mirë të veprimtarisë në Firence, ku ishte kryetar bashkie (nga viti 1952 – deri më 1965). Themelore për të, t’u siguronte njerëzve “bukë e hir”. Ishte edhe profesor universitar, studiues, deputet i Demokracisë së Krishterë, ministër, burrë feje e lutjeje, ndërtimtar i vërtetë i paqes. Më 1951 ndërmjetësoi pranë Stalinit për paqen në Kore e, akoma, më 1964, shkoi në SHBA për ligjin mbi të drejtat civile të pakicave etnike; më 1965 ishte në Hanoi, për të takuar Ho Shi Min, për paqen në Vietnam. Të gjithë ata që e njohën, mbetën gjithnjë të prekur në shpirt nga dashuria e tij për të varfërit e, sidomos, nga përvuajtëria e këtij njeriu të madh, që e mbante veten fare të vogël. Që, pas një dite të stërngarkuar me punë, shkonte të flinte në një shtrat hekuri, në një qeli të thjeshtë murgu të kuvendit dominikan të Shën Markut. La Pira ndërroi jetë në Firence, më 5 nëntor 1977.

Carlo Acutis, vdiq 15 vjeç, vite të kaluara në Londër e Milano, ku u përpoq ta përdorte internetin si mjet ungjillëzimi. Arriti të realizojë një ekspozitë virtuale mahnitëse kushtuar mrekullive eukaristike. Ishte vetëm 14 vjeç. Për të Eukaristia ishte qendra e jetës, autostrada drejt Parajsës, për ku u nis më 12 shtator 2006, nga Monza.

Alessia González-Barros y González: Spanjolle, vdiq krejt e re, vetëm 14 vjeçe, nga një tumor malinj, pas një mori operacionesh. E lindur në Madrid më 7 mars 1971, Alexia i ofroi vuajtjet e saj për Kishën e për të tjerët. Vdiq në Pamplonë, më 5 dhjetor 1985.

 Pietro Di Vitale: Jeta tokësore e Pietro Di Vitale përfundoi në moshën 23 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë të stomakut, që e treti dalngadalë, që nga vitet e liceut. Lindi më 14 dhjetor 1916 në Castronovo të Sicilisë, ku edhe vdiq më 29 janar 1940. E kaloi jetën ndërmjet vendlindjes dhe Seminarit kryeiepshkvnor të Palermos. E jetoi jetën e tij të shkurtër me devocion të thellë ndaj të Shenjtnueshmit Sakrament e Zojës së Bekuar, duke qenë anëtar i Veprimit Katolik dhe i të Tretit Urdhër Françeskan. I dhënë fort pas studimit, nuk i harroi kurrë edhe veprat e dashurisë për të afërmin.

 

06 korrik 2018, 17:33