Kërko

 Kardinali Parolin përuron selinë e re të Konferencës Ipeshkvnore të Shën Cirilit e Metodit në Novi Sad Kardinali Parolin përuron selinë e re të Konferencës Ipeshkvnore të Shën Cirilit e Metodit në Novi Sad 

Përfundoi vizita e kardinalit Parolin në Serbi e Mal të Zi

Këto ditë Sekretari i Shtetit të Vatikanit vizitoi Malin e Zi dhe Serbinë, ku u takua me autoritetet politike e kishtare vendase si dhe me bashkësitë katolike të Tivarit, Podgoricës e Kotorit. Kardinali Parolin takohet me presidentin serb Vuçiç: “Të gjindet një kompromis për Kosovën”.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi vizita pesëditore e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin në Mal të Zi e Serbi, ku ishte nga data 27 qershor, deri më 1 korrik. Takimet e fundit,  me autoritetet shtetërore serbe e me atë të Kishës katolike.  E ndër argumente të shumta që u trajtuan, për çështjen e Kosovës, u shpreh urimi që të gjindet një zgjidhje kompromisi për kauzën e saj.

Në Beograd, gjatë takimeve të kardinalit Parolin me drejtuesit e lartë të Serbisë, u shpreh dëshira për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit ballkanik.  Duke biseduar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, kardinali Parolin kujtoi se shpreson që përmes dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës të gjindet një zgjidhje kompromisi për Kosovën, duke respektuar paqen dhe stabilitetin. Njoftimin e jep komunikata e presidencës serbe. Përgjigjja e Vuçiçit ishte: “Serbia po e kërkon kompromisin pikërisht në emër të paqes, por dëshiron të mbrojë edhe interesat e veta kombëtare”.

Në vijim të bisedës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit i solli presidentit serb përshëndetjet e Papës Françesku, duke theksuar vëmendjen e tij të posaçme për Serbinë. Kreu i Shtetit serb e falënderoi Selinë Apostolike për domethënien atribuar tërësisë territoriale të Vendit (kujtojmë se Selia e Shenjtë nuk e njeh Kosovën).

Tema e Kosovës ishte një nga argumentet në bisedime të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me kryeministren  e Serbisë, Ana Brnabic: kardinali Parolin pohoi se e ndjek me vëmendje të veçantë situatën në zonë e, sidomos, dialogun e Beogradit me Prishtinën, duke nënvizuar rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore e fetare  të Kosovës.

U fol gjithashtu edhe për punën e Komisionit mbi veprimtarinë e kardinalit kroat Alojzije Stepinac, përbërë nga specialistë katolikë e ortodoksë, i cili e përfundoi veprimtarinë e vet pa asnjë rezultat konkret. Sekretari i Shtetit dhe Kryeministrja serbe ishin njëmendjeje lidhur me çështjen e komisionit. Pavarësisht nga mungesa e rezultatit përfundimtar, Komisioni - sipas shërbimit të informacionit të qeverisë serbe - pati ndikim pozitive mbi marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse e asaj katolike. Në Beograd,  kardinali Parolin u takua  edhe me Patrikun ortodoks Irinej.

Në përfundim të vizitës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi edhe se Selia e Shenjtë e mbështet çështjen e integrimit evropian të Serbisëduke kujtuar se BE-ja është projekt paqeje, ku jetojnë fe e kombe të ndryshme, ndërmjet të cilave, Serbia dhe e gjithë zona e Ballkanit perëndimor.  

Gjatë vizitës së tij në Novi Sad të Vojvodinës, kardinali Parolin kremtoi Meshën shenjte në Kishën “Emri i Marisë”, me anëtarët e Konferencës Ipeshkëvnore katolike ndërkombëtare të Shën Çirilit e Metodit, që përfshin Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Kardinali Parolin, me këtë rast, bekoi edhe qendrën e re të Konferencës Shën Çirili e Metodi.

Përfundoi, kështu, në Serbi vizita e kardinalit Parolin, e nisur  në Mal të Zi, ku vizitoi Podgoricën, Tivarin e Kotorin dhe u takua me autoritetet më të larta shtetërore e ato kishtare.

“Shkoni përpara! Nuk është e lehtë, por Papa dhe Selia e Shenjtë janë pranë jush”. Me këto fjalë iu drejtua kardinali Parolin bashkësisë katolike të Tivarit, ditën e fundit të vizitës së tij në Mal të Zi. “Jemi pranë jush në vështirësi, por edhe në shpresa”- shtoi, duke shpjeguar qëllimin e vizitës së tij në vendin ballkanik.

Më 29 qershor, sekretari i Shtetit të Vatikanit kremtoi Meshën solemne në katedralen e re të Shën Pjetrit, në Tivar, një nga viset më të lashta  të pranisë së krishterë në brigjet e Adriatikut dhe kujtoi “historinë e vështirë” të bashkësisë katolike.

“Bashkësi plot me gjallëri, siç u pa gjatë Meshës, plot me fe e unitet me Kishën katolike e me Papën”. Kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit u prit nga kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj që shprehu gëzimin e tij të thellë për mbështetjen nga ana e Selisë së Shenjtë, shoqëruar me gëzimin dhe respektin e besimtarëve.

Në vijim kardinali Parolin u takua edhe me besimtarët e dioqezës tjetër malazeze, asaj të Kotorit, kryesuar nga ipeshkvi, imzot Ilija Janjiç 

02 korrik 2018, 13:45