Kërko

Lectio magistralis e kardinalit Pietro Parolin në Akuile Lectio magistralis e kardinalit Pietro Parolin në Akuile 

Kard. Parolin në Akuile: të rinovojmë impenjimin për paqen

“Lufta, humbje për të gjithë. 100 vjet pas fundit të konfliktit të parë botëror”. Ky është titulli i Lectio magistralis, që kardinali Pietro Parolin mbajti dje në Akuile, kryedioqeza e Goricies, me rastin e festës së shenjtorëve Ermacora dhe Fortunato, pajtorë të rajonit Friuli Venezia Giulia.

R.SH. - Vatikan

Katër vjet më parë, ishte vetë Papa Françesku ai, që kujtoi fillimin e Luftës I Botërore, duke kremtuar një meshë në Varrezën Ushtarake të Redipuglia-s. Dje, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur në sallën romake të Akuilesë, në Goricie të Italisë, nënvizoi intuitën profetike të një pape tjetër, atë të Benediktit XV, që u zgjodh papë një muaj pas fillimit të konfliktit. Në një Lectio Magistralis me titull “Lufta, humbje për të gjithë. 100 vjet pas fundit të konfliktit të parë botëror”, kardinali Parolin përmendi fjalët e atij pape për Luftën, të cilën e pati quajtur “vetëvrasje e Evropës” dhe “masakër e kotë”. Selia e Shenjtë pati vendosur të ishte e paanshme, por provoi mbi vete një izolim të madh. Të gjithë, pohoi kardinali, e hodhën poshtë thirrjen papnore për paqen, madje, edhe pjesa më e madhe e Episkopatit evropian. E megjithatë, historia tregoi se Papa e pati kuptuar se ajo luftë nuk do të kishte fitimtarë, por vetëm të humbur.

Me Luftën I Botërore ndryshoi rrënjësisht bota

         Sekretari i Shtetit të Vatikanit rreshtoi dëmet e tmerrshme, që solli lufta, ndër të cilat, jo i fundit, siç thoshte vetë Benedikti XV (Papa, që ndërhyu edhe për pavarësinë e Shqipërisë), ai i transmetimit tek brezi i ri i një “trashëgimie të trishtë të urrejtjes dhe të hakmarrjes”. Skenari botëror ndryshoi, duke mundësuar eksperimentin revolucionar komunist në Rusi e duke prishur ekulibrat e lashta në Lindjen e Mesme, me një krizë, që vijon edhe sot. Mjafton të kujtohet masakrimi i i armenëve, për të cilin u shpik një fjalë e re: “Genocid”. Ndryshuan marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe shtetit e ajo vetë u shndërrua nga një federatë Kishash lokale në organizatën e madhe mbikombëtare, që drejtohet sot nga Selia e Shenjtë dhe Papa. Bota misionare u distancua nga ideologjia koloniale.

Lufta shkatërron gjithçka, sidomos njeriun

         Më pas, kardinali Parolin përmendi veprën e kardinalit Celso Cistantini, që pati kryer detyrën e administratorit apostolik të Fiumes (Kroacia aktuale) në vitet e vështira pas Luftës e, pastaj, delegat apostolik në Kinë. Pikërisht Goricia, tokë kufitare, vërejti kardinali Parolin, është rajoni më i prekur në Itali me ndryshimet e shumta të ekuilibrave. Në përfundim, Sekretarii Shtetit të Vatikanit propozoi fjalët e Papës Franòesku në Redipuglia:

         “Ndërsa Zoti vijon krijimin e tij, e ne njerëzit jemi të thirrur të bashkëpunojmë me veprën e Tij, lufta shkatërron. Shkatërron edhe gjënë më të bukur krijuar nga Zoti: njeriun. Lufta shkatërron gjithçka, edhe lidhjen ndërmjet vëllezërve. Lufta është çmenduri”.

13 korrik 2018, 19:58