Papa takohet me indianët e Amazonës Papa takohet me indianët e Amazonës 

Kard. Hummes: Papa Françesku, frymëzuesi i madh i Sinodit për Amazonën

Kryetari i Komisionit ipeshkvnor për Amazonën shpjegon se sinodi i ardhshëm duhet të përballojë problemet e Kishës në Amazonë, por edhe të mbrojtjes së Shtëpisë së përbashkët. Shqetësimi i Papës Françesku për këtë zonë të pafundme braziliane.

R. SH. - Vatikan

“Amazona: udhë të reja për Kishën e për ekologjinë e gjithanshme”: kjo, tema e zgjedhur nga Françesku për Asamblenë e posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Zonën Panamazonike që, pasi nisi nësa Papa vizitonte Perunë, do të mbahet në Romë, në tetor 2019. Ndërmjet 18 anëtarëve të Këshillit para-sinodal, emëruar nga Papa, që do të bashkëpunojnë me ngjarjen, është edhe kardinali Claudio Hummes i cili, para se të shkonte në Romë për Koncistorin, ishte në Amazonë, që ta sensibilizonte Kishën vendase për sinodin e ardhshëm.

Qëllimet e Sinodit për Amazonën

Sinodi është i thirrur t’i përgjigjet pyetjes nëse Kisha në Amazonë po e zhvillon si duhet misionin e saj, të mendojë për të ardhmen e të shqyrtojë mundësitë e së sotmes. Konkretisht, duhet të gjejë udhë të reja për aktualizimin e ungjillëzimit. Situata është e vështirë - pohon kardinali Hummes - vërtet laikët bëjnë punë të madhe, por meshtarët janë pak e duhet menduar për mbarështimin e sakramenteve.

Mbrojtja e Shtëpisë së përbashkët

Amazona sot është e rrënuar për shkak të projekteve plotësisht shkatrrimtare të zhvillimit. Atëherë Sinodi duhet ta pyesë veten edhe për modelet e zhvillimit, nga të cilat duhet të frymëzohet për ardhmërinë e Amazonës, si dhe të mbarë Planetit. Në Amazonë nuk investohet për bashkësitë vendase - vëren Hirësia e Tij Hummes - por të gjitha pasuritë eksportohen. E nuk duhet nënvleftëuar as fenomeni i trafikëve.

Shqetësimi i Papës për Amazonën

Papa Françesku - nënvizon akoma kardinali Hummes – është  frymëzuesi i madh i Sinodit. Ai, që në fillim të papnisë, u shqetësua thellësisht, me shqetësim sa baritor, aq edhe njerëzor, për Amazonën dhe Kishën e saj. E ky shqetësim u konkretizua me enciklikën “Lëvduar qofsh”, kryevepër e edhe risi, në kontekstin  e shërbesës kishtare.

 

 

03 korrik 2018, 13:00