Kërko

 Papa me kardinalin Baldisseri në takimin parasinodal të të rinjve Papa me kardinalin Baldisseri në takimin parasinodal të të rinjve 

Kard. Baldiseri: Amoris laetitia? Busull

Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve: emërimi i presidentëve delegatë të Sinodit të ardhshëm kushtuar të rinjve, vë në dukje vëmendjen e Papës për periferitë e botës. Të rinjtë duhet të luftojnë, nëse duan ta mbështesin familjen.

R. SH. - Vatikan

Tema e familjes, bashkuar me atë të të rinjve! Kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, na kujton se në videomesazhin  dërguar asamblesë të të rinjve, që vijon në Martinikë, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore e Antileve, Papa dëshiron ta vërë me forcë në dukje këtë lidhje, të ngushtë e të pandarshme. “Papa Françesku u kërkon të rinjve ta mbështesin institutin familjar, që  të mund të vijojë të jetë cak, në të cilin fëmijët e ardhshëm  të mund të rriten të shëndoshë e të mirë” - pohon Baldisseri.

Të ndryshohet familja, pa i harruar rrënjët

Por nëse duam ta mbështesim sa më mirë familjen, duhet ta ndryshojmë. Papa Françesku ua beson këtë detyrë të rinjve, duke i ftuar të mos rrinë ulur, këmbëkryq - kujton kardinali Baldisseri: “Duhet të luftojnë! Ati i Shenjtë  i fton ta bëjnë këtë, kur i nxit të mos rrinë rehat-rehat. Por, me ç’armë mund ta luftojnë të rinjtë këtë luftë, aspak të lehtë?  Arma e parë janë direktivat e drejta, të cilat mund t’i gjejnë në nxitjen apostolike Amoris Laetitia. Pikërisht në kapitullin e katërt, siç ua kujtoi Papa në videomesazh. Njëkohësisht duhet edhe të punojnë, për t’i vënë këto parime në shërbim të së sotmes, por edhe të së ardhmes. Pa i shkulur rrënjët, pa e zhdukur të kaluarën. Sepse pa të - e këtë Papa e shpjegon krejt qartë - nuk ka, as nuk mund të ketë të nesërme. E gjithë shoqëria duhet të japë ndihmesën, që të mos thyhen urat me traditën. E kjo duhet bërë me një përpjekje kolektive.

Emërimi i presidentëve delegatë të Sinodit të të rinjve: Kisha e periferisë bëhet qendër

Sinodi i ardhshëm kushtuar të rinjve, në program më 3 deri më 28 tetor të këtij viti, nuk do ta harrojë, sigurisht, edhe temën e  familjes. Madje, do ta vërë në qendër të vëmendjes - siguron kardinali Baldisseri - edhe pse “në këto dy vjet përgatitjeje e pamë qartë se të rinjtë e kanë shumë për zemër familjen. Është në mendjet e në dëshirat e tyre”.

Papa Françesku, më 14 korrikun e kaluar, emëroi katër presidentët delegatë të Sinodit. Janë: kardinali Louis Raphaël I Sako, Patriark i Babilonisë së Kaldejve, Kreu i  Sinodit të Kishës Kaldease (Irak); kardinali Désiré Tsarahazana, kryeipeshkëv i Toamasina (Madagaskar) dhe Kard. Charles Maung Bo, S.D.B., kryeipeshkëv i Yangon (Myanmar). Entuziast, komenti i kardinalit Baldisseri: “Papa, me këto emërime, deshi të vërë një vulë universale. Të vërë në krye të vendit, fundin e botës!”.

 

17 korrik 2018, 15:04