Imzot Auza Imzot Auza 

Imzot Auza: të ndihmohen të miturit, viktima të konflikteve, për ardhmërinë e paqes

Imzot Bernardito Auza, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, foli dje në New York, në debatin e organizuar nga Kombet e Bashkuara, mbi temën e mbrojtjes së të miturve në konfliktet e armatosura. Duhet të bëjmë më shumë, tha kryeipeshkvi, për t’i rehabilituar fëmijët që shpëtuan nga tmerret e luftës.

R. SH. - Vatikan

Bëhet fjalë për një çështje, siç është mbrojtja e fëmijëve në rrethanat e konflikteve të armatosuara, së cilës Selia e Shenjtë i kushton vëmendje të dorës së parë - kujtoi imzot Auza, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, duke folur dje në New York, në debatin e organizuar nga Kombet e Bashkuara, mbi temën e mbrojtjes së të miturve në konfliktet e armatosura. – E kjo, edhe pse fëmijët janë ata, që vuajnë më shumë nga çdo lloj lufte. “Të trondit fakti që fëmijët vijojnë të gjymtohen, të vriten, të përdoren si shqyte njerëzore” - deklaroi kryeiepshkvi - duke nënvizuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet për t’i shpëtuar e për t’i rikthyer në jetë. E jo vetëm për ardhmërinë e tyre, por edhe për atë të vetë botës. Të heqësh dorë prej tyre  - vijoi - do të thotë të braktisësh bashkësinë e tyre e vendet e tyre. Nuk mund ta humbasim këtë brezni fëmijësh, që jeta e vë përballë rreziqeve të tmerrshme! Dikush duhet doemos ta mbrojë! – theksoi Imzot Bernardito Auza, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB - në debatin e organizuar nga Kombet e Bashkuara, mbi temën e mbrojtjes së të miturve në konfliktet e armatosura.

Agjenda OKB- së për të miturit në konflikte

Imzot Auza kërkoi të bëhet shumë më tepër për t’i mbrojtur fëmijët viktima të konflikteve, duke theksuar çka parashikon për ta agjenda “Children and Armd Conflict”, e miratuar nga OKB-ja, e cila është në gjendje të gjejë edhe mjetet e nevojshme për parandalimin e të gjitha shkeljeve dhe shpërdorimeve kundër fëmijëve, duke garantuar edhe që personat përgjegjës të  deklarohen fajtorë. “Nuk duhet t’i kursejmë përpjekjet që kjo të vihet plotësisht në jetë” - pohoi akoma kryeiepshkvi Auza, duke propozuar edhe disa masa për përmirësimin e situatës dhe rikthimin e të miturve në jetë, pas përdorimit si ushtarë, shfrytëzimit seksual, rrëmbimeve dhe akteve të dhunës, kryer kundër tyre.

Kryesore, për Vëzhguesin e Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, është edukimi e  shkollimi, duke pasur mirë parasysh se t’i mbrosh fëmijët, do të  thotë të parandalosh konfliktet e ardhshme.  

 

10 korrik 2018, 17:01