Funerali i kardinalit Tauran Funerali i kardinalit Tauran 

Funerali i kard. Tauran: Sodano, udhë e ndriçuar nga Lumturitë. Papa kryeson ritin përfundimtar .

Iu kushtua dialogut me të gjithë njerëzit vullnetmirë, duke i shërbyer Kishës, pavarësisht nga barra e sëmundjes. Ky ishte kardinali Tauran, vdekur më 5 korrik, sipas fjalëve të kardinalit Sodano. Në përfundim të Meshës së Dritës, Papa kryesoi ritin e Ultima Commendatio e të Valedictio, rit i porosisë dhe i lamtumirës së fundit

R. SH. - Vatikan

Sot paradite, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit, u kremtua Mesha e Dritës e kardinalit Jean-Louis Tauran. Liturgjia e lamtumirës, që nisi në orën 10.45, e kryesuar nga kardinali Angelo Sodano, Dekan i Kolegjit Kardinalor, u bashkëkremtua nga kardinajtë, kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë e pranishëm.

“Lumturitë e ndriçuan jetën e vëllait tonë të vdekur, duke shndritur si yje mbi udhën e  tij”. Kështu u shpreh kardinali Sodano, në homelinë e Meshës së Dritës. “Ruaj kujtime plot mirënjohje për këtë vëlla, që i shërbeu Kishës së Krishtit, pa  marrë parasysh barrën e rëndë të sëmundjes”- shtoi Kardinali-Dekan, duke dëshmuar, kështu, shpirtin apostolik të sivëllait. Ai - vijoi predikatari - do të mbetet përgjithnjë në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar, ipeshkëv e kardinal,    tërë jetën në shërbim të Selisë Shenjtë, të Kishës e të dialogut me gjithë njerëzit vullnetmirë”. Këto fjalë të kardinalit Sodano u ndoqën, edhe nga përfaqësues të konfesioneve të tjera fetare, të pranishëm në Bazilikë,

Predikatari nënvizoi, më pas, edhe se Kardinali i ndjerë ndoqi udhën e Koncilit II të Vatikanit që, në kushtetutën Gaudium et Spes, kushtuar Kishës në botën bashkëkohore, na kujton se “të gjithë jemi të thirrur për të qenë vëllezër, thirrje, kjo, njerëzore e hyjnore. Pa dhunë e pa mashtrime, mund e duhet të punojmë së bashku për ndërtimin e një bote, që jeton në paqe të vërtetë. E kështu punoi  edhe  i ndjeri Kardinal”.

Në përfundim të kremtimit Eukaristik, Papa Françesku kryesoi ritin e Ultima Commendatio e të Valedictio, rit i porosisë dhe i lamtumirës së fundit

Kardinali Tauran - e kujtojmë - ishte 75 vjeç, 10 nga të cilat, në krye  të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Kishte shkuar në Connecticut (SHBA) për të mjekuar sëmundjen e parkinsonit, nga e cila vuante prej kohe. Strehohej pranë bashkësisë së Motrave françeskane të Eukaristisë, në kryedioqezën e Hartford.

U varros  në Romë, në Bazilikën e Sant’Apollinare, në Termet Neroniane-Aleksandrine, titullar i së cilës ishte.

Me vdekjen  e kardinalit Tauran, Kolegji kardinalor përbëhet nga 225 kardinaj, nga të cilët, 124 zgjedhës e 101 jo zgjedhës.

 

12 korrik 2018, 13:12