2018-05-28 Pellegrinaggio albanesi a Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio 2018-05-28 Pellegrinaggio albanesi a Genazzano - la Madonna del Buon Consiglio 

Figura e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores sëshqiptarëve, vendoset në Kopshtet e Vatikanit

Në ditët e para të korrikut, më 2009, Papa i nderit Benedikti XVI bekoi një figurë të Zojës e Këshillit të Mirë, e cila u vendos në Kopshtet e Vatikanit. O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!

R. Sh. - Vatikanit

Në ditët e para të korrikut, më 2009, Papa i nderit Benedikti XVI bekoi një figurë të Zojës e Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve, realizuar me teknikën e mozaikut, e cila u vendos në Kopshtet e Vatikanit. Është fjala për të njëjtën figurë të mrekullueshme të Zojës, që nderohet me përkushtim të veçantë e që njihet si Zoja e  Këshillit të Mirë, që gjendet në Gjenacan afër Romës, ndër shqiptarë njihet edhe si Zoja e Shkodrës, sepse e vendosur në Kishën rrëzë Kështjellës Rozafa, sot Shenjtërore e mbarë shqiptarëve.

E njëjta figurë e Zojës së Këshillit të Mirë që sipas traditës, më 25 prill 1467, u shkëput nga muri i Shenjtnores për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake e që sot ndodhet në Gjenacan, pranë Romës. E njëjta figurë, e riprodhuar artistikisht, që u rikthye në Shqipëri së bashku me Papën Wojtila më 25 prill 1993. Prandaj, duke bekuar figurën, Papa Benedikti XVI rikujtoi shtegtimin e Papës Gjon Palit II në Shenjtëroren e Gjenacanit, më 22 prill 1993, tri ditë para se shtegtonte drejt Shqipërisë. Në këtë ngjarje fatlume për shqiptarët, ishin të pranishëm edhe autori i mozaikut, Gabriele Mattiaçi dhe bamirësi, Kamilo Anastasi, që financoi punimin, realizuar në Studion e mozaikut të Fabrikës së Shën Pjetrit, në Vatikan.

Ndërsa Figura e Zojës, që ndodhet në Gjenacan, është e pikturuar në një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Qëndron pothuajse në ajër, duke u mbështetur paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Allçia, mbi të cilën është realizuar piktura, është e dëmtuar nga koha në shumë vende. Shekujt i kanë shkaktuar plasa të vogla, por nuk kanë mundur t’ ia zbehin bukurinë e freskinë.  Po të kemi parasysh se në rrjedhë shekujsh pati disa tërmete dhe se gjatë luftës së fundit, një bombë e fuqishme shpërtheu pak metra larg figurës, duke shkatërruar absidën, të lind vetvetiu pyetja: “Si mundi të qëndrojë Ikona, pa rënë copë-copë përdhe?”.

Në këtë figurë, koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu, sepse në Shqipëri asokohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejt flokët. 
Koha kur u krijua kjo kryevepër arti, jo më kot sot e denjë të qëndrojë në Kopshtet e Vatikanit, pranë kryeveprave më të mëdha që krijoi njerëzimi në shekuj, si dhe autori i saj, nuk dihen me siguri. Studiues të shumtë shprehin mendimin se është frymëzuar nga ikona bizantine ‘Zoja e Lume e Ëmbëlsisë’. 

Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua piktura. Augustiniani Atë Sanxhorxho, duke interpretuar imtësisht qëndisjet që zbukurojnë grykën e veshjes së Krishtit Fëmijë, ka arritur t’i lexojë si firmë e shkruar së prapi. Është një emër: “A.Viva”. Atë Sanxhiorxho ka shtruar për diskutim hamendjen se Figura e mrekullueshme e Gjenacanit mund të jetë vepër e artistit venecian, Antonio Vivarini (1415-1476). Kjo hamendje vë në dyshim mendimet, që janë shprehur deri më sot, më shumë të bazuara mbi dëshirat, sesa mbi të dhënat konkrete të historisë së artit, se piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar shqiptarë, që përmenden në veprën e Gelçiçit.

Urata e Papës Gjon Palit II Zojës së Këshillit të Mirë

O Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna jonë e Ëmbël! Ty që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: ktheji sytë e tu mbi këtë komb i cili ka pasur fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve e që Ty të ka nderuar përherë me dashuri të pastër bijësore.
Edhe sot në errësirën e provës ky komb të drejtohet Ty plot shpresë e pret ndihmën tënde amnore.
Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: hidhi sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare të cilët janë duke udhëtuar të ngarkuar me prova e mundime.
Forco të ligshtit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrën e të gjithëve!
Nënë e Shëlbuesit, bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.
Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik do të shikojë të realizuara edhe një herë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij, atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e në paqe! Amen.

16 korrik 2018, 15:25