Kërko

 Pali VI pret në audiencë Aldo Moron, më 25 janar 1964 Pali VI pret në audiencë Aldo Moron, më 25 janar 1964 

Emërohet postulatori për Lumnimin e Aldo Moros

Çështja e lumnimit të Aldo Moros iu besua, kohët e fundit, një domenikani. Flet postulatori atë Gianni Festa.

R. SH. - Vatikan

Çështja e Lumnimit të Aldo Moros iu besua Urdhërit të Domenikanëve. “Aldo Moro - shpjegon atë Gianni Festa, postulator i përgjithshëm i domenikanëve - ishte laik domenikan, terciar i Shën Dedës. Postulacioni duhet të provojë - shton - para së gjithash, cilësinë e lartë të jetës së krishterë të Aldo Moros, domethënë, praktikimin e virtyteve kryesore të krishtera, si feja, shpresa e dashuria. Moro ishte kryetar i Demokracisë së krishterë, kryetar i Këshillit të Ministrave dhe udhëheqës i qeverisë së parë  të qendrës së majtë, më 1963, përbërë nga Dc.(Demokracia e krishterë),Psi (Partia socialiste italiane), Psdi (Partia social-demokrate italiane) dhe e Pri (Partia republikane italiane).

Një politikan - kandidat për nderimet e Altarit! Thua mundet? Në një kohë kur, gjatë debateve politike, dëgjohen emra e cilësi politikanësh që në altare sigurisht as që mendohet se do të mund të lartohen ndonjë ditë… Por  të jesh politikan e shenjt, nuk është aspak e pamundur. Kisha ka disa, duke nisur nga  shën Toma Moro, Pajtor i burrave të shtetit dhe i polikanëve, për të vijuar me Shën Simon Hoa, mjek e kryetar bashkie vitnamez e me italianët Don Luigi Sturzo,  Alcide De Gasperi, Giorgio La Pira… Për të mos kujtuar të tjerë.

Ndërmjet shqiptarëve, na kujtohet menjëherë figura e ndritur të Atë Anton Harapit, OFM, që u zgjodh të kryesonte shtetin shqiptar në kohët më të vështira e u martirizua nga urrejtja për fenë e Krishtit. Kjo, për të kaluarën.  

Hulumtimi dioqezan

U emërova kohët e fundit e jemi në pritje që Vikariati i Romës  ta vlerësojë emërimin tim për të nisur rrugën dioqezane, themelore për praktikën e mëtejshme  të lumnimit të Aldo Moros. Bëhet fjalë - vijon atë Festa, postulator i Çështjes – për të nisur hulumtimet dioqezane, domethënë, për të mbledhur dëshmitë, që do të vlerësohen, më pas, nga Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve. E, si të realizohet kjo, do të ndërtohet profili i ardhshëm i praktikës së Lumnimit.

Moro, laik domenikan

“Çështja  e lumnimit të Aldo Moros iu besua pikërisht postulacionit domenikan, që pak kohë më parë ndoqi edhe çështjen e të Nderuarit La Pira, edhe ai laik domenikan. E edhe Moro hyri në laikatin domenikan që kur ishte student në Bari. Ishte, pra, edhe ai, laik domenikan.

Pali VI, frymëzues i angazhimit politik

La Pira, Giordani, Lazzati, Dosseti, Moro, ishin që të gjithë miq të Papës Montini. Sigurisht magjisteri i Palit VI luajti një rol të dorës së parë në frymëzimin e rinisë italiane të viteve ’30 për t’u marrë me politikë. E kjo ndikoi jo vetëm mbi formimin personal, shpirtëror e fetare, por edhe mbi krijimin e vizionit  të drejtë “mbi  shtetin dhe shërbimin politik”.

Shenjtëria politike

“Politika është fushë e shërbimit për të mirën e përbashkët. Prandaj njeriu i frymëzuar nga Ungjilli mund të shenjtërohet edhe në këtë formë të shërbimit ndaj jetës. Politika nuk është fushë e ndyrë, as vizion manikeist - përfundon atë Festa – për t’u hedhur poshtë”. Përkundrazi, politika - vijon të na e kujtojë Pali VI -  “është një nga format më të larta të dashurisë së krishterë”. Sa nevojë kanë të gjitha kombet për burra shteti, që ecin mbi gjurmët e njerëzve-të shenjtë, si Pajtori i tyre, Tomas Moro!

 

12 korrik 2018, 11:43