Eklipsi i Hënës: universi, me sytë e astronomëve të Vatikanit

Me rastin e eklipsit të sotëm të plotë të Hënës, më i gjati i shekullit, telekamerat e Vatican Media vizituan Spekolën e Vatikanit, nga ku, me shekuj, njerëz të fesë kryejnë veprimtari shkencore e përpiqen t’u japin përgjigje pyetjeve të mëdha, që shtron universi.

R.SH. - Vatikan

Është eklipsi i plotë i Hënës më i gjatë i këtij shekulli. Të nesërmen e zbulimit të një liqeni të madh me ujë të kripur në Mars, ajo e mbrëmjes së sotme është një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme të kohëve tona.

Hëna e kuqe dhe Marsi afër

         Në fazën e mbulimit të plotë, eklipsi do të zgjasë rreth 1 orë e 43 minuta: koni i hijes së Tokës, menjëherë pas perëndimit të Diellit, do ta mbulojë Hënën, që gati do të zhduket. E vetmja pjesë e dukshme do të ketë një ngjyrë të kuqe, edhe kjo jo e zakonshme, për shkak të reflektimit të rrezeve të Diellit në atmosferën e Tokës. Por, nuk është e vetmja gjë, që mund të shihet sot në kupën qiellore, sepse, gjithnjë pas perëndimit, edhe Marsi – planeti i kuq, siç quhet – do të jetë në linjë me satelitin tonë, në një orbitë shumë afër Tokës. Kjo do ta bëjë atë veçanërisht të shndritshëm për sytë e njerëzve. E do të ketë edhe planete të tjera të dukshëm si Venusi, Jupiteri dhe Saturni.

Fenomen tërheqës, që na bën të reflektojmë

         “Ngjarje e jashtëzakonshme, që na nxit të reflektojmë mbi gjendjen e njeriut në gjithësinë, praktikisht, të pafundme”. Kështu komenton, në mikrofonin tonë, kozmologu i Spekolës së Vatikanit apo i Observatorit astronomik të Vatikanit, atë Gabriele Gionti, jezuit. Qe Papa Piu XI ai, që në vitet ’30, zhvendosi Observatorin nga Vatikani - ku qe ngritur më 1532 e rithemeluar më 1891 – në rezidencën papnore të Castelgandolfo-s, duke ua besuar jezuitëve. Tre teleskopë të rinj dhe një laborator për analizat spektrokimike, bënë të mundur studimin e qiellit mbi Romë, larg dritave të qytetit.

Shkenca dhe feja

         Atë Gabriele përshkon historinë shumëshekullore të Spekolës, që sot, e zhvillon pjesën më të madhe të veprimtarisë shkencore në Tucson të Arizonës (SHBA), përmes pajisjeve e teknologjisë moderne të Vatican Observatory Research Group (Vorg) – Grupit Kërkimor të Observatorit të Vatikanit. “Ajo që bëhet në Observator – thekson atë Gabriele – nuk është teologji apo filozofi, por shkencë e pastër”, pasi ky ishte misioni i Observatorit që në fillim, siç mund të shihet në dokumentin themeltar. Më Motu proprio-n e Papës Leoni XIII, “Ut mysticam”, të 14 marsit 1891, Spekola lindi pikërisht për t’iu kundërvënë akuzave se Kisha ishte kundër përparimit shkencor dhe mbante qëndrime obskurantiste.

Pyetjet themelore

         Promovimi i shkencës dhe përhapja e studimeve bëhej e vijon të bëhet, pasi shkenca nuk është kundër fesë. Atë Gionti vëren se pyetjet, që shtrojnë astronomët e Vatikanit, janë të njëjta me ato të shkencëtarëve të tjerë, por thekson se ata “e bëjnë nga një perspektivë të ndryshme, pasi formimi i tyre është meshtarak e rregulltar”. Edhe vetë kërkimi i një jete jashtëtokësore nuk do të thotë të shkosh kundër fesë. “Mund të ndodhë që”, siç pati thënë Galileu e siç përsëriti edhe shën Robert Belarmini, “do të na duhet ta interpretojmë me një hermeneutikë tjetër tekstin biblik në dritën e njohurive të sotme, por sigurisht, Zoti është krijues i universit dhe i të gjitha formave të jetës në të”.

27 korrik 2018, 13:57