Versioni Beta

Cerca

Vatican News
cardinale Parolin in visita a Montenegro stampa locale cardinale Parolin in visita a Montenegro stampa locale 

Kard. Parolin njofton hapjen e zyrës së Nunciaturës në Mal të Zi e viziton komunitetin katolik

Pas takimit me Kryetarin e Parlamentit, kard. Paorlin viziton kryedioqezën e Tivarit. “Me kënaqësi kam mësuar se Mali i Zi, në pluralitetin e tij etnik dhe fetar, është duke azhurnuar legjislacionin e vet që garanton e mbron lirinë fetare, e cila është e pandashme nga çdo liri tjetër”.

R. SH. - Vatikan

Vazhdon vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kard. Parolin në Mal të Zi. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Mal të Zi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit përfundoi takimet me autoritetet e larta shtetërore. Pasi takoi Presidentin e Parlamentit dhe vizitën në kryeqytetin e vjetër, Cetinje, me ministrin e kulturës, pasdite, kard. Parolin nisi vizitën e tij pranë komunitetit katolik të vendit, duke filluar nga dioqeza e Tivarit.

Në mbrëmje, në mjediset e Kishës famullitare të françeskanëve në Tuz, kard. Parolin takoi klerin dioqezan e rregulltarë të kryedioqezës së Tivarit, së bashku me kryeipeshkvin imzot Rrok Gjonlleshaj.

Nesër paradite, në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit, kard. Parolin do të kremtojë Meshën Katedralen e re të Shën Pjetrit, në Tivar, ku do të takohet edhe me popullin e Zotit. Gjithjë nesër, pasdite, kardinali Parolin do të vizitojë edhe dioqezën tjetër të Malit të Zi, atë të Kotorit. Këtu, në Katedralen e Shën Trifonit, do të kremtojë Meshën e do të takohet me klerin dhe popullin e Zotit.

Por, t’i kthehemi takimeve të kardinalit Parolin me autoritetet shtetërore të Malit të Zi, e të ndjekim edhe deklaratën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, ku shkruhet:

"Nga 27 deri më 30 qershor, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kard. Pietro Parolin, po viziton Malin e Zi. Dje, pas takimit me kryeministrin Dusko Markoviç, kardinali lëshoi ​​deklaratën e mëposhtme:

'Para së gjithash, dua të falënderoj sinqerisht Presidentin e Qeverisë lidhur me ftesën që më bëri për të vizituar Malin e Zi. Përzemërsia dhe pritja e ngrohtë e tij janë një konfirmim i miqësisë dhe bashkëpunimit të shumanshëm mes këtij vendi e Selisë së Shenjtë. 

Lidhjet historike dhe dialogu më intensiv, që është zhvilluar në vitet e fundit, janë konsoliduar më tej nga marrëveshja, që u nënshkrua shtatë vjet më parë, e cila mundëson, në respektimin e specifikave që ka Kisha dhe shteti, të trajtohen tema e çështjet me interes të përbashkët. Kjo është shpresa e fortë, e aq më tepër, pas një hapi tjetër për çka u ra dakord. Bëhet fjalë për hapjen e një zyre të përhershme të Nunciaturës Apostolike në Mal të Zi, që të mund t'u japë një nxitje të re e të fuqishme marrëdhënieve dypalëshe si dhe të përforcojë udhëtimin e përbashkët për të mirën e të dy Palëve, të harmonisë, unitetit e solidaritetit.

Falënderoj Autoritetet shtetërore për respektin që tregojnë ndaj komunitetit katolik në Mal të Zi. Edhe pse me përmasa të vogla numerike, ky komunitet ka dhënë dhe synon të japë kontributin e tij në shërbim të mbarë shoqërisë. Në veçanti, komuniteti katolik është i angazhuar për të ndjekur dialogun vëllazëror me ortodoksinë, si dhe për të pasur marrëdhënie të përzemërta me anëtarët e Islamit dhe me grupet tjera fetare të pranishme në vend.

Me kënaqësi mësova se Mali i Zi, në pluralitetin e tij etnik dhe fetar, është duke azhurnuar legjislacionin e vet me qëllim që të nxisë më tej lirinë fetare, e cila është e pandashme nga çdo liri tjetër.

Gjatë vizitës sime janë në program takime të rëndësishme, me Presidentin e Republikës, të cilin që tani e përshëndes plot respekt, dhe pastaj takimet me autoritetet tjera shtetërore e përfaqësues të institucioneve civile.

Edhe takimet e mia me komunitetet katolike dioqezane në Bar dhe në Kotor do të jenë veçanërisht të rëndësishme.

Presidenti i Qeverisë më njoftoi për përparimin që ka bërë Mali i Zi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, Selia e Shenjtë gëzohet për integrimin e vendit në familjen evropiane të popujve të kontinentit, në të cilin historikisht bënë pjesë. Angazhimi i ripohuar në mënyrë të përsëritur nga ana e Bashkimit Evropian drejtuar Ballkanit Perëndimor është një shenjë pozitive dhe shpresohet që, gjatë samitit, në program këtyre ditëve, të forcohet më tej.

Bashkimi Evropian nuk është thjesht një sistem ekonomik e juridik, por mbi të gjitha është një projekt paqeje dhe një komunitet parimesh e vlerash. Duke hyrë për të qenë pjesë e tij - çka sinqerisht shpresoj - Mali i Zi do të mund japë kontributin e tij, si një model social që është në gjendje të mbrojë identitetin fetar dhe kulturor të qytetarëve të vetë, të promovojë bashkëjetesën ndëretnike e ndërfetare, pajtimin e paqen, dhe të mbështesë respektin për mjedisin, "shtëpinë e përbashkët" dhe ligjet e natyrës.

(Deklaratë e Kard. Parolin pas takimit me Kryeministrin e Malit të Zi 27 qershor 2018))

28 qershor 2018, 14:40