Kërko

Selia e Shenjtë vlerësohet në Madrid për një video kushtuar emigrantëve

Fushata e Selisë së Shenjtë për emigrantët dhe refugjatët fitoi çmimin “Strategjia më e mirë shoqërore” në Publifestival të Madridit. Video u realizua nga Dikasteri për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

R. SH. - Vatikan

Fenomeni i emigrimit është dramë e mijëra emigrantëve dhe refugjatëve, që detyrohen të ikin nga luftërat, uria, persekutimi dhe fatkeqësitë ambientale, të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike, që tregohen në një video, paraqitur në Publifestival, Festivali ndërkombëtar i Publicitetit Shoqëror i Madridit, duke marrë çmimin “Strategjia më e mirë shoqërore”. Selia e Shenjtë, që shikon në radhë të parë njeriun, si dhe porositë e Papës Françesku, bëhet përsëri shembull ndërkombëtar lidhur me mënyrën e promovimit me sukses të shndërrimeve shoqërore pozitive, përmes marketingut.

14 folje aksioni

Videoja, që zgjat tre minuta e gjysëm, në 30 gjuhë të botës, e realizuar nga Seksioni i Selisë së Shenjtë “Emigrantët dhe Refugjatët” i Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, prodhuar nga agjencia “La Machi Comunicación para buenas causas”, tregon, me katër folje, aksionin që, sipas Papës Françesku, duhet të jetë në qendër të të gjitha veprimtarive të qeverive, institucioneve dhe njerëzve, që punojnë në fushën e lëvizjes njerëzore: të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh, të integrosh.

Dorëzimi i çmimit

Ceremonia e dorëzimit të Çmimit u mbajt mbrëmë, pranë Teatrit Fernando del Círculo de bellas Artes, në Madrid, me pjesëmarrjen e Agjencive publicitare të mbarë botës, të cilat e duatrokitën kontributin e Vatikanit në këtë drejtim, paraqitur për herë të parë në sesionin e ‘stock-taking’(bilanci) i Paktit Global, kushtuar emigrantëve nga Kombet e Bashkuara, në Puerto Vallarta të Meksikës, më 4 dhjetor 2017, si dhe në Dialogun e Komisariatit mbi sfidat e mbrojtjes të Paktit Global për refugjatët, në Palais des Nations të Gjenevës, më 12 dhjetor 2017.  U paraqit edhe në Selinë e OKB-së, në New York si dhe në shumë vende të tjera të botës.

Përgjigjja e krishterë

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të Çmimit, Atë Michael Czerny, jezuit, zëvendës-sekretar i Seksionit të Selisë së Shenjtë “Emigrantët dhe Refugjatët”, deklaroi: “Papa u jep përgjigje të krishterë e vërtet të qytetëruar nevojave të menjëhershme të të shpërngulurve, nevojtarë për gjithçka. Videoja e përçon këtë thirrje urgjente përmes figurave, lëvizjeve, muzikës. Ne jemi gati të japim ndihmesën për ta përhapur këtë mesazh prekës dhe inkurajues në mbarë botën”.

Spot për “Gaudete et Exultate”

Në të njëjtën ceremoni, u vlerësua me çmim edhe spoti prej dy minuta e gjysëm i Nxitjes së fundit Apostolike të Papës Françesku “Gaudete et Exultate”, kushtuar thirrjes për shenjtëri në botën bashkëkohore, prodhuar nga Vatican Media, gjithnjë në bashkëpunim me agjencinë La Machi

 

16 qershor 2018, 15:18