Kërko

Kardinali Parolin në katedralen e Tivarit në Mal të Zi Kardinali Parolin në katedralen e Tivarit në Mal të Zi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin përfundoi vizitën në Mal të Zi

Përfundoi vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit kard. Parolin në Mal të Zi

R. SH. - Vatikan

Ditën e tretën dhe të fundit të vizitës së tij në Mal të Zi kardinali Pietro Parolin e kaloi në mesin e komunitetit katolik të vendit. Megjithëse i vogël numerikisht - theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, - “komuniteti katolik këtu ka një histori të lavdishme dhe kryen një mision tejet të rëndësishëm shpirtëror për besimtarët e humanitar, për të mirën e mbarë shoqërisë malazeze”.

Në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, sot paradite, kardinali Pietro Parolin kremtoi Meshën e parë në Katedralen e re të Shën Pjetrit, në Tivar, së bashku me kryeipeshkvin e vendit, imzot Rrok Gjonlleshaj, klerin dhe popullin e Zotit të kësaj kryedioqezë shqiptare. Të pranishëm në Meshën e kardinalit, edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare të vendit. Gjithnjë sot, pasdite, kardinali Parolin kremtoi një Meshë të dytë, në Katedralen e Shën Trifonit, në gjirin e kishës dioqezane të Kotorit.

I përzemërt e plot domethënie, takimi i mbrëmshëm, me klerin katolik të kryedioqezës së Tivarit, në mjediset e famullisë së Shëna Ndout, në Tuz.

Pjesa e parë e vizitës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Mal të Zi, iu kushtua takimeve me autoritetet e larta shtetërore.  Në bashkëbisedimet, duke nisur nga Presidenti, te Kryeministri, Kryetari Parlamentit e Ministri i Kulturës, u nënvizuan marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi. Në takimet e përzemërta, u trajtuan edhe shumë argumente të tjera, me interes për të dy shtetet. U fol edhe për përforcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Në veçanti, kardinali Parolin njoftoi për hapjen e zyrës së përhershme të Nunciaturës Apostolike në Podgoricë. Pastaj u fol gjerësisht mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve malazeze e vatikanase në fushën e shkencës, të kulturës e të historiografisë, me një vështrim të veçantë mbi kontributin e dhënë deri më sot, i cili do të vijojë edhe në të ardhmen, lidhur me dokumentet, që ruhen në Arkivat e Vatikanit.

Nesër, më 30 qershor e pasnesër, më 1 korrik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të vijojë udhëtimin e tij nga Mali Zi në Serbi, ku do të ketë takime institucionale me autoritetet shtetërore të vendit në Beograd. Pastaj do të takojë ipeshkvijtë e Konferencës Ndërkombëtare të Shën Cirilit e Metodit e do të bekojë selinë e  re të kësaj Konference, në Novi Sad.

29 qershor 2018, 16:47