Kërko

 Papa shtegtar në Lesbos Papa shtegtar në Lesbos 

Oboli i Shën Pjetrit: për Papën, jeta e krishterë lulëzon në veprat e bamirësisë

Oboli i Shën Pjetrit na kujton se duhet “ta jetojmë bamirësinë me gjeste të vogla, konkrete, me veprat e vogla të mëshirës, që e bëjnë të dukshme e të prekshme, dashurinë e Zotit për njeriun!”.

R. SH. - Vatikan

Si çdo vit, në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, përsëritet takimi me Obolin e Shën Pjetrit, një mbledhje e veçantë lëmoshësh për veprat e bamirësisë së Papës.  

Traditë shekullore

Praktika për të mbështetur materialisht veprat e bamirësisë, është tejet e lashtë - lexohet në faqen e internetit të Lëmoshës së Shën Pjetrit. - Lindi me vetë krishterimin, në përkushtimin dhe kujdesin për më nevojtarët. Në fund të shekullit VIII, anglosaksonët, pas kthimit të tyre në fenë e krishterë, vendosën t’i çojnë çdo vit një ndihmë Papës. Lindi, kështu, ajo, që u quajt “Denarius Sancti Petri” (Lëmosha e Shën Pjetrit), e cila shumë shpejt u përhap në të gjitha vendet evropiane. Pas shumë të përpjetash e të tatëpjetash, Piu IX, me enciklikën Saepe venerabilis të 5 gushtit, e themeloi si praktikë.

Veprat e bamirësisë të Obolit të Shën Pjetrit

Shumë vise të botës kanë përfituar e përfitojnë nga bamirësia e Papës. Nga Haiti, i pushtuar nga kriza humanitare pas tërmetit të 2010-tës, deri tek ishulli grek Lesbo, goditur edhe ai nga një tërmet i tmerrshëm, më 2017. Në këto raste Kisha, falë Obolit, mund t’i ndihmojë njerëzit e dëmtuar, për të rindërtuar jetën. Në rastin e Lesbos, për shembull, u rindërtua fshati ortodoks i Vrisës, duke dhënë kështu, edhe një dëshmi të prekshme vëllazërimi e ekumenizmi. Pastaj vijnë ndihmat dhënë veprave të shumë kongregatave rregulltare në fushën shëndetësore e shkollore: në Afrikën Qendrore u mbështet spitali pediatrik i Bangui, falë edhe ndihmës së spitalit të Krishtit Fëmijë të Romës. Në Jordani u ndihmua një universitet katolik; në Ukrainë, popullsia e vuajtur për shkak të luftës civile. Vjen pastaj, Ruanda, me ndihmën e motrave saleziane, të angazhuara për t’u siguruar shkollimin fëmijëve të varfër e, së fundi, Kurdistani irakian, me 10 bursa studimi në favor të të rinjve të shpërngulur.

“I krishteri - ka theksuar disa herë Papa - jeton për të shërbyer”. Nga Afrika në Azi, janë të shumta veprat e realizuara me të ardhurat nga kjo nismë. E prandaj nuk duhet të pushojmë kurrë së qeni të mëshirshëm. Papa vijon të na ftojë “ta jetojmë bamirësinë me gjeste të vogla, konkrete, me veprat e vogla të mëshirës, që e bëjnë të dukshme e të prekshme, dashurinë e Zotit për njeriun!”.

29 qershor 2018, 15:18