Emetimet e monedhave të reja vatikanase qershor 2018 Emetimet e monedhave të reja vatikanase qershor 2018 

Në monedhat e reja vatikanase, Laokoonti e kupola e Brunelleschit

Emisionet e reja, nën kujdesin e Zyrës Filatelike e Numizmatike të Qytetit të Vatikanit, i kushtohen Pagëzimit; kushtetutës konciliare mbi liturgjinë Sacrosanctum Concilium; Vitit evropian kulturor, me Laokoontin dhe 600-vjetorit të kupolës së Santa Maria del Fiore, në Firence.

R. SH. - Vatikan

Emisionet e reja, nën kujdesin e Zyrës Filatelike e Numizmatike të Qytetit të Vatikanit, i kushtohen Pagëzimit, 10 euro ari; kushtetutës konciliare mbi liturgjinë Sacrosanctum Concilium, 100 euro ari; Vitit evropian kulturor, me Laokoontin,  2 euro bimetalike dhe 600 vjetorit të kupolës së Santa Maria del Fiore, në Firence, 5 euro bimetalike.

Katër subjekte të reja e pasurojnë që sot koleksionin numizmatik të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke tërhequr vëmendjen e shumë koleksionistëve të pasionuar. Monedha e parë, e emetuar nga Zyra Filatelike dhe Numizmatike e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, kremton, si zakonisht, Sakramentin e Pagëzimit, besuar sivjet, artistes Chiara Principe. Mbi vlerën në ar prej 10 eurosh, skulptorja paraqet Jezu Krishtin të zhytur në Jordan, me duar të bashkuara e ujin e pagëzimit që i rrjedh mbi kokë.

Monedha dymetalike prej 2 eurosh, në 2018-tën, i kushtohet Vitit evropian të trashëgimisë kulturore, që kremtohet me moton: “Trashëgimia jonë, ku e kaluara takohet me ardhmërinë”. Synimi është që një numër sa më i madh njerëzish të inkurajohen për ta çmuar e për të dhënë ndihmesën e tyre në mbrojtjen e pasurisë kulturore të Evropës, duke fuqizuar ndjenjën e përkatësisë në Evropën e përbashkët. Shteti i Qytetit të Vatikanit zgjodhi të riprodhonte mbi monedhë grupin skulpturor të Laokoontit, një nga veprat e para të lashtësisë greke, që solli në Muzetë e Vatikanit, historinë e lashtë të rënies së Trojës, sipas rrëfimit të Homerit. Rrëfim i skalitur mbi mermer. Shtatorja, e gjetur më 14 janar të vitit 1506 duke gërmuar në një vreshtë mbi kodrën e Opios, u ble nga Papa Juli II, që e solli në Vatikan. Më pas, në Oborrin e shtatoreve, sot Oborri tetëkëndësh, u formua një nga bërthamat më të rëndësishme të skulpturës së lashtë, që do të ndikonte fuqimisht mbi kulturën artistike të shekujve pasues. Prandaj vendosja e Laokoontit konsiderohet akt themelues i Muzeve të Vatikanit. Monedha bimetalike përkujtimore  prej 2 eurosh, realizuar nga Daniela Longo, propozohet në dy variante. Mbi monedhën prej 5 eurosh, kupola e Santa Maria del Fiore, katedralja e Firences, një nga veprat më të shquara të gjithë Rilindjes. Kupola tetëkëndëshe u realizua ndërmjet 1418-tës e 1436-tës, sipas projektit që arkitekti fiorentin Filippo Brunelleschi e paraqiti në konkurs, në vitin 1418. Më 25 mars të vitit 1436, katedralja fiorentine u kushtua nga Papa Evgjeni IV.

Gjithë këtë histori arti e kulture na kujtojnë monedhat e vogla të numizmatikës vatikanase.  

04 qershor 2018, 18:33