E Lumja Maria e Zënies së Zojës E Lumja Maria e Zënies së Zojës 

Në Francë u lumnua Nënë Maria, themeluese e Marianisteve

Një e Lume e re i shtohet Kishës Katolike: Maria e Zënies së Zojës, themeluese e Marianisteve, lumnuar dje, në Francë

R. SH. - Vatikan

Adèle de Batz de Trenquelléon lindi më 10 qershor 1789, një muaj e katër ditë  para marrjes së Bastijës. Për shkak të revolucionit, familja e saj u detyrua të mërgojë, një herë në Spanjë e, më pas, në Portugali. Një nga etapat e endjes ishte dhe Shën Sebastiani, në kufirin ndërmjet Francës dhe Spanjës, ku Adela mori edhe Kungimin e parë. Në vijim, së bashku me mikeshën e saj, Zhanë Dishé, krijoi “Shoqërinë e vogël”, që kishte për qëllim ripërhapjen e krishterimit fshatrave. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç e gjysëm. Pasi zbuloi se kjo Shoqëri ishte shumë e afërt me Kongregatën mariane, nisur nga atë Gijom-Jozef Kaminadë në Bordò, u njoh me të. Dalëngadalë, nën drejtimin e rregulltarit, zelli i saj apostolik gjeti shprehjen në krijimin e bashkësisë së parë fetare femërore, themeluar nga Adela në vitin 1816, në Agen. Lindën, kështu, Bijat e Marisë  të cilave, më pas, iu shtua edhe titulli i Zojës së Papërlyer. Ndërsa sot njihen si Motrat marianiste. Nënë Maria e Zënies së Zojës, siç u thirr pasi bëri kushtet rregulltare, vdiq më 10 janar 1828, në Agen të Francës. Ishte 38 vjeçe. Procesi dioqezan i lumnimit të saj u hap më 1965, në Agen, ndërsa më 5 qershor 1986 u deklarua e Nderuar. U lumnua sot, në mjediset e  Parkut të Ekspozitave, në Agen. Kujtimi i liturgjik Nënës së parë të Marianisteve do të kremtohet më 10 janar, dita kur lindi për qiell. Trupi i së Lumes së re pushon në paqe në korin e Kapelës së Institutit  të Shenjtes Fe, në Agen.

 

10 qershor 2018, 10:41