Kërko

 Funerali i kardinalit nikaraguens, Obando Bravo Funerali i kardinalit nikaraguens, Obando Bravo 

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit Bravo

Ngushëllimet e Papës Françesku për vdekjen e kryeipeshkvit të nderit të Managuas, kardinalit Obando Bravo. Ishte 92 vjeç. Për ndërmjetësimin e tij gjatë viteve të luftës civile qe deklaruar nga asambleja kombëtare “Atë i paqes dhe i pajtimit”.

R. SH. - Vatikan

Në një telegram, Papa shpreh ngushëllimet për vdekjen, dje, në Nikaragua, të kardinalit Miguel Obando Bravo, kryeipeshkëv nderi i Managuas. Ishte 92 vjeç.

“Barí që, në vite e me besnikëri fisnike, e shkriu gjithë jetën në shërbim të Zotit e të Kishës”. Kështu shprehet Papa Françesku në telegramin e ngushëllimit, drejtuar kryeipeshkvit aktual të së njëjtës dioqezë, kardinalit Leopoldo José Brenes Solorzano. Papa lutet për shpirtin e tij, që Zoti t’i japë kurorën e lavdisë, e cila nuk fishket kurrë”.

Atë i paqes dhe i pajtimit

Lidhur me angazhimin e të ndjerit për t’i dhënë fund luftës civile, që e tronditi thellë vendin latino-amerikan nga viti 1961, në vitin 2016, Asambleja kombëtare e deklaroi Kardinalin Bravo “Atë i paqes dhe i pajtimit”. Kryeipeshkvi i Managuas u dallua për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si në epokën e diktaturës të së djathtës, kryesuar nga Somoza, ashtu edhe gjatë regjimit sandinist të së majtës. Të shumta, organizatat ndërkombëtare, që e nderuan me tituj të ndryshëm për veprimtarinë e tij të shquar baritore dhe humanitare.

Salezian i diplomuar në disa disiplina

I lindur në La Libertad (Chiontales), në dioqezën e sotme Juigalpa, më 2 shkurt 1926, u shugurua meshtar më 10 gusht 1958, nësa ndiqte kurset e Kolegjit Salezian të Granadës, për t’ u diplomuar në latinisht e greqisht, në San Salvador. Pasi studioi teologji në Guatemala, vijoi të ndiqte kurset e psikologjisë së thirrjes në Kolumbi, Venezuelë e Romë.

I shuguruar meshtar më 10 gusht 1958, dha, më pas, mësimin e matematikë-fizikës në shkollat e larta të Nikaraguas e El Salvadorit.

Si u emërua nga Pali VI ipeshkëv titullar i Puzia di Bizacena më 1968, u shugurua ipeshkëv më 31 mars të të njëjtit vit. Pasi kreu disa detyra shumë të rëndësishme në Kishën e vendlindjes, Gjon Pali II e krijoi kardinal në Koncistorin e 25 majit 1985. Që nga 1 prilli 2015, ishte kryeipeshkëv nderi i Managuas.

 

04 qershor 2018, 14:29