Koncistori i mbledhur nga Pali VI , më 25. 02. 1965  Koncistori i mbledhur nga Pali VI , më 25. 02. 1965  

Koncistoret dhe kardinajtë: shtegtim retrospektiv në kohë

Zanafilla e Koncistorit dhe figura e kardinajve: kthim mbrapa në kohë, për të kuptuar pasurinë e ditëve tona.

R. SH. - Vatikan

Sot, në Koncistorin e zakonshëm publik, Papa Françesku  krijon 14 kardinaj të rinj. Histori, kjo, e kardinalatit, që ka origjinë të largët në kohë. Fjala vjen nga “cardine”, “menteshë” - domethënë, pika ku hapet porta. Roli i kardinajve lidhet ngushtë jo vetëm me zgjedhjen e Papës. Kardinajtë janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Atit të Shenjtë në rolin e tij si bari i Kishës universale, siç na e shpjegon Kodi i së Drejtës Kanonike lidhur me këtë rol.

Si krijohen kardinajtë

Në Kishën e lashtë Papa kishte si bashkëpunëtorë meshtarë, që kujdeseshin për kishat më të vjetra të Romës; diakonë, që mbarështonin Pallatin e Lateranit dhe shtatë departamentet e Romës si edhe ipeshkvijtë e dioqezave pranë Romës. Prej këndej, origjina e kardinajve dhe e tre urdhërave: kardinaj ipeshkvij, kardinaj meshtarë dhe kardinaj diakonë. Nën papninë e Nikollës II, në vitin 1059, Papa nisi të zgjidhej vetëm nga radhët e kardinajve të Romës, e jo më nga kleri i Dioqezës së Romës. Në vitin 1179 Papa Aleksandri III e zgjeroi, pastaj, këtë të drejtë për të gjithë kardinajtë. Pikërisht në shekullin XII filluan të emërohen kardinaj edhe prelatët, që banonin jashtë Romës.

Kush mund të krijohet kardinal?

Në të kaluarën edhe laikët mund të emëroheshin kardinaj e menjëherë pas, merrnin edhe shugurimin diakonal, por në vitin 1918, Benedikti XV vendosi që të gjithë kardinajtë të shuguroheshin meshtarë. Sot kardinajtë mund të zgjidhen lirisht nga Papa, ndërmjet klerikëve që kanë marrë të paktën presbiteratin. Tre papët e fundit lartuan në dinjitetin kardinalor  edhe meshtarë me moshë mbi 80 vjeç, të cilët nuk kanë të drejtë vote në Konklav, domethënë as nuk zgjedhin e as zgjidhen. Roli i tyre është këshillues.

Koncistori

Kardinajtë e rinj krijohen në Koncistor. Duke u kthyer mbrapa në kohë,  kujtojmë se termi vjen nga Roma e lashtë. “Koncistori i shenjtë” quhej këshilli privat i perandorit, i përbërë nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Koncistoret, pra, janë takime të Kolegjit Kardinalor. Mund të jenë të zakonshme e edhe të jashtëzakonshme: të parët, vetëm me pjesëmarrjen e kardinajve rezidentë në Romë; të dytët, me pjesëmarrjen e të gjithë kardinajve. Ky për krjimin e kardinajve është Koncistor i zakonshëm publik. Interesante të dish se jo të gjithë emrat e kardinajve bëhen të njohur. Ka edhe raste kur nuk u kujtohet emri, për arsye të ndryshme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të emëruarit. Quhen “in Pectore” - që i ka në zemër Papa, pa pasur nevojë t’i bëjë publikë.

Konklavi

Konklavi është mbledhja e kardinajve, për të zgjedhur Papën. Ndërsa në shekujt e parë numri lëkundej ndërmjet 20 e 40 kardinajve, nën papninë e Sikstit V, në vitin 1586, arriti në 70 e, së fundi, nën Palin VI, në 120. Numër ky, i konfirmuar, me pak ndryshime, edhe nga pasardhësit. Para koncistorit të sotëm, kardinajtë ishin 212, 114 zgjedhës e 98 jo zgjedhës. Sot këtij numri iu shtuan 14 kardinaj të rinj, nga të cilët, 3 jo zgjedhës. Kardinajtë e sotëm vijnë nga të pesë kontinetet e, saktësisht, nga 83 vende.

Simbolet

Shenjat simbolike të krijimit kardinalor janë dorëzimi i një kishe të Romës (Titulli ose diakonia), unaza, në përdorim që nga shekulli XII, dhe kësula  e kuqe. Ngjyra e veshjes kardinalore, ngjyrë gjaku, është simbol i gatishmërisë për t’u martirizuar  për Krishtin.

Papa Françesku dhe kardinajtë

Në koncistoret që ka mbajtur, Papa Françesku u ka kujtuar gjithnjë  Kardinajve të rinj thirrjen e tyre: “Të shërbejnë!”. “Krishti nuk ju thirri  të bëheni “princa” në Kishë, nuk ju ftoi të uleni njëri më të djathtën e tjetri më të majtën e  Tij. Ju ftoi të shërbeni si Ai e me Të. T’i shërbeni Atit qiellor e vëllezërve -  thekson vazhdimisht Papa - e posaçërisht, në Koncistorin e zakonshëm publik të 28 gushtit të vitit të kaluar, i ftoi kardinajtë edhe për ta shkrirë jetën për njerëzit, si “shenjë  pajtimi”. “I dashur vëlla kardinal - theksoi Françesku më 2016, duke u takuar me kardinajtë -  udha drejt qiellit nis në ultësirë, në të përditshmen e jetës së thyer e të ndarë, një jete shpesh herë të shkrirë deri në pikë e fundit e të  dhuruar. Në dhuratën e përditshme e të heshtur të kësaj, që jemi. Kulmi i jetës sonë është kjo cilësi e dashurisë, caku, dëshira për të kërkuar në  fushën e jetës, së bashku me popullin e Zotit, me të gjithë njerëzit, për t’i shndërruar në njerëz të aftë për falje e pajtim. E akoma, më 2015-tën,  u kujtoi neo-kardinajve se thirrja e tyre është të jenë njerëz të shpresës e të dashurisë së krishterë, e, në Koncistorin e zakonshëm publik të vjetshëm, nënvizoi: “Kisha ka nevojë për bashkëpunimin tuaj e, para së gjithash, për bashkimin tuaj, me mua e ndërmjet jush. Kisha ka nevojë për guximin tuaj, që të kumtojë Ungjillin në çdo rast të përshtatshëm  e  të papërshtatshëm, për të dhënë dëshmi për të vërtetën.

Duhet kujtuar edhe se Papa Françesku, me një Kirograf të vitit 2013, krijoi një Këshill kardinajsh, që zakonisht quhet C9, për ta këshilluar në qeverisjen e Kishës universale  e për t’u propozuar rishikimin e Kushetutës Apostolike Pastor Bonus mbi Kurien Romake.

Kardinajtë shqiptarë

Shpesh herë, para e pasi rifilloi jeta e Kishës katolike në  viset shqiptare,  shumëkush ka pyetur: “A ka pasur, në rrjedhë kohe, ndonjë kardinal shqiptar? Pati disa studiues, që u munduan të vërtetojnë se pati. Një kardinal. Pal Engjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit, në kohët legjendare të Skënderbeut, autor i mirënjohur i dokumentit të parë të shqipes së shkruar, “Formulës së Pagëzimit”. Por historia vërteton se ai nuk u krijua kurrë kardinal, kryesisht për shkak të rrethanave dramatike, në të cilat e kreu detyrën e tij si Kryebari i një populli  të detyruar të mbajë në njërën dorë Kryqin - e në tjetrën shpatën. Për ta mbrojtur pikërisht Kryqin. Dhe identitetin e tyre kombëtar dhe evropian.

Dëshira e lashtë e shqiptarëve, që aq shumë gjak derdhën për fenë e krishterë në shekuj, për të nxjerrë një kardinal nga gjiri, u plotësua me krijimin e një përfaqësuesi të denjë të gjakut të derdhur deri në kohët e vona: Kardinalin Mikel Koliqi.

Mikel Koliqi: (Shkodër, 29 shtator 190228 janar 1997) ishte prift, shkrimtar, muzikant, i martirizuar e kardinal i parë i shqiptarëve. Pas një jete plot veprimtari të pasura kishtare e kulturore si famullitar i Shkodrës, më 3 shkurt 1945 u arrestua nga autoritetet komuniste dhe u dënua me dy vjet burgim, i akuzuar se kishte dëgjuar radio të huaja. E vërteta, pse kishte shumë “mëkate”, të cilat nuk mund të mos dënoheshin nga diktatura komuniste. Ishte prift katolik jashtëzakonisht i zellshëm, tejet i kulturuar, në radhë të parë.  Prandaj do të ishte kalbur në burg edhe pa qenë vëllai i Ernest Koliqit. Burg pas burgu: duke nisur nga vitit 1946, e internim pas internimi në kampet e përqendrimit, nga Gradishta, në Kuç, Gjazë, Beden, Orman, Savër, Ballsh e Zejmen. Një jetë e kaluar 21 vjet në burg e 21 vjet në punë të detyruar. E lartuar nga greminat e burgjeve komuniste, në dinjitetin e Kardinalit. Kur u lirua, më 1986 për arsye moshe, Zoti i hapi një rrugë të re, të jashtëzakonshme, duke vërtetuar se për atë të Lumin nuk ka  gjë të pamundur. Më 26 nëntor 1994 u krijua kardinal nga Papa Gjon Pali II, duke u bërë kështu i pari kardinal shqiptar. Ndërroi jetë më 28 janar 1997. Pushon në paqe në kriptën e Katedrales së Shkodrës

Ernest Simoni (18. 10.1928) është kardinali i dytë shqiptar i krijuar më 9 tetor 2016 nga Papa Françesku

Lindi në Troshan, më 9 tetor 1928, në një familje katolike. Në moshën dhjetë vjeçare hyri ne Kolegjin Françeskan, ku qëndroi deri në vitin 1948 kur regjimi komunist mbylli kuvende e kisha, gjatë një vale sulmi anti-fetar. Nga viti 1953 deri 1955 kreu shërbimin ushtarak të detyruar, pastaj më 7 prill 1956 u shugurua meshtar në moshën 28 vjeçare.

Më 24 dhjetor 1963 u arrestua, sepse kishte kremtuar meshë për shpirtin e presidentit amerikan Kenedy. U dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim dhe punë të rëndë për 25 vjet. U lirua pas 18 vitesh dhe rinisi shërbimin meshtarak fshtrave.

Më 21 shtator 2014 u takua me Papën Françesku gjatë shtegtimit apostolik papnor në Shqipëri. Dëshmoi, para Atit të Shenjtë, Kalvarin e Kishës katolike nën  regjimin komunist. I prekur thellë, Papa e emëroi kardinal, së bashku me gjashtëmbëdhjetë prelatë të tjerë, më 19 nëntor 2016, me titullin e Kishës së lashtë romake të Shën Marisë së Shkallës. Me moshë të shtyrë, më se 80 vjeçare, është gjithashtu me të drejtë këshillimore. Ndërkaq vitet e rënda të burgut e të moshës, nuk e pengojnë aspak të vijojë misionin: e tani, jo vetëm nëpër katundet e persekutuara të vendit të vet, por edhe në “katundin” e pafundmë të botës së madhe, ku ftohet shpesh për të çuar dëshminë e shqiptarëve të kohëve tona, që derdhën gjakun për Krishtin.

28 qershor 2018, 11:42