Kërko

 Girandola- fishekzjarret Girandola- fishekzjarret 

Girandola - Rrotulla fishekzjarresh, për fëmijët e Betlehemit

Përsëritet Girandola - Sipas një tradite, që vijon në shekuj në Solemnitetin e Pajtorëve të Romës, Shën Pjetrit e Shën Palit, sonte, në Sheshin romak të Popullit

R. SH. - Vatikan

Sipas një tradite, që vijon në shekuj në Solemnitetin e Pajtorëve të Romës, Shën Pjetrit e Shën Palit, sonte, në Sheshin romak të Popullit, do të përsëritet rikujtimi historik i shfaqjes piroteknike, fryt i gjenisë së Mkelanxhelos. Ndërsa Udha e Pajtimit është shtruar me një qilim shumëngjyrësh lulesh, që krijonë figura biblike e ungjllore, realizuar nga artistë, mjeshtra të këtij Arti, që nisi në gjysmën e shekullit XVII.

Pikërisht nësa ne transmetojmë, nga Sheshi i Popullit, në qendër të Romës së krishterë, do të  fluturojnë drejt qiellit fishekzjarre e tinguj muzikorë, në festën e tingujve e të dritave, që më parë organizohej në Kështjellën e Shën Engjëllit. Është festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës, e cila i kremton për vit edhe me një festë fishekzjarresh.  Shfaqja, e organizuar së pari në vitin 1481, me rastin e zgjedhjes së Papës Siksti IV, kaloi, më pas, në histori si shpikje e Mikelanxhelos, përsëritur nga Bernini, Vespugnani, Valadier, Posi, Poletti... Pavarësisht nga kalimi i viteve, i vijimit të luftërave, kalimit të pushtetit nga një dorë në tjetrën, ndryshimet e thella historike - fishekzjarret vijuan të rrotullohen drejt qiellit për 400-vjet me radhë.

Fishekzjarre solidariteti

Si çdo vit nisma organizohet në favor të një vepre mëshire. Në të kaluarën mbështeti vazhdimisht nismat e Rojtarisë së Tokës Shenjte, në vendet e Lindjes së Mesme. Edicioni i sivjetëm, i 12-ti, do të mbështesë shoqatën Modavi Onlus, Lëvizjen e Shoqatave të Vullnetariatit Italian. Sivjet fishezjaret do të shndrisin për spitalet e Betlehemit, e në veçanti, për Institutin “Effetà Pali VI” të Betlehemit i cili, që nga viti 1971, mjekon, në Palestinë, një mori fëmijësh lindur të shurdhër.

Drita e tinguj

Rrotullat e zjarrta, që shtillen  drejt qiellit blu romak, duke pikturuar figura fantastike, rrëmbenjëse në bukurinë e tyre, shoqërohen edhe me tinguj muzikorë, që e bëjnë të pashembullt shfaqjen piroteknike, duke u krijuar shikuesve mundësinë të lidhen me radio e smartphone me Radio Vatikanin për të dëgjuar simfonitë. Shkruhen enkas për të shoqëruar fluturimin e fishkezjarreve ngjyryleberi, që lëshojnë dritë-hije misterioze, në muzgun e artë romak, mbi konturet e Pincios, tejet të pasur me histori. Nuk munden, prandaj, të mos e ngacmojnë fantazinë e shikuesit.  

Është aq e bukur kjo shfaqje dritash e tingujsh, sa të quhet “Mrekullia e kohës”. Pati mahnitur, në rrjedhë shekujsh, shumë shkrimtarë të mëdhenj, që patën fatin ta sodisin. Ndërmjet tyre, Dikensi, që e përshkroi në veprat e tij të famshme; e poeti romak Gioacchino Belli, që i kushtoi tingëllimat e tij. Pa kujtuar këtu piktorët, të cilët e përjetësuan në pëlhurë e muzikantët, që e treguan me tinguj.

 

29 qershor 2018, 14:19