Kërko

Corpus domini eucarestia Corpus domini eucarestia 

Eukaristia i mban gjallë besimtarët në këtë botë, ku sundon logjika e pushtetit e pasjes, kundër jetës

Corpus Domini është kthim në misterin e së Enjtes së Madhe së Pashkëve, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit ‘për ta predikuar nga pullazet, atë që Ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës.

R. SH. - Vatikan

Eukaristia i mban gjallë besimtarët në këtë botë, ku sundon logjika e pushtetit e pasjes, kundër jetës. Po të ndalemi te kuptimi dhe historikun i solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit, konstatojmë takimin e rëndësishëm e vendimtar feje për çdo besimtarë e çdo bashkësi të krishterë pikërisht në Eukaristi. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e Gjallë e Vërtetë të Pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Hyjin i cili, në Sakramentin Eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e Korpit e të Gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1).

Kremtimi eukaristik i këtij solemniteti, rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe të Pashkëve, na çon në Çenakull, ku Jezu Krishti themeloi Eukaristinë. 
Corpus Domini është kthim në misterin e së Enjtes së Madhe së Pashkëve, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit ‘për ta predikuar nga pullazet, atë që Ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës. E këtu duhet të  kujtojmë lidhjen e ngushtë, që na dhuroi Krishti, me aktualitetin e të përhershëm të sofrës hyjnore - Eukaristisë, që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin e Korpit e Gjakut të Mësuesit Hyjnor jashtë nëpër rrugë e sheshe, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili edhe sot kalon nëpër rrugët tona njerëzore, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtërihet nga forca e dashurisë së Tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).

Po i kujtojmë edhe disa fragmente nga nxitja pas-sinodale “Sacramentum caritatis”, duke u ndaluar posaçërisht tek fjalët themelore të kremtimit të këtij solemniteti. Së pari t’i shqyrtojmë fjalët “Misteri i fesë”, që meshtari i thotë pas shugurimit të hostes gjatë meshës, për të shpallur misterin e kremtuar e për të shprehur mahnitjen e vet përballë shndërrimit të bukës e të verës në Korpin e në Gjakun e Zotit Jezus, realitet misterioz, që s’e kap dot mendimi.

E këtu vërtetë kemi të bëjmë me një realitet misterioz, i cili i kapërcen kufijtë e mendimit tonë, prandaj nuk duhet të çuditemi që sot shumëkush nuk e ka të lehtë të pranojë se Krishti është vërtetë i pranishëm në Eukaristi. E as që mund të jetë ndryshe. Kështu ka qenë që nga dita kur, në sinagogën e Kafarnaumit, Krishti deklaroi haptazi se kishte ardhur për të na ushqyer me korpin e gjakun e vet. Fjalë tepër të forta këto, përballë të cilave shumë njerëz u tërhoqën dhe e lanë. Si atëherë, edhe sot Eukaristia mbetet shenjë kundërshtie, e nuk mund të mos jetë kështu, sepse një Hyj që flijon vetveten për jetën e botës, e vë në krizë gjithë dijen njerëzore. Por Kisha, me besimin e përvujtë të Pjetrit e të Apostujve të tjerë shpall edhe sot: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Vetëm Ti i ke fjalët e jetës së pasosur” (Gjn. 6,68).

Pastaj nuk duhet të harrojmë se Eukaristia është shujta që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij të Hyjit. Eukaristia, nëse i kujtojmë kohët në të cilat jetojmë, është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë e të zhgënjyer nga sistemet ideologjike dhe ekonomike të kësaj bote, që nuk e mbrojnë jetën e dinjitetin e njerëzve, por përkundrazi e poshtërojnë, në këtë shoqëri bashkëkohore ku sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit, të respektit e të dashurisë së anasjelltë.

E duke kujtuar fragmentin liturgjik, shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës, në të cilin flitet për shumëzimin e bukëve e të peshqve, që mjaftuan për t’i nginjur të gjithë, po  ndalemi shkurtimisht pikërisht tek fjala “të gjithë”, për të nënvizuar me forcë se Zoti dëshiron që “të gjithë” njerëzit të ushqehen me Eukaristinë, të gjithë njerëzit të gëzojnë respektin e dinjitetit njerëzor. Prandaj sot, procesioni dhe adhurimi i përgjithshëm i Eukaristisë, u kujton të gjithëve se Krishti u flijua për mbarë njerëzimin. Kalimi i Tij ndërmjet shtëpive e nëpër rrugët e qyteteve e të fshatrave tona, i fton banorët e tyre të bëhen pjesëtarë të gëzimit, të jetës së pasosur, të paqes, të dashurisë e të shpresës, që buron nga Krishti. Ai është mësuesi e arkitekti i njerëzimit të ri.

E mrekullia e shumëzimit të bukëve e të peshqve  nga ana e Jezusit – siç na kujton Ungjilli - përmban qartë edhe ftesën drejtuar të gjithë njerëzve, për të dhënë kontributin e tyre, për të ecur në rrugët e shenjtërisë e të drejtësisë, për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, nevojtarëve, sepse të gjithë jemi të thirrur të bëhemi, së bashku me Jezusin, bukë e thyer dhe e shpërndarë për jetën e botës. Po përfundojmë këtë meditim duke kujtuar fjalët e shën Gjonit Apostull nga Libri i Zbulesës: “Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”, fjalë që duam t’i mbyllim me një lutje përfundimtare: 
O Bari i Mirë, bukë e vërtetë/, ki mëshirë për ne/. Ti që di e mund të bësh gjithçka/ e që na ushqen mbi këtë tokë, udhëhiqi vëllezërit në tryezën e qiellit/ në gëzimin e shenjtorëve”. Amen

02 qershor 2018, 21:25