Kërko

Indigjenët e Amazonës Indigjenët e Amazonës 

Dokument mbi Amazonën: rrugë të reja për Kishën e për ekologjinë

Një Kishë me fytyrë amazonike: këtë kërkon dokumenti i ri vatikanas, që propozon një “model zhvillimi alternativ, të gjithanshëm e solidar, bazuar mbi etikën e përgjegjësisë, për një ekologji të vërtetë natyrore dhe njerëzore”.

R.SH. - Vatikan

Për Kishën, është themelore “të dëgjojë popujt indigjenë e të gjitha bashkësitë, që jetojnë në Amazonë”. Kjo është premisa e dokumentit përgatitor të Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin panamazonik, në program në tetor 2019. Reflektimi, i përqendruar mbi temën “Amazona: udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme”, lidhet me skenarin aktual, shqetësues, të ekosistemit botëror.

Kultura e hedhurinave: popujt indigjenë të shfrytëzuar

         Pyjet e Amazonës, mushkëri me rëndësi jetësore për gjithë planetin, vuajnë nga ndërhyrja shkatërrimtare e njerëzve, gjë që dëshmon për përhapjen e “kulturës së hedhurinave”, shkruhet në dokumentin vatikanas. 7 milion e gjysëm kilometra katrore, një nga rezervat më të mëdha të biolarmisë dhe më se një e treta e pyjeve të botës: këto janë karakteristikat e Amazonës, e cila shtrihet në disa shtete, si Brazili, Bolivia, Ekuadori, Peruja dhe Venezuela. Në këtë territor jo homogjen, përshkuar nga lumi Rio, njeriut i është dashur të përshtatet me natyrën, ndërsa Amazonës, me sistemet politike e me qëndrimet njerëzore. Dokumenti përgatitor vë në dukje kërcënimin, që u vjen pyjeve amazonike nga interesat e njëanshme ekonomike, të cilat sjellin shkatërrimin dhe ndotjen e ambientit. Kësaj situate, i shtohet plaga e trafikut të drogës dhe ajo e krizës së ekonomisë botërore, që vë në rrezik mbijetesën e indigjenëve. Model, denoncon dokumenti, ku “fitimi është më i rëndësishëm se dinjiteti njerëzor”. Shtimi pa kontroll i veprimtarisë bujqësore, mineralnxjerrëse dhe çpyllëzuese ushqen një zhvillim jo të gjithanshëm e jo gjithëpërfshirës.

Identiteti indigjen

         Në tekstin përgatitor për Sinodin nënvizohet se 3 milion indigjenët e rajonit amazonik përfaqësojnë gati 390 popuj me kombësi të ndryshme, me identitet kulturor të veçantë, me trashëgimi historike specifike, të cilëve u duhet të përballojnë kërcënime kundër territoreve e kundër jetës së tyre. Më të brishtët janë ata, që quhen “popuj indigjenë në izolim vullnetar”, pranë të cilëve Kisha impenjohet përmes misionarëve të saj, por edhe duke e ngritur zërin për të drejtat e gjithë indigjenëve. Në historinë e vet misionare, Amazona ka qenë disa herë vend martirizimi.

Takimi i Papës Françesku me popujt indigjenë

         Dokumenti vatikanas përmend takimin historik të Papës Françesku me popujt e Amazonës, më 19 janar, në Puerto Maldonado të Perusë. “Kemi nevojë për urtinë tuaj – u tha atëherë Ati i Shenjtë – për njohuritë tuaja, që të hyjmë, pa e shkatërruar, në thesarin ku përmblidhet rajoni juaj”. Papa bëri thirrje të merret parasysh mendimi i banorëve të Amazonës, duke u siguruar atyre respekt institucional, njohje e dialog.  Për këtë arsye, është e nevojshme “të ndërtohen ura, që të dinë të bashkojnë dijen e lashtë të këtyre popujve me njohuritë bashkëkohore”, theksohet më tej në tekst. Gjë që kërkon edhe një ndryshim personal, shoqëror e ekologjik.

Hovi misionar në Amazonë: udhë të reja për Kishën

         Kisha është e pranishme në Amazonë e popujt e saj kanë nevojë për barinjtë e Kishës. Asambleja e veçantë e Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin panamazonik, siç përcaktohet në dokumentin përgatitor, duhet të gjejë “rrugë të reja që fytyra e Kishës të marrë gjithnjë e më tepër pamje amazonike, por edhe që ajo t’u përgjigjet gjendjeve të padrejtësisë në rajon, si neokolonializmi i industrive mineralnxjerrëse, i projekteve infrastrukturore, që e dëmtojnë biolarminë dhe imponimi i modeleve kulturore e ekonomike, të huaja për jetën e atyre popujve”.

Model zhvillimi alternativ

         Kisha me fytyrë amazonike duhet “të kërkojë një model zhvillimi alternativ, të gjithanshëm e solidar, bazuar mbi etikën e përgjegjësisë për një ekologji të vërtetë njerëzore e natyrore, të rrënjosur në Ungjillin e drejtësisë, të solidaritetit dhe të destinacionit universal të të mirave materiale, që e kapërcen logjikën utilitariste dhe individualiste, e cila refuzon t’ua nënshtrojë pushtetet ekonomike e teknologjike kritereve etike”. Pra, Kisha duhet të gjejë rrugë të reja e të guximshme, “pa frikë”, siç kërkon Papa Françesku.

08 qershor 2018, 12:37