Kërko

 Fundi i shpërndarësve të drogës Fundi i shpërndarësve të drogës 

Dita kundër drogave. Kard. Turkson: t’u rikthehet të rinjve gëzimi i vërtetë

Kremtohet sot Dita Ndërkombëtare kundër shpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës, themeluar nga OKB-ja më 1987, për të fuqizuar aksionin dhe bashkëpunimin kundër këtij fenomeni shkatrrimtar. Në mesazhin e tij, kardinali Turkson fton të punohet për parandalimin e drogës dhe riaftësimin e viktimave.

R. SH. - Vatikan

"Drama e tmerrshme e drogës është një e keqe, që kërcënon dinjitetin dhe lirinë  e njeriut për të vepruar, duke zhdukur progresivisht në të, figurën që formoi  Krijuesi”.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër shpërdorimit dhe trafikut të paligjshëm të drogave, kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit  për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, e quan “plagë të rëndë”, në mesazhin e rastit.

Njerëz pa skrupuj mbjellin vdekjen

“Kjo plagë - shkruan prefekti - duhet dënuar pa asnjë lëkundje, sepse shkaktohet nga njerëz pa skrupuj që, duke rendur pas fitimeve të lehta, mbjellin vdekje, shuajnë shpresa e shkatërrojnë ardhmërinë e një mori familjesh. Të dhënat vërtetojnë se fenomeni ka përmasa vigane: në vitin 2015, rreth 250 milionë njerëz në botë, kanë përdorur droga e, prej tyre, 30 milionë vuajnë pasojat e këtij përdorimi. Ndërmjet 12 milionë njerëzve, që përdorin droga të injektueshme, më se gjysma vuajnë nga hepatiti C, ndërsa 1,3 milionë janë të prekur edhe nga Sida.

Çdo përdorues i drogës, ka historinë e vet

Sipas kardinalit Turkson, shkaqet që i shtyjnë të rinjtë drejt vartësisë nga droga, duhen kërkuar tek përjashtimi shoqëror, mungesa e familjes, presioni i rrethit, propaganda e trafikantëve, dëshira për të provuar emocione të reja . E kujtoi këtë edhe Papa, në një takim të organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave, kushtuar përdorimit të drogave: “Çdo i droguar ka një histori të vetën, që duhet dëgjuar (…). E çdo njeriu i duhet vlerësuar dinjiteti, që të mund të shërohet”. Prandaj - nënvizon prefekti Turkson - ka rëndësi promovimi i një kulture, që i kundërvihet egoizmit dhe logjikave utilitariste dhe ekonomike e që shkon ta takojë tjetrin, për ta dëgjuar e për ta ndihmuar.

Lumturi  e çastit, që vret

Droga - kujton kardinali Turkson - është lumturi e një çasti. Çast, që vret gjithë jetën. E të rinjtë nuk kanë nevojë për një çast të vetëm, kalimtar, sepse kanë gjithë jetën përpara. Duhet t’i kundërvihen drogës, e cila shumë shpejt bëhet helm, e vret. Prej këndej kardinali Turkson thekson nevojën që t’u propozohen të rinjve programe edukative konkrete, të cilat i zhvillojnë aftësitë e tyre dhe i edukojnë zemrat  me gëzimin, që buron nga thellësitë! Gëzim që nuk vret, por jep jetë. Në mesazhin e tij, kardinali Turkson kërkon punë për parandalimin e drogës dhe riaftësim të të rinjve, të prekur nga kjo plagë. E, duke cituar Papën Françesku - i fton të mos harrojnë se “edhe kur njeriu është rrënuar nga veset, droga a ndonjë gjë tjetër, Zoti vijon të jetë në jetën e  tij” e se “në shpirtin e të gjithëve ka përherë një hapësirë, ku mund të rritet fara e mirë”. Këtë e dëshmojnë shumë të rinj - përfundon kardinali Turkson - që impenjohen ta rindërtojnë jetën e tyre të shkatërruar, duke shikuar plot me besim të ardhmen.

26 qershor 2018, 16:11