Kërko

Ambasadorja e SHBA-ve në Vatikan: Letra e Kolombos i kthehet pronarit të ligjshëm

Pak ditë më parë u organizua një ceremoni, gjatë së cilës Callista Gingrich solli përsëri në Bibliotekën e Vatikanit letrën mbi zbulimin e Amerikës, zhdukur në një datë të panjohur e zëvendësuar me një tjetër, të falsifikuar.

R. SH. - Vatikan

Pak ditë më parë u organizua një ceremoni, gjatë së cilës Callista Gingrich solli përsëri në Bibliotekën e Vatikanit letrën mbi zbulimin e Amerikës, zhdukur në një datë të panjohur e zëvendësuar me një tjetër, të falsifikuar.

“Rikthimi në Vatikan i letrës, shkruar me dorën e Kristofor Kolombit (Epistola de insulis nuper inventis, e vitit të largët 1493), zhdukur në një datë të panjohur dhe zëvendësuar me një tjetër, të falsifikuar mjeshtërisht, “është shembull i lidhjes së ngushtë  ndërmjet SHBA-ve dhe Selisë së Shenjtë”. Këtë nënvizoi  ambasadorja amerikane pranë Pallatit Apostolik, Callista Gingrich, gjatë ceremonisë për dorëzimin e inkunabulit Bibliotekës së Vatikanit, pronare e ligjshme e kësaj “cope” tejet kurioze e të çmuar të historisë së njerëzimit.

Dokumenti është një relacion, që përshkruan me hollësi zbulimin e Amerikës, e cila, për Kolombin, ishte India, mbasi ai deri në fund të jetës, besoi se kishte zbuluar pikërisht rrugën më të shkurtër drejt Indisë. Nuk e mësoi kurrë vlerën kolosale të këtij zbulimi, që ia dorëzonte botës. Letra e lundërtarit të madh u drejtohet mbretit Ferdinand dhe Mbretëreshës Izabela të Spanjës. Teksti u përkthye latinisht e shumë kopje u shpërndanë në mbarë Evropën. Biblioteka e Vatikanit e pati marrë një nga këto kopje në vitin 1921, si pjesë të “Koleksionit De Rossi”, një nga koleksionet më të pasura me dorëshkrime të rralla. Në shtator 2011-lexohet në një note të Ambasadës amerikane, departamenti i hetimeve për sigurimin kombëtar të SHBA-ve, mori, nga një bibliofil, sinjalin se dokumenti i ruajtur në Vatikan, të cilin ai kishte mundur ta shfletonte një vit më parë, në Romë,  e edhe ta krahasonte me kopjet e tjera origjinale të së njëjtës letër, duhet të ishte kopje e falsifikuar. Në vitin 2013, koleksionisti amerikan David  Parsons, i kërkoi bibliofilit një ekspertizë të kopjes së letrës së Kolombos, të cilën e kishte blerë vite më parë, duke paguar për të 875 mijë dollarë. E specialisti jo vetëm që e vërtetoi se ishte kopje e vërtetë, por hamendësoi edhe se ishte pikërisht ajo, që qe zëvendësuar në bibliotekën e Vatikanit. E tani e veja e koleksionistit, zonja Mary Parsons, shprehu dëshirën t’ia dhurojë Papës.

“Duhet të pranoj se mbetëm të befasuar, kur u pyetëm nga autoritetet, më 2012, për këtë libër”- komentoi imzot Jean-Louis Bruges, bibliotekar i Kishës Shenjte Romake, ndihmës i prefektit të Bibliotekës, imzot Cesare Pasini.

“Falë syve të mprehtë të specialistëve dhe hetimit të hollë nga ana e miqve e kolegëve tanë amerikanë, e jo më pak, të bujarisë së zonjës Mary Parsons, tani dihet se libri në Bibliotekën e Vatikanit, nuk ishte origjinali, por falsifikim i bërë me shumë art dhe i vendosur në fondin De Rossi, pikërisht për të mbuluar grabitjen e origjinalit. Nuk dihet me siguri as kur u vodh e as kur u zëvendësua me kopjen e falsifikuar. E aq më pak, si e kapërceu portën e Bibliotekës së Vatikanit një herë, e pastaj edhe oqeanin, si vetë Kolombo, për të rënë në duart e zotit Parson, në vitin 2004, pa asnjë dijeni se kopja e blerë kishte dalë fshehurazi nga Biblioteka papnore.

Teknika e pëdorur nga falsifikatori, e njohur si stereotip, që riprodhon jo vetëm karakteristikat pamore, por edhe ato prekëse, të cilat ndjehen menjëherë nga gishtrinjtë e mësuar me libra të kësaj natyre, është përdorur shpesh në një mori falsifikimesh, në shekullin XIX e XX, prandaj, ndoshta, nuk do të mund ta dimë kurrë kush ishte falsifikatori. Ajo që dimë, është se jemi jashtëzakonisht të kënaqur tani, që po e vëmë përsëri librin e lashtë në vendin e vet, ku do të rrijë në gatishmëri të plotë për t’u shërbyer studiuesve, që vijnë nga të katër anët e botës, për të shfletuar koleksionet e Bibliotekës së Vatikanit.

Kështu Papa e mori përsëri gjënë e vet, gjithnjë me dëshirën për të kënaqur me të, studiuesit që, duke shfletuar pa u lodhur kurrë papiruset e pergamenat e lashta, shkruar në qindra gjuhë të njohura e të panjohura, mundohen t’i tregojnë botës historinë e saj…. Të vërtetën! Jo të falsifikuarën…

24 qershor 2018, 16:40