Cerca

Vatican News
 Mozaiku i Zojës Rruzare, Pajtore e Guatemalës. Mozaiku i Zojës Rruzare, Pajtore e Guatemalës.  (Vatican Media)

Zoja Rruzare, në Kopshtet e Vatikanit

Sot paradite, në Kopshtet e Vatikanit, u zhvillua ceremonia e fronëzimit të mozaikut, që i kushtohet Zojës Rruzare, Pajtore e Guatemalës.

R. SH. - Vatikan

Në praninë e autoriteteve të Vatikanit, të Kishës guatemalase dhe të Trupit Diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë, sot paradite, në Kopshtet e Vatikanit, u zhvillua ceremonia e fronëzimit të mozaikut, që i kushtohet Zojës Rruzare, Pajtore e Guatemalës.

Ceremoninë e fronëzimit e kryesoi presidenti i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, kardinali Giuseppe Bertello. Hirësia e Tij i falënderoi të pranishmit  e më pas e bekoi  figuren e Zojës, pasi u zbulua,

Pajtorja e Guatemalës

Mozaikun e Zojës Rruzare, Pajtore e Guatemalës, mund ta soditësh në një vend, që njihet me emrin Bastione di Maestro. Nisma bën pjesë në kremtimet e 50-vjetorit  të lartimit në rang bazilike të kishës së Zojës Rruzare, pranë Qytetit të Guatemalës, falë Palit VI.

Pajtorja e popujve

I shtohet kështu, edhe ky mozaik, Kopshteve mahnitëse të Vatikanit, ku mund ta takosh Zojën e Bekuar me disa tituj. Të duket papritmas mes blerimit e luleve të majit, me fytyrën e ëmbël të Zojës Lurdë, që të shikon nga shpella e Massabielës, kopje e asaj së vërtetës, ndërtuar me aq mjeshtri në mes të drurëve dekorativë e luleve, sa të duket sikur je pikërisht atje, ku e pa Bernardeta, madje sikur po të duket përsëri pikërisht ty, shtegtarit të thjeshtë, që ndalesh një çast e i lutesh me gjithë shpirt, duke i kërkuar ndërmjetësim për hiret, që i ke aq për zemër.

Pajtorja e shqiptarëve

Kur kalojnë para saj shtegtarë nga mbarë bota, vizitorë të përditshëm, ndalen një çast e, në Kopshtet më të bukura në botë, jehon një “Të falemi Mri” e thënë në të gjitha gjuhët. Edhe në shqip, natyrisht.

E, nëse je mërgimtar e të ka zënë malli për Nënën tënde të Këshillit të Mirë, mjafton të pyesësh ku ndodhet, e do ta gjesh në mozaikun, përurar më 9 korrik 2013 nga Benedikti XVI,  që i kushtohet, ngërthyer mbi një mur të lashtë, rrethuar me bimë të blerta kacavarëse. E, duke i folur, do të të duket se je në Gjenacan, a para Figures së Mrekullueshme të Shenjtërores sate, e do ta ndjesh veten në atdhe, pranë Pajtores së tokës sate. E do t’i  drejtohesh në shqip: “O Zojë Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve, lutu për ne!”.

30 maj 2018, 16:12