Kërko

Kardinali Parolin Kardinali Parolin  

Politika të reja në epokën dixhitale

“Diskutim për politikat e reja dhe stilet e jetës në epokën dixhitale”: kjo, tema e konferencës ndërkombëtare 2018, organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus-pro Pontifice me rastin e 25-vjetorit të themelimit.

R.SH. Vatikan

“Diskutim për politikat e reja dhe stilet e jetës në epokën dixhitale”: kjo,   tema e konferencës ndërkombëtare 2018, organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus-pro Pontifice me rastin e 25-vjetorit të themelimit, më 1993, me aktin kirograf të Shën Gjon Palit II.

Konferenca do të mbahet në Romë, më 24 e 25 maj, pranë Pallatit të Kancelerisë (Piazza della Cancelleria, 1); ndërsa të shtunë, më 26 maj, do të vijojë brenda Shtetit të Qytetit të Vatikanit, ku do të mbahet  një seancë e kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin. Me këtë rast, Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu, do të mbajë një refleketim me temë: “Agjendë kristiane e përbashkët, për të Mirën e Përbashkët”. Në përfundim, të pranishmit do të priten në audiencë private nga Papa Françesku.

Pjesëmarrësit në ngjarje

Në konferencë do të jenë të pranishëm 34 referues, ardhur nga vise të ndryshme të botës. Në listë, anëtarë të Akademisë Papnore për Jetën, të Fondacionit vatikanas Gravissimum Educationis, të Fao-s, të Konfederatës Evropiane të Sindikatave dhe disa ekonomistë të angazhuar në punë akademike si dhe në veprimtari drejtuese sipërmarrjesh.

Temat kryesore, rreth të cilave do të diskutohet, janë ato të ekonomisë, të solidaritetit, të formimit, të ushqimit dhe të ungjillëzimit.

Programi i hollësishëm

Më hollësisht, konferenca do të fillojë me një seancë, në të cilën do të propozohen kontribute të ndryshme me karakter ndërdisiplinor. Ndërmjet tyre do të ketë përparësi rimendimi i parimeve të një ekonomie të përqendruar mbi dinjitetin dhe solidaritetin ndërmjet njerëzve, duke vënë theksin tek “risitë”, që kanë më shumë ndikim mbi jetën tonë.

Një nga seancat e punimeve do të merret me temën e formimit, duke reflektuar si mund të veprohet për përgatitjen e të rinjve lidhur me vendpunime, që kërkojnë gjithnjë më shumë specializime të reja dhe aftësi për risim të vazhdueshëm,

Në një seancë tjetër do të shkëmbehen mendime rreth një teme, të zgjedhur ndërmjet atyre, që i thekson më shumë Papa Françesku, e pikërisht, rreth asaj, që ka të bëjë me zinxhirin ushqimor dhe me kulturën “përdor e hedh”, prej këndej, kultura e hedhurinës.

Diskutimin përfundimtar, që do t’i kushtohet përpjekjeve për ungjillëzimin e një bote të trazuar gjithnjë më shumë nga konfliktet, do ta mbajë kardinali Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. 

23 maj 2018, 11:45