Versioni Beta

Cerca

Vatican News
VIAGGIO PAPA GINEVRA VIAGGIO PAPA GINEVRA 

Papa në Këshillin e Kishave. Program i vizitës në Gjenevë

Më 21 qershor Françesku do të jetë në Gjenevë për 70-vjetorin e themelimit të Këshillit Ekumenik të Kishave. Parashikohet një Meshë me bashkësinë katolike, një lutje me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik si dhe takimi me autoritetet helvetike. Vizita historike e Papës Françesku në Këshillin Ekumenik të Kishave (Cec) në Gjenevë, do të jetë ngjarja kulmore e përkujtimit ekumenik të 70-vjetorit të Cec.

R. SH. - Vatikan

Papa në Këshillin e Kishave. Program i vizitës në Gjenevë

Më 21 qershor Françesku do të jetë në Gjenevë për 70-vjetorin e themelimit të Këshillit Ekumenik  të Kishave. Parashikohet një Meshë me bashkësinë katolike, një lutje me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik si dhe takimi me autoritetet helvetike.

Vizita historike e Papës Françesku në Këshillin Ekumenik të Kishave (Cec) në Gjenevë, më 21 qershor, do të jetë ngjarja kulmore e përkujtimit ekumenik të 70-vjetorit të Cec.

Shtegtimi Papës paraqitet në Gjenevë

Pikërisht në Gjenevë, u paraqit, në një konferencë shtypi, shtegtimi i parë i Françeskut pranë Selisë qendrore të Cec, organizmi ekumenik më i rëndësishëm në nivel botëror, i formuar nga 348 kisha të 110 vendeve, përfaqësuese të rreth 500 milionë të krishterëve, ndërmjet të cilëve, anglikanë, ungjillorë e ortodoksë. Në takimin me gazetarët  ishin të pranishëm sekretari i përgjithshëm i Cec, pastori Olav Fykse Tveit dhe ipeshkvi i Lozanës, Gjenevë-s e Friburgut, imzot Charles Morerod. Mungonte kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të krishterëve, kardinali Kurt Koch, për arsye shëndetësore. Në vend të tij programin zyrtar e paraqiti  punonjësi i të njëjtit Këshill Papnor, don Andrzej Choromanski.

Ec, lutu, bashkëpuno!

Dita ekumenike e 21 qershorit do të ketë tre çaste kryesore, siç njofton Konferenca e shtypit. I pari është përvjetori i Këshillit të Kishave botërore, që feston 70-vjetorin e themelimit të institucionit ekumenik. Sekretari  i përgjithshëm i Cec, Olaf Fykse Tveit, theksoi se është nder i veçantë të presësh një mik të madh, si Papa, për të kremtuar këtë arritje kaq të rëndësishme. Pastori luteran shpjegoi edhe moton e vizitës, titulluar: “Ec, lutu, bashkëpuno!”, fjalë, që përmbledhin gjithçka përfaqëson sot dialogu ekumenik. Ekumenizmi është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e paqes në Evropë e në botë, aq më tepër po të mendojmë për atë, që ndodhi gjatë Luftës II Botërore – nënvizoi Tveit.

Kisha katolike nuk bën pjesë në Cec për arsye teologjike dhe praktike

Don Choromanski, nga ana e tij, kujtoi se në fushën e edukimit e të solidaritetit ekzistojnë një mori projektesh të përbashkëta të Kishës katolike me Cec. Kisha katolike jep edhe bursa studimi për studentë jo katolikë, në fushën ekumenike. Don Choromanski shpjegoi, më pas, edhe shkakun pse Kisha katolike nuk bën pjesë në Cec, duke folur për probleme me natyrë teologjike e praktike. Në Cec bëjnë pjesë 348 kisha, me rreth një gjysëm miliardi besimtarë, ndërsa Kisha katolike ka më se një miliard besimtarë, gjë që do të krijonte shpërpjestime. E, përsa i përket këndvështrimit teologjik do të krijoheshin edhe një mori problemesh të tjera. Por kjo nuk e përjashton mundësinë që një ditë Kisha katolike të bashkohet me Cec.

Sa herë që një Papë viziton Cec, përsëritet edhe pyetja mbi pjesëmarrjen e Kishës katolike në Këshillin ekumenik.

Gjatë konferencës së shtypit u paraqit edhe logoja e shtegtimit, që paraqet një barkë dhe fjalën greke “oikumene”. Barka simbolizon Kishën, që çan detet e, njëkohësisht, vlerën e lëvizjes - sqaroi Olaf Fykse Tveit.

Përqafimi i bashkësisë katolike zvicerane

Elementi i dytë i shtegtimit do të jetë takimi i Papës me katolikët zviceranë, siç e shpjegoi ipeshkvi i Friburg-Losanë-Gjenevës, imzot Charles Morerod, i pranishëm në Konferencën e shtypit. Ipeshkvi zviceran vuri në dukje marrëdhëniet e mira të Kishës katolike në Zvicër, me kishat e tjera të krishtera. Foli edhe për vlerën e Gjenevës, si qytet ndërkombëtar, i hapur për dialog, përmes institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, të pranishme në qytet. Prelati kujtoi, më pas, se Papa Françesku u kërkon të gjithëve bashkëpunim për harmoninë e paqen. Mesha Shenjte e kremtuar nga Papa Françesku në Palaexpò, do të ketë edhe vlerë ekumenike.

Takimi me institucionet helvetike të nivelit të lartë

Elementi i tretë i vizitës së Papës Françesku, do të jetë takimi me anëtarët e qeverisë së Konfederatës helvetike që, sipas një zëdhënësi të qeverisë zvicerane,  ka marrëdhënie të mira diplomatike me Selinë e Shenjtë. Papa do të pritet nga presidenti i Konfederatës, Alain Berset, së bashku me këshilltarin federal, Ignazio Cassi dhe presidentin e Këshillit kombëtar, Dominique de Buman.

Programi i vizitës

Programi i vizitës parashikon arritjen e Papës në Gjenevë, në orën 10.10 të paradites. Në orën 10.30 Françesku do të takojë, në një nga sallat e aeroportit, presidentin e Konfederatës zvicerane e, në orën 11.15, do të ketë një lutje në qendrën e Këshillit Ekumenik të Kishave. Do të pasojë dreka në Institutin ekumenik të Bossey. Më pas, rikthimi në selinë e Cec me fjalimet e Atit të Shenjtë dhe të përfaqësuesve të Këshillit Ekumenik. Së fundi, Mesha Shenjte në orën 17.30, pranë Palexpo të Gjenevës, ku priten më se 40 mijë besimtarë.

17 maj 2018, 15:40