Kërko

Lutja e një myslimani Lutja e një myslimani 

Mesazh për Ramazanin: të kalohet nga ndeshja, në bashkëpunim

Me rastin e muajit islamik të agjërimit, Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar i uron gjithë myslimanët. Më pas, i fton të krishterët e ndjekësit e islamit t’i lënë mënjanë ndeshjet, për të krijuar marrëdhënie respekti, në shërbim të së mirës së përbashkët.

R.SH. - Vatikan

Mbrëmjen e 16 majit nisi, për myslimanët, muaji i Ramazanit, ngjarje qëndrore në jetën e çdo besimtari  mysliman. Do të përfundojë më 14 qershor, me id’al-Fitr, festa e dytë fetare më e rëndësishme myslimane. Ka kuptimin “Festa e ndërprerjes”, sepse shpreh gëzimin për përfundimin e një periudhe të gjatë agjërimi.

Mesazhi i urimit e falënderimi i Zotit

Çdo vit Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar u drejton një mesazh të gjithë ndjekësve të Muhametit, për t’u uruar festën e rëndësishme të Ramazanit e për të vlerësuar përpjekjet e mëdha të myslimanëve të mbarë botës për të agjëruar, për t’u lutur e për të ndarë me të varfërit, dhuratat e të Gjithëpushtetshmit.

Të lihen mënjanë tensionet, me respekt reciprok

Mesazhi thekson, sivjet, aspektin jetik të marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve - lexohet në tekstin e nënshkruar nga kryetari i Dikasterit, kardinali Jean-Louis Tauran: nevojën për të kaluar nga ndeshjet, në bashkëpunim!

Fryma e ndeshjes i ka cënuar shumë këto marrëdhënie - vërehet - e pasojat kanë qenë zilitë e tensionet. Në disa raste, këto kanë çuar edhe në ndeshje të dhunshme, posaçërisht kur feja është përdorur për të mbrojtur interesa të pjesëshme e politike.

Të dëshmohet se fetë janë burim i paqes

Eshtë krijuar, kështu, një figurë negative për fetë, gjë që ka ushqyer idenë se nuk janë aspak burim i paqes, por i tensioneve dhe i dhunës.

Pikërisht kjo, situata, që Këshilli Papnor fton të kapërcehet, duke u kujtuar të dyja palëve, vlerat e përbashkëta fetare e morale. Më pas ftesa për t’i njohur këto vlera të përbashkëta e për të respektuar ndryshimet e ligjshme, gjë që – theksohet akoma në mesazhin drejtuar myslimanëve për Ramazan - do të krijojë kushtet për vendosjen e marrëdhënieve paqësore dhe për thellimin e bashkëpunimit të frytshëm në të mirën e përbashkët,  në dobi të më nevojtarëve.

Marrëdhëniet  vëllazërore i shërbejnë harmonisë shoqërore

Marrëdhëniet paqësore e vëllazërore - përfundon mesazhi - do t’u krijojnë të gjithëve mundësinë ta dëshmojnë në mënyrë të besueshme dashurinë për të Gjithëpushtetshmin dhe për mbarë njerëzimin, si dhe dëshirën për të promovuar harmoninë “në një shoqëri gjithnjë më shumëetnike, shumëfetare e shumëkulturore”.

18 maj 2018, 20:03