Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Annunciazione Annunciazione 

Më 31 maj kalendari kremton festën e Pasisë së Zojës së Bekuar

Festa e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës, njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari. Nga ngjarja që përkujton kjo festë lind kënga ‘Magnificat’, ‘Madhërimi’ që i thur lavde dhe madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.

R.SH: - Vatikan

Më 31 maj bie festa e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës. Kjo festë njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari. Nga ngjarja që përkujton kjo festë lind kënga ‘Magnificat’, ‘Madhërimi’ që i thur lavde dhe madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.  

Po sot, 31 maj, është edhe dita e fundit e majit, kushtuar nderimit të Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat katolike të botës.

Po t’i kthehemi festës së Pasisë së Zojës së Bekuar. Kur Engjëlli i Zotit u largua prej Virgjërës Mari, pasi i kishte kumtuar lajmin e madh të Mishërimit të Hyjit, dhe kishte marrë pohimin e saj, Maria e dinte se kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shëlbimit të botës. E megjithatë gjithçka rreth saj kishte mbetur fare e pandryshuar dhe fshati i humbur i Nazaretit nuk e dinte fare se çka i kishte ndodhur vajzës së panjohur, e cila do të bëhej më e njohura mbi të gjitha gratë, që kanë ecur në shtigjet e kësaj bote.

E Maria, pa menduar fare për vetveten, u vu me ngut për udhë, për të arritur në shtëpinë e së kushërirës, Elizabetës, ku ndodhi një ngjarje që asnjë piktor nuk mund ta realizojë me gjithë bukurinë dhe thellësinë e saj të pakapshme, sepse të dyja gratë ishin rrethuar nga drita e Shpirtit Shenjt Zot.

E Elizabeta, e ndriçuar nga Lart, brohoret fjalët, që më pas do të shqiptohen në shekuj në të gjitha gjuhët e botës: “E bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja se, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje, kërceu në kraharorin tim. E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit”. Këto fjalë mund të na duken të tepruara në rrethanat e sotme. Elizabeta ishte një grua në moshë e Maria, një vajzë e panjohur prej një fshati të humbur të Galilesë.

Çka mund të bënin, në një botë ku vlerësohen njerëz të tjerë e peshojnë pushtete të tjera?
Gjithsesi Maria, në Pasinë e Saj, na mahnit përsëri: zemra e saj është e kulluar, krejtësisht e hapur për dritën e Hyjit; shpirti i saj është pa mëkat, mbi të nuk peshojnë mburrja e egoizmi. Prandaj i buçet nga zemra kënga e lavdërimit, lexim i vërtetë dhe i thellë i gjithë historisë së njerëzimit: “Shpirti im madhëron Zotin”. Maria pranon madhështinë e Hyjit. E kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Ndjenjë që i jep siguri, e çliron nga frika dhe e bën ta shikojë me sytë e fesë veprën e Zotit në histori.

Maria është e lume, sepse e pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të saj. Feja e saj e bëri të shikonte se fronet e njerëzve të pushtetshëm në këtë botë janë të përkohshme, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb që nuk lëkundet as nuk shembet në jetë të jetëve. E kështu himni i Marisë i ‘Madhërimit’ - ‘Magnificat’ mbetet në shekuj shpjegimi më i vërtetë e më i thellë i historisë.

Ta jetojmë ditën e fundit të majit, kushtuar Pasisë së Zojës me këngën e ‘Madhërimiy’ - ‘Magnificati-t’ në zemër, t’i ngjasim Asaj, Virgjërës Mari, duke qenë gjithnjë të gatshëm për t’i ndihmuar vëllezërit, që të mundemi kështu, t’i lartojmë edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi.
Në ditën e fundit të majit, në të cilën kremtohet festa e Pasisë së Zojës, Kisha na paraqet Marinë si ikonë mahnitëse e shkollë të fesë së krishterë, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e na kujton misionin tonë të dëshmimit të Fjalës së Mishëruar Hyjnore në jetën e përditshme.

31 maj 2018, 11:05