1967 05 13 Viaggio apostolico Portogallo, Papa Paolo Vi a Fatima 1967 05 13 Viaggio apostolico Portogallo, Papa Paolo Vi a Fatima 

Kardinali Parolin: 1978-ta qe viti i tre Papëve e i tre etërve

Më 28 prillin e kaluar, në katedralen e Chioggia-s, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, hapi ciklin e takimeve të Shoqatës Kulturore Fondaco, kushtuar temës: “Nga Ati, tek biri. Zoti të dhashtë hirin të jetojë gjatë yt atë, në shpirtin tënd!”. Viti 1978 mbeti në histori si vit i tre Papëve - tre etërve: Montini, Luciani e Wojtyla.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Parolin: 1978-ta qe viti i tre Papëve e i tre etërve

Më 28 prillin e kaluar, në katedralen e Chioggia-s, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, hapi ciklin e takimeve të Shoqatës Kulturore Fondaco, kushtuar temës: “Nga Ati, tek biri. Zoti të dhashtë hirin të jetojë gjatë yt atë, në shpirtin tënd!”.

Viti 1978 mbeti në histori si vit i tre Papëve - tre etërve: Montini, Luciani e Wojtyla. Këtë kujtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e  përurimit të ciklit të takimeve, organizuar nga Fondaco, kushtuar temës “Nga Ati, tek biri. Zoti të dhashtë hirin të jetojë gjatë yt atë, në shpirtin tënd”. Një vit, gjatë të cilit papnuan tre papë - ishte në qendër të fjalimit të kardinalit Parolin, që vuri në dukje transmetimin e traditave të mëdha nga papnia, në papni. Fragmente të fjalimit u botuan edhe në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

Vit i tre etërve

Kardinali e nisi fjalimin e tij duke cituar disa fjalë të Palit VI, sepse ndër to gjindet shpjegimi i përkryer i zgjedhjes së vitit 1978 për ciklin e takimeve kushtuar figurës së atit. “Vit i tre papëve - shpjegoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - ishte vit i tre etërve”.

Madhështia e Palit VI

Duke kujtuar Papën Montini, kardinali Pietro Parolin vuri në dukje se vitet e papnisë së tij qenë të vështira për Italinë e edhe për Kishën. Trazirat pas-konciliare, vrasja e kryetarit të Dc, Aldo Moro, ligji për miratimin e abortit dhe   lëvizjet rinore të ’68-tës…Të shumta, episodet, që e bënë tejet të vështirë papninë e tij. Por, siç kujtoi edhe kardinali Parolin “madhështia e Giovanni Battista Montinit del në pah pikërisht gjatë këtyre viteve të trazuara. Pali VI, edhe në mes të lëkundjeve të forta, diti të punojë e të vuajë për të ruajtur unitetin e Kishës, për të ripohuar të vërtetat e fesë, që ndokush deshi t’i vinte në diskutim, për të mos e pranuar kërkesën e atyre, që donin dënime përfundimtare e masa inkuizitore”.

Gjon Pali I, meteor i paharrueshëm

“Meteor i paharrueshëm”. Kështu e quajti sekretari i Shtetit të Vatikanit Papën Luciani, atë Papë buzagaz e të përvuajtur, që na la, pak pasi kish dalë në dritaren e botës me petkun e bariut të Kishës universale.

Flladi i freskët e Gjon Palit II

Shembja e Murit të Berlinit, lëkundja dhe rënia e kolosit komunist, lufta etnike vëllavrasëse në vetë  zemrën e Evropës, deri tek fanatizmi fetar, që shpërtheu më 11 shtator. Edhe këto vite, të jetuara nga Gjon Pali II nuk qenë të lehta. Gjatë papnisë së tij Kisha katolike kaloi një periudhë ndryshimesh epokale. Por, pavarësisht  nga gjithçka  - kujtoi kardinali Parolin - Gjon Pali II, me fenë e tij të vendosur e të pathyeshme solli një fllad të freskët në Kishë, duke luajtur një rol tejet të rëndësishëm.

Trashëgimia e tre Papëve-etër

Pasi kujtoi disa aspekte të rëndësishme të papnive të tyre, kardinali theksoi trashëgimin e pasur, që na lanë këta tre etër. Të tre na edukuan ta duam Zotin e t’i duam vëllezërit, burrat e gratë, që janë, mbi të gjitha, vëllezër e motra, janë si ne, në kërkim të kuptimit të jetës, në kërkim të një përgjigjeje përfundimtare… I krishteri jeton me sigurinë e fesë, të cilën nuk mund të thuash kurrë se e zotëron plotësisht, sepse kështu do të rrezikohej të kthehej në ideologji. E vetëdijën e të qenit gjithnjë për udhë, të nevojës për ta takuar gjithnjë e përsëri Zotin në udhën tonë, na e dëshmuan me jetën e tyre - tre Papët - etër të mëdhenj”.

17 maj 2018, 15:45