Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Takimi ndërfetar i Papës në Bangladesh Takimi ndërfetar i Papës në Bangladesh  (Vatican Media)

Kard. Tauran mbi dialogun ndërfetar: “krerët fetarë të jenë ura”

“Krerët fetarë të promovojnë e të kultivojnë kulturën e takimit”. Kështu kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, në konferencën “Dharma e Logos. Dialogu dhe bashkëpunimi në një epokë të ndërlikuar”

R.SH. - Vatikan

“Në një botë të mbërthyer nga shumë konflikte e stuhi luftërash, njerëzit presin që krerët fetarë të jenë ura të qëndrueshme dialogu, ndërmjetësues krijues e ndërlidhës për paqen e harmoninë”. Kështu pohon kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, para 200 pjesëmarrësve të konferencës mbi “Dharma e Logos. Dialogu dhe bashkëpunimi në një epokë të ndërlikuar”, organizuar sot në Romë, nga dikasteri vatikanas në bashkëpunim me ipeshkvijtë italianë.

         “Krerët fetarë – vijon fjala e kardinalit Tauran, lexuar në takim nga sekretari i dikasterit, imzot Miguel Angel Ayuso Guixot – duhet të promovojnë e të kultivojnë kulturën e takimit, duke përqafuar çdo njeri e duke e trajtuar atë me humanitet. Kjo vlen, në veçanti, për të varfërit e të brishtët e shoqërisë”. Në takim, marrin pjesë murgjër e përfaqësues budistë, hinduistë, gjanistë dhe sikhë, veshur me petkat e tyre tradicionale fetare, që i japin gjyra të ndezura sallës. Konferenca, e mbështetur edhe prej tyre, u hap me ndezjen e llambës tradicionale, në shenjë miqësie e vëllazërie.

         “Jam i bindur plotësisht – shkruan kardinali Tauran – së në këtë epokë të ndërlikuar të kohëve tona, në të cilën na duhet të përballojmë shumë sfida, mund ta favorizojmë këtë impenjim dialogu me qëndrim të hapur e plot dashuri ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që të kapërcehen paragjykimet dhe mbylljet në vetvete, të cilat bëjnë pjesë në ‘kulturën e ndeshjes’, për t’i lënë kështu vend ‘kulturës së takimit’, që na edukon ta kuptojmë trashëgiminë e pasur të tjetrit, duke na motivuar të punojmë për bashkimin e familjes njerëzore”.

15 maj 2018, 18:15